E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja përplaset me KQZ-në në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese mori dje në shqyrtim ankimimin e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës për të shfuqizuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në qershor të këtij viti. Vendimi i këtij institucioni i mbylli rrugët zhvillimit të një referendumi për ndryshimet kushtetuese që u bënë në 21 prill. Palët ankimuese, KMK e LSI, që kanë pjesën më të madhe të nismëtarëve për referendumin e ndryshimeve kushtetuese dhe përfaqësuesit e KQZ-së janë përballur sërish paraditen e djeshme përballë trupit gjykues të Gjykatës Kushtetuese. Kjo ishte seanca e parë, katër muaj pasi KMK-ja ankimoi vendimin e KQZ-së në Gjykatë. Palët respektive paraqitën para anëtarëve të gjykatës pretendimet e tyre, ndërsa këta të fundit janë tërhequr për të dhënë vendimin përfundimtar.

KMK-ja, përmes avokatit të saj, Bledar Fejzo, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë vendimin e marrë nga KQZ-ja si dhe të bëjë interpretimin e disa neneve të Kushtetutës në lidhje me referendumet. Sipas tij, shkelja e bërë nga KQZ-ja, ka penguar një të drejtë kushtetuese që i takon sovranit. Në maj të këtij viti, KMK-ja dorëzoi në KQZ një kërkesë ku kërkohej të pajisej me formularë tip për të mbledhur 50 mijë firma qytetarësh për të zhvilluar një referendum për ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Ndryshimet kushtetuese hynë në fuqi që në 22 maj. KQZ-ja nuk pranoi të marrë në shqyrtim kërkesën, duke u shprehur se nuk ishte kompetencë e saj, duke e klasifikuar si referendum kushtetues, por bazuar edhe në nenet përkatëse të Kodit Zgjedhor, kur bëhet fjalë për referendum kushtetues, procedurat nisin nga Kuvendi i Shqipërisë me kërkesë të 28 deputetëve të Kuvendit. Pala ankimuese tha se vendimi i marrë nga KQZ-ja i tejkalon kompetencat e këtij institucioni duke u shprehur se “KQZ-ja nuk është shprehur në lidhje me përmbajtjen e kërkesës dhe nuk ka kompetencë vendimmarrjeje”. Sipas tij, neni 126, 127, 128, KQZ-ja është e detyruar të pajisë me fletën tip, grupin nismëtar.

Nga ana tjetër, kreu i KQZ-së, i pranishëm në sallë, Çlirim Gjata, argumentoi në mbrojtje të vendimit të KQZ-së se grupi nismëtar nuk gëzon të drejtën për t’u ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk janë as në cilësinë e partive politike. “Mund t’i drejtohesh Gj. Kushtetuese pasi të kesh kaluar të gjitha hapësirat e tjera ligjore. Ky ankim është kompetencë e Gjykatës së Shkallës së parë. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës. Tjetër procedurë ka parashikuar kodi për referendumin kushtetues dhe tjetër për referendum të përgjithshëm”.

Më tej, kreu i KQZ-së argumentoi se një kërkesë e tillë për zhvillimin e një referendumi nuk mund të ngrihet. Organi kompetent është Parlamenti.

Dhe si bazë ligjore ai paraqiti të gjithë kapitullin e Kodit Zgjedhor ku flitet për referendumin e përgjithshëm. Në të njëjtën vijë u shpreh edhe përfaqësuesi juridik i Kuvendit. Ai tha se përderisa nismëtarët janë individë, është barra e kërkuesve të referendumit të vërtetojnë se janë mbaruar mjetet ligjore dhe duhet të provohet në Gjykatën e Shkallës së Parë, pasi objekti i shqyrtimit nuk është për Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›