E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria i vë limite Ramës për lejet e ndërtimit

Qeveria kërkon të shmangë korrupsionin me lejet e ndërtimit, duke ndërhyrë në ligjin ekzistues përmes disa amendamenteve që do të thjeshtëzojnë procedurat e dhënies së tyre. Burime nga qeveria konfirmojnë se Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve po përgatit disa amendime për ligjin e lejeve të ndërtimit dhe që po hartohet veçmas jo si pjesë e ligjit për urbanistikën. Përmirësimet konsistojnë tek shkurtimi i procedurave për dhënien e një leje ndërtimi, gjë që do çojë domosdoshmërisht edhe tek shmangia e korrupsionit në këtë sektor. Nisma e qeverisë zë shkas edhe nga kritikat e bëra në raportin e BB-së dhe atë të KE-së , ku Tirana cilësohet si një ndër qytetet më problematike për procedurat e gjata të lejeve të ndërtimit. Në mënyrë të vazhdueshme Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar mënyrën e dhënies së këtyre lejeve, në mënyrë të veçantë atë të kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, përmes ryshfeteve. Ndërtuesit, të cilët nuk e përfitojnë lejen e ndërtimit brenda afatit të caktuar me ligj, do ta konsiderojnë atë të miratuar dhe do të vazhdojnë punimet pa u penguar nga askush. Në këtë rast, nëse evidentohen shkelje ligjore në këtë proces, të gjitha përgjegjësitë do të rëndojnë mbi autoritetin përgjegjës. Kjo është pika më e fortë, ku dhe konsiston hartimi i ligjit të ri që do të sjellë qeveria për rregullimin e problemeve në dhënien e lejeve të ndërtimit. Projektligji i ri i përgatitur nga Ministria e Transporteve për lejet e ndërtimit, “Për planifikimin e territorit”, u vendos bashkive dhe komunave rregulla të forta në këtë fushë. Sipas projektit të ri, marrja e një leje ndërtimi tani do të zgjasë vetëm 70 ditë dhe nëse bashkia apo komuna nuk jep asnjë përgjigje, qoftë pozitive apo negative, të argumentuara, atëherë të konsiderohet e vlefshme leja për ndërtim. Projektligji, duke u mbështetur dhe në deklarimet e Kryeministrit Berisha, tenton që të mos zvarritë dhënien e lejes së ndërtimit, pasi një zvarritje 365-ditore “do të thotë gjoba prej 15 për qind”. Këtë qëndrim Kryeministri e bëri të ditur edhe dje në mbledhjen e qeverisë. “Çdo person fizik ose juridik plotëson jo më vonë se 30 ditë nga ndërmarrja e çdo zhvillimi, kërkesën për zhvillim dhe kërkesën për leje ndërtimi”, - thuhet në një nga nenet e këtij drafti. Projekti e përcakton qartë se dhënia e lejes është një akt administrativ, ekskluziv për drejtuesin e njësisë vendore. Në nenin 60, pika 3, përcaktohet se “bashkia/komuna e shpall menjëherë kërkesën në mjediset e saj publike. Kërkesa për zhvillim botohet në regjistër brenda 10 ditësh”. Ndërsa në nenin 61 jepen afatet e shqyrtimit të kërkesës, e cila duhet të bëhet “brenda 30 ditëve nga shpallja e kërkesës ose nga botimi i saj në regjistër sipas parashikimeve të pikës 3 te nenit 60 të këtij ligji”. Po pika 3 e nenit të mësipërm vë në dukje se “mosshprehja e një qëndrimi brenda afatit të mësipërm konsiderohet pranim i heshtur”. Ky është afati që vendos qeveria ndaj pushtetit vendor për të dhënë një leje ndërtimi. Në nenin 62, pika 2 dhe 3, qeveria parashikon që bashkia dhe komuna duhet të hartojë një pranim ose refuzim të lejes së ndërtimit, të detajuar. “Bashkia/komuna i kthen përgjigje kërkuesit, së bashku me një kopje të vendimit të marrë për pranimin apo refuzimin e kërkesës për zhvillim jo më vonë se 10 ditë pas afatit të përcaktuar në pikën 3 të nenit 60. Në mungesë të përgjigjes pas këtij afati, kërkesa për zhvillim, e për pasojë leja e zhvillimit konsiderohet e miratuar në heshtje”. Por drafti parashikon se nëse gjatë shqyrtimit leja e ndërtimit ndryshon në masën më të madhe të saj, procedurat nisin nga e para. Në draftin, që tashmë ndodhet në duart e ministrit Olldashi, parashikohen edhe sanksione, gjoba apo prishje objekti nëse nuk janë respektuar të gjitha kërkesat që përmban ligji. Në nenin 68, pika a, parashikohet gjobë për kryetarin e njësisë vendore prej 100 mijë lekësh, nëse lejen e ka dhënë në kundërshtim me ligjin “deri në 10 të vlerës së shpenzimeve që janë kryer apo do të kryhen sipas kërkesës përkatëse për zhvillim”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›