Berisha: “Edi Rama është kundërshtari im më komod”
Kryeministri Sali Berisha është marrë sërish me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, duke e konsideruar atë një kundërshtar komod, pasi i fiton zgjedhjet lehtë kur e ka atë përballë. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e fillimit të punimeve në segmentin e dytë të rrugës Laç - Patok, në rrethin e Kurbinit, Berisha tha se Rama është humbësi i madh i zgjedhjeve. “Por 28 qershori kishte një humbës të madh, humbi Edi Rama dhe nastradinizmi i tij. Ai u parashtroi shqiptarëve doktrinën e mashtrimit. Shqiptarët e hodhën atë aty ku meritonte, në koshin e humbjes. Prapë nuk nxjerr mësim. ‘Jo, - thotë, do të vazhdoj mandatin se nuk kam humbur’. Gënjen veten tënde zoti Edi, se prapë do të humbasësh, prapë do të humbasësh e prapë do të humbasësh. Do të kalosh nga 28 qershori në 28 qershor, nga Ballagati në Ballagat. Absolutisht je i pashpresë dhe nuk kam kundërshtar më komod se ty. Do të qëndrosh, qëndro sa të duash! Ne do të vazhdojmë me veprat tona. Edhe njëherë ju përshëndes dhe ju garantoj se qeveria do të financojë çdo projekt për këtë qytet dhe për ju, qytetarët e mrekullueshëm të Kurbinit”, - është shprehur Berisha.
Gjatë ditës së djeshme Berisha përuroi fillimin e punimeve të rrugës Laç-Patok dhe brenda 14 muajve pritet që kjo rrugë, e gjatë 6.2 kilometra dhe me një vlerë investimi prej 183 milionë lekësh, ku përfshihen edhe kanalizimet, rrjeti elektrik dhe trotuaret, do t’u dorëzohet banorëve të zonëve, sipas të gjitha standardeve europiane.
“Kjo rrugë lidh Laçin, Kurbinin, Krujën dhe mbarë Shqipërinë me një nga plazhet më të bukura të vendit, plazhin e Patokut. Kjo rrugë, gjithashtu, i jep mundësi dalje në treg në kushte më të mira kësaj zone, e cila është një nga zonat më të fuqishme prodhuese të vendit. Siç e shihni, është një komunë me një potencial të madh, me tokë të mrekullueshme, me ujëra të shumta, të nëndheshme dhe të mbidheshme, pra është një ndihmë e madhe për tregun në këtë zonë. Përurimi i saj është vazhdimi i fitores, fitore e cila u bazua tërësisht mbi vizionin e zhvillimit europian të Kurbinit dhe të mbarë Shqipërisë, u bazua në mbajtjen e fjalës së dhënë, në mbajtjen e premtimeve”, - është shprehur Berisha gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni.
8 Gusht 2009