E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Mjekët do të pajisen me kontrata

Ministria e Shëndetësisë, Anila Godo, foli dje gjatë punimeve në Kuvend për herë të parë, ku në qendër të fjalimit ishte situata në spitalet shqiptare. Godo u shpreh se mungesa e mjekëve specialistë në rrethe është një nga problemet kryesore dhe për këtë ajo premtoi se specialistët do të pajisen me kontrata. “Si fillim, Ministria e Shëndetësisë do të krijojë kontrata, të cilat do dërgojnë mjekët specialist nëpër rrethe. Gjithashtu do t’i kërkoja Kryeministrit t’i joshte këta mjekë me një pagesë më të mirë se ata që janë nëpër qytete, për të bërë të mundur dërgimin e tyre atje dhe për të shmangur krizat”, - tha ministra Godo, e cila shtoi se në spitale mungojnë edhe ilaçet për pacientët. Ajo e cilësoi këtë si problem të mbartur në kohë, por që premtoi përpara deputetëve se do ta zgjidhte.

Kuvendi do të vendosë mes Dedës dhe Llallës për kreun e ILDKP-së

Komisioni i Ligjeve ka miratuar ditën e djeshme të dyja kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Deputetët e këtij komisioni, në unanimitet, vendosën që dy kandidaturat, Bashkim Dede dhe Adtriatik Llalla, i plotësojë kriteret ligjore për të qenë në krye të ILDKP-së, dhe i kaluan për t’u votëbesuar në Kuvend. Këtë mendim deputetët e të dyja krahëve e arritën pas seancës dëgjimore që bënë me dy kandidaturat në Komisionin e Ligjeve. Tashmë do të jetë Kuvendi, i cili me shumicë votash do të vendosë se cili kandidat do të jetë kreu i ardhshëm i këtij inspektorati. Të dy kandidaturat kanë rreth 1 muaj e gjysmë që janë propozuar nga kreu i shtetit pas mbarimit të mandatit të Fatmira Laskajt.

Basha, më 25 shtator mbledh homologët e 11 vendeve

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, pritet të organizojë një takim me 11 homologët e rajonit, më 25 shtator, në Nju Jork. Shqipëria është anëtare e Organizatës së detit të Zi për Bashkëpunim Ekonomik, dhe që prej fillimit të këtij viti, është drejtuese e kësaj organizate. Anëtare të saj janë vendet e rajonit që lagen nga Deti i Zi, si Azerbajxhani, Armenia, Bullgaria, Greqia, Gjeorgjia, Moldavia, Rusia, Rumania, Serbia, Turqia dhe Ukraina. Ministri shqiptar, Basha, do të drejtojë mbledhjen e ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, ku pritet të diskutohen disa nga temat më të nxehta të politikës së jashtme që shqetësojnë rajonin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›