E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja dorëzon në Kuvend propozimet për buxhetin e 2009-ës

Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, dorëzoi dje në Kuvend disa propozime për përmirësimin e projektbuxhetit të 2009-ës. Ndërsa buxheti në fjalë është miratuar në parim dhe pret që nesër të marrë miratimin përfundimtar, socialistët kanë pritur limitin e fundit të kohës për të bërë propozimet e tyre. Ndërkohë që edhe dje, deputeti socialist, Alfred Dalipi, kundërshtoi disa zëra të buxhetit të paraqitur nga qeveria si arsimi, pagat etj.

Në lidhje me arsimin, Dalipi tha se buxheti 2009 parashikon investime në arsim vetëm 0.2 dollarë në ditë. Ai theksoi se 14.5 miliardë lekë ishte fondi i pagave më 2005 për mësuesit, ndërsa sot është 10 miliardë më pak se premtimi ose vetëm 20.6 miliardë për 2009-ën. “Që të mbanin premtimin, duhej të ishte 29. 2 miliardë. U trashëguan 13 paga për arsimtarët. I bënë 12 dhe sollën në Kuvend një buxhet që tradhton premtimin e bërë me 10 miliardë lekë më pak për pagat duke mos i dyfishuar ato. Dhe jo vetëm kaq, por arsimtarët do t'i kenë nga pas me taksën e sheshtë, aty ua japin shtesat, aty ua marrin me taksat. Sot mësuesit paguajnë nga 12 rroga, një rrogë e gjysmë si tatim që sheshon rritjen”, - deklaroi Dalipi. Njëkohësisht, Dalipi vuri në dukje se s'ka qenë vetëm mashtrimi, padija, por edhe paaftësia për të ndërtuar diçka të re që mund të mbante ngjyrën e 4 viteve pushtet. “Trashëguan vepra universitare që ne arritëm dhe ditëm t'i ndërtonim, si Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Shkodër, godinën e Fakultetit Ekonomik në Tiranë, Ekonomikun në Elbasan, Ekonomikun në Korçë. I shpartalluan jo vetëm me dyndje pa auditorë, por edhe me filozofinë liberale të universiteteve private, duke sosur edhe emrat që ka shqipja”, - përfundoi deputeti socialist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›