Balla: Shqiptarët pa viza, Ministria e Jashtme, përgjegjëse
Një ditë pas publikimit të raportit të Lëvizjes Evropiane në Shqipëri (EMA) për nivelin e zbatimit të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, PS-ja bëri përgjegjëse direkt Ministrinë e Jashtme për këto të dhëna. Deputeti socialist, njëherësh edhe kryetari i komisionit të jashtëm në PS, Taulant Balla, tha se kjo marrëveshje ka një implementim dhe respektim të dobët, për shkak se procedurat vazhdojnë të jenë të komplikuara dhe të paharmonizuara ndërmjet konsullatave të ndryshme të vendeve “Shengen” në Tiranë. “Është e pakuptueshme, por edhe papërgjegjshmëri që Ministria e Jashtme, institucioni përgjegjës shqiptar për monitorimin e respektimit të Marrëveshjes për Liberalizimin e Vizave nuk ka ngritur asnjë strukturë të posaçme për informimin e qytetarëve në lidhje me këtë marrëveshje”, - tha Balla, ndërsa shtoi se sipas detyrimeve që burojnë nga marrëveshja, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të kishte ngritur që më datë 1 janar 2008 një strukturë të posaçme për të verifikuar pretendimet e aplikantëve në rastet e refuzimit të vizave.