Balla: “Të ngrihet komisioni i ri hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, me shumicë nga opozita”
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste ka kërkuar ngritjen e një komisioni të ri hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, me shumicë nga opozita. Deputeti socialist, Taulant Balla, deklaroi se
Rezoluta e Parlamentit Europian hedh poshtë pretendimin e qeverisë se komisioni hetimor i miratuar në Kuvend vetëm me votat e maxhorancës është i ngritur dhe funksional. Apeli i PS-së vjen në një kohë kur komisionit hetimor të ngritur vetëm me votat e maxhorancës i ka kaluar afati. Deputeti Balla i bëri thirrje kryeministrit Berisha se nëse është vërtet i interesuar për integrimin e vendit, të lejojë hetimin e zgjedhjeve duke ngritur komisionin e ri hetimor.
Apeli
“Rezoluta e Parlamentit Europian kërkon zgjidhjen e menjëhershme të krizës politike përmes ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar të ri, me shumicë dhe kryetar të opozitës, që ka mandat hetimor për materialet elektorale, me qëllim transparencën e procesit të 28 qershorit. Nëse Sali Berisha e do vërtet integrimin e Shqipërisë në Europë, le ta dëgjojë Europën sa nuk është vonë, të heqë dorë nga politika e tij refraktare dhe sabotuese dhe të veprojë një orë e më parë”, - apeloi Balla. Deputeti socialist i rikujtoi Berishës se nëse nuk angazhohet seriozisht në zgjidhjen e krizës, proceset integruese të vendit rrezikohen. “Rezoluta e Parlamentit Europian tregon fare qartë jo vetëm se kriza në Shqipëri nuk është zgjidhur, ashtu siç pretendon Sali Berisha, por ajo po vazhdon të thellohet dhe, nëse zgjidhja nuk gjendet sa më shpejt të jetë e mundur, kriza politike rrezikon seriozisht të gjitha proceset integruese te vendit. Është kjo arsyeja përse nevojitet në mënyrë urgjente një zgjidhje, jo për të plotësuar kërkesat e një pale apo të palës tjetër, por, mbi të gjitha, për të shpëtuar dhe garantuar nevojën e Shqipërisë sonë dhe të qytetarëve shqiptarë për t’u integruar sa më parë në Europë”, - theksoi Balla.
Zgjidhja
Duke iu referuar Rezolutës së PE-së, Balla theksoi se zgjidhja e krizës politike 12-mujore arrihet duke ngritur vetëm komisionin e ri hetimor, i cili duhet të ketë shumicën nga opozita. Ai theksoi se zgjidhja e krizës politike përmes hetimit dhe bërjes së transparencës se zgjedhjeve të kaluara nuk ka si qëllim të ndryshojë rezultatin, as për të rinumëruar votat, por për të kuptuar qartë manipulimet që kanë ndodhur më 28 qershor, në mënyrë që zgjedhjet e reja të mos vdesin nga e njëjta sëmundje e zgjedhjeve të fundit.
“Rezoluta, jo vetëm që thekson domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës, por jep dhe mënyrën se si zgjidhet kriza. Zgjidhja e krizës politike, e propozuar nga Parlamenti Europian, nis me krijimin e një komisioni hetimor parlamentar të kryesuar nga opozita dhe me shumicë të anëtarëve të zgjedhur nga opozita. Mashtrimi e Saliut, që pretendon t’i japë shumicën në komision opozitës duke tërhequr, kur ai dëshiron, 2 anëtarë të maxhorancës nga komisioni, është një formulë e dështuar, së cilës Parlamenti Europian nuk i beson”, - tha Balla.
Topi: “Vlerësoj procedurat rigoroze të Parlamentit për votimin e kandidatëve për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vlerësuar procedurat e reja të Parlamentit për votimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Kështu, presidenti Topi, si herët e tjera, nuk ka preferuar rrëzimin nga Parlamenti të dy kandidatëve deri tani, njëri për Gjykatën Kushtetuese dhe së fundi për Gjykatën e Lartë.
“Dua të përgëzoj që është rritur ndjeshmëria për të përmirësuar metodologjinë e dëgjimit, të transparencës së kandidaturave dhe të vlerësimit. Dhe, në sajë të përmirësimit të kësaj metodologjie, është bërë e mundur që dy kandidaturat, të cilat ishin rrëzuar dy vite më parë, të rivlerësohen nga Kuvendi dhe të marrin votën e Kuvendit”, - tha Topi. Megjithatë, një pakënaqësi për rrëzimin e dy kandidatëve duket se është e pranishme te presidenti Topi, i cili ka paralajmëruar se me procedura të ngjashme do të shqyrtojë kandidaturat që i vijnë nga pushtetet e tjera. Përsa i përket pushtetit ekzekutiv, rastet që i propozohen për emërim Presidentit janë kryeministri nga partia që del e para në zgjedhje, ose emërimi i ministrave, propozim që i vjen nga kryeministri. “Ne duhet të marrim shembull si institucione nga njëri-tjetri. Në rast se Kuvendi, me të drejtë, ka rritur rigorozitetin në kontrollin e kandidaturave, kjo vlen dhe për institucionin e Presidentit, që duhet ta përmirësojë, të vendosë kritere shumë më rigoroze për të gjitha kandidaturat dhe propozimet që vijnë nga pushtetet e tjera. Pra, kjo është historia e pushteteve në një vend demokratik, ‘check and balance’, shikojnë njëri-tjetrin, kontrollojnë njëri-tjetrin dhe punojnë për demokracinë”, - u shpreh Topi.
Me këtë qëndrim, presidenti Topi duket se i ka atribuuar vetes të drejtën për të vepruar si pushtet në një kohë kur Kushtetuta njeh si të tillë vetëm Legjislativin, Ekzekutivin dhe Gjyqësorin. Megjithatë, kjo deklaratë e Topit, një nga më interesantet, në raport me Ekzekutivin, gjatë këtyre tre vjetëve të ushtrimit të mandatit presidencial, mund të çojë në një debat të ri institucional dhe kushtetues për kompetencat formale dhe substanciale të Presidentit, i cili është i vetmi institucion kushtetues në vend që funksionon prej 12 vjetësh, qëkur është miratuar Kushtetuta pa ligjin e vet organik.
Imeraj: “Ministri Prifti e shton pasurinë me 1.8 milionë euro në një vit krize për ekonominë”
Partia Socialiste deklaron se qeveritarët, në një kohë krize ekonomike, kanë shtuar pasuritë e tyre. Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, deklaroi se ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, e ka shtuar pasurinë e tij brenda 1 viti me 1,8 milionë euro.
“Nuk është vetëm një, por janë disa ministra, funksionarë të lartë dhe familjarë të anëtarëve të kabinetit të Sali Berishës që vetëm gjatë vitit të fundit e kanë shtuar disa herë pasurinë e tyre. Ndërkohë që për shqiptarët viti i fundit ka qenë viti i varfërimit, për Dritan Priftin ka qenë viti ku pasuria e tij është shtuar me 1,8 milion euro”, - deklaroi Imeraj.
Ajo shtron pikëpyetje për shtimin e pasurisë së ministrit të kabinetit të kryeministrit Sali Berisha në një kohë kur të gjithë qytetarët shqiptarë i kanë ndjerë mbi kurriz pasojat e krizës ekonomike. “Çfarë është ky ministër që brenda 1 viti e shton pasurinë në mënyrë të pakuptueshme, ndërkohë që shqiptarët, të cilëve ai duhet t’u shërbente, janë varfëruar dhe përballen me rritje të paimagjinueshme çmimesh? Si mund të justifikohen këta njerëz, të cilët shfrytëzojnë postin dhe detyrën jo për të bërë punë për shqiptarët, por për të abuzuar dhe për të mbushur xhepat e tyre, si në rastin e ministrit Prifti me plot 1,8 milionë euro? Dhe çfarë është më e tmerrshmja, se këta njerëz as që e marrin mundimin t’i paguajnë detyrimet e taksave shtetit që ata vetë drejtojnë”, - u shpreh Imeraj.
12 Korrik 2010