Lejet e ndërtimit, ligji, me ekspertë të huaj
Kryeministri Sali Berisha bën të ditur se zgjidhja e lejeve të ndërtimit, tashmë do të jetë ligjore. Pas kritikave të njëpasnjëshme për bllokimin që u ka bërë lejeve të ndërtimit në Tiranë kryebashkiaku Edi Rama, kreu i qeverisë lajmëroi dje se brenda 10 ditësh do t’i japë përgjigje ligjit të ri të urbanistikës. Berisha ka kërkuar ekspertizën e ekspertëve më të mirë për adaptimin e standardeve botërore për dhënien e lejeve të ndërtimeve. Duke shprehur shqetësimin e problematikës së tyre, që gjithnjë e më shumë po dëmton biznesin në vend, kreu i qeverisë ka autorizuar specialistët më të mirë për zgjedhjen e modalitetit më efikas dhe që përafron me standardet ndërkombëtare. Duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore “Si të bësh biznes”, Berisha vuri në dukje se "Shqipëria është afër fundit të renditjes botërore për kohën dhe dokumentet e dhënies së lejeve të ndërtimit". Kryeministri shprehu shqetësimin se dhënia e tyre është një problem jo i vogël dhe ndëshkues. Në kushte të tilla ai siguroi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, se me ligjin e ri për urbanistikën ky problem merr një përgjigje ligjore. Kryeministri vuri në dukje se ky problem nuk duhet të nënvleftësohet, sepse çdo investim si rregull ka një ndërtim, ndaj shtoi ai: "Kam porositur specialistët të shohin standardin më të mirë që ekziston në botë dhe në mënyrë absolute të krijohen të gjitha modalitetet që ai standard të vendoset në Shqipëri". Sipas tij, "asnjë vend nuk ka më shumë nevojë se Shqipëria për investime dhe zhvillim të shpejtë". Kryeministri garantoi se do të bëhet më shumë në drejtim të liberalizmit të licensave dhe të lejeve të ndërtimit. Berisha njoftoi deputetët e tij se ka kërkuar nga specilaistët përkatës të përshtasin standardet ligjore evropiane, më të mira në këtë drejtim. “Në kuadër të Pragut të Llogarisë së Mijëvjeçarit ne do të ndërtojmë One Stop Shop për licencat dhe lejet. 103 i hoqëm dhe këto do t’i vendosim në One Stop Shop. Problem jo i vogël, ndëshkues janë lejet e ndërtimit. Çdo investim si rregull ka një ndërtim, ndaj kam porositur specialistët të shohin standardin më të mirë në botë që ekziston për këtë dhe në mënyrë absolute do të jepen të gjitha modalitetet që ai standard të vendoset në Shqipëri, pasi asnjë vend nuk ka më shumë nevojë se Shqipëria për investime dhe zhvillim të shpejtë”, - tha z. Berisha. Duke u rikthyer te raporti i Bankës Botërore, Kryeministri Berisha vlerësoi se "filozofia e qeverisë u provua e suksesshme, pasi Shqipëria është shembulli më spektakolar i zgjerimit të lirisë dhe rritjes së të ardhurave. Ne, - vijoi z. Berisha, - u ngjitëm në 96 pikë në lirinë fiskale. Edhe të tjerët kanë ulur taksat, por absolutisht asnjë nuk ka rritur dot të ardhurat me 22 për qind në vit, siç kemi rritur ne. Në këtë aspekt duhet të jemi shumë krenarë me filozofinë, parimet që mbrojtëm dhe zbatuam në programin e kësaj qeverie gjatë këtyre tre viteve", tha Kryeministri Berisha para deputetëve demokratë. Duke evidentuar se Shqipëria është në prag të zhvillimeve shumë të mëdha, në fushën e ekonomisë, Kryeministri siguroi se motoja e qeverisë do të jetë reforma dhe vetëm reforma. “Javën që vjen hapet gara për gjashtë parqet industriale. Kjo vjen në kohën më të përshtatshme, sepse ato hapen në një vend me rritje ekonomike dyshifrore. Interesi për to do të jetë maksimal. Javët në vazhdim janë javë privatizimesh shumë të rëndësishme, janë javë koncesionesh shumë të mëdha”.
Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në sektorin energjetik, Kryeministri u shpreh se falë lehtësimit të procedurave, në Shqipëri operojnë kompanitë më të rëndësishme në fushën e ndërtimit të HEC-ve. “Një vit më parë, bazuar në parimin se ujërat janë pasuria më e madhe e këtij vendi, ne bëmë një përqendrim të madh te hidrocentralet, fushë në të cilën ekzistonte një kaos i plotë i paimagjinueshëm, por sot me shpejtësinë e procedurave kthjelltësinë dhe qartësinë ne lamë mbrapa çdo vend të rajonit. Prapë ka dobësi, sepse ai ishte një mozaik i thyer, çështja e ujit dhe e hidrocentraleve në tërësi ishte një mozaik i thyer. Por tani, pa diskutim është një nga linjat më të rëndësishme dhe janë në Shqipëri kompanitë më të mëdha të Evropës me projektime në këtë vend, nga Norvegjia deri në Qipro”.