Ligjet me 84 vota rrezikojnë të kalojnë në sesionin e ri parlamentar
Eljona Ballhysa
Ligjet e rëndësishme që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash në Kuvend rrezikojnë të mos miratohet brenda këtij sesioni parlamentar, që i mbyll punimet më 22 korrik, kur do të mbahet seanca e fundit parlamentare. Brenda kësaj periudhe duket e pamundur që një sërë ligjesh, që “flenë” prej kohësh në sirtarët e Kuvendit, të shqyrtohen në komisionet parlamentare dhe më pas të marrin votën e të paktën 84 deputetëve në seancë parlamentare. Kjo për faktin se disa prej këtyre ligjeve kundërshtohen nga Partia Socialiste, e cila, me gjithë ftesën e Berishës për të hartuar amendamente, ende nuk ka sjellë një të tillë në Kuvend. Aq më tepër që socialistët kanë marrë vendim grupi për të mos miratuar asnjë ligj që kërkon shumicë të cilësuar votash para se të jetë zgjidhur përfundimisht kriza politike dhe të jenë përmbushur kërkesat e saj që lidhen me transparencën e plotë të procesit zgjedhor. Ndërkaq, në axhendën e Kuvendit mbetën pa u miratuar një sërë ligjesh që lidhen me reformën në Drejtësi, si dhe me ndryshimin e kodeve që në bazë të Kushtetutës duhen miratuar me 3/5 e votave të deputetëve në Kuvend.
Ligjet
Një ndër ligjet më të rëndësishme që mbetet ende pa u miratuar, megjithëse ka rreth një vit që është shqyrtuar në komisionet parlamentare, është ligji për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Administrative. Ky ligj është hartuar gjatë legjislaturës së kaluar me pjesëmarrjen e opozitës, por nuk është miratuar në seancë parlamentare. Mosmiratimi i këtij ligji mban peng ngritjen e gjykatës, e cila do të lehtësojë tej mase procedurat gjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative që kanë bizneset e ndryshme me shtetin. Miratimi i këtij projektligji është kusht i ndërkombëtarëve. Por, socialistët e kanë kundërshtuar miratimin e këtij projekti duke bërë të ditur se ai sjell ngritjen e një tjetër gjykate politike për të cilën nuk ka nevojë biznesi shqiptar. Ata kanë bërë të ditur se kanë disa amendamente për këtë projekt, por ende nuk kanë depozituar ndonjë draft në Kuvendin e Shqipërisë.
Një tjetër ligj i rëndësishëm që kërkon 84 vota është ai për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Projektligji në fjalë është hartuar nga ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare si EURALIUS, por në hartimin e tij nuk ka marrë pjesë opozita. Miratimi i këtij ligji do t’i japë zgjidhje një çështjeje të shumëdebatuar, siç është dualiteti i kompetencave të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Diskutimi i këtij projekti pritet të ndezë debatin për mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Projektligj i rëndësishëm dhe që kërkon 84 vota është edhe ai për funksionimin dhe vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë. Kjo gjykatë është lakuar dendur gjatë vitit të kaluar, fill pas përplasjes mes Presidencës dhe Kuvendit për mënyrën e emërimit të anëtarëve të kësaj gjykate. Megjithatë, gjatë këtij sesioni parlamentar maxhoranca gjeti një tjetër rrugë për të emëruar anëtarët e Gjykatës së Lartë duke bërë ndryshime të njëanshme në Rregulloren e Kuvendit dhe duke përcaktuar miratimin me votim të hapur të anëtarëve të institucioneve të pavarura, përfshirë këtu dhe Gjykatën e Lartë.
Një tjetër projektligj i rëndësishëm është ai për funksionimin e Konferencës Gjyqësore. Edhe për këtë çështje ka pasur debate mes numrit dy të KLD-së dhe kryetares së Kuvendit. Ndaj, miratimi i tij është lënë pa afat, pasi maxhoranca mendon se ky organ mund të mblidhet edhe pa këtë ligj. Burimet bëjnë të ditur se Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur një projektligj për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Edhe ky projektligj kërkon miratimin në Kuvend me 84 vota.
Draftet ligjore që kërkojnë miratimin me 84 vota janë: ligji për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, ligji për Kodin Penal, ligji për Kodin Hekurudhor, për Kodin Doganor, Kodin Ajror, Kodin Rrugor dhe Kodin Detar. Një tjetër projektligj i rikthyer nga legjislatura e kaluar është projektligji për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Ligjet
Ligji për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Administrative
Ligji për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Ligji për funksionimin dhe vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë
Ligji për funksionimin e Konferencës Gjyqësore
Ligji për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë
Ligji për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore
Ligji për Kodin Penal
Ligji për Kodin Hekurudhor
Ligji për Kodin Doganor
Ligji për Kodin Ajror
Ligji për Kodin Rrugor
Ligji për Kodin Detar.
Kushtetuta
Neni 81
2. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit:
a) ligji për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;
b) ligji për shtetësinë;
c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;
ç) ligji për referendumet;
d) kodet;
dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
e) ligji për statusin e funksionarëve publikë;
ë) ligji për amnistinë;
f) ligji për ndarjen administrative të Republikës.
Qëndrimi i PS-së:
Ruçi: “Pa u zgjidhur kriza, ne nuk i votojmë ligjet e rëndësishme”
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, bëri të ditur pak ditë më parë në seancë parlamentare qëndrimin e PS-së për të mos votuar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar deri në zgjidhjen e krizës politike. “Nga 22 apo 23 ligje që keni në axhendë, gati 10 apo 11 janë ligje kodesh që duan shumicë të cilësuar; që përsëri të çojnë te kryefjala që thashë që në fillim, që kërkohet një mirëkuptim, kërkohet një zgjidhje e krizës politike dhe kërkohet një marrëveshje e gjerë dhe e plotë, që ky institucion duhet të përmbushë misionin e tij jo me ngjyra partiake, por për t’i dhënë qëndrueshmëri, madje edhe institucione të qëndrueshme, të vërteta kushtetuese të këtij vendi. Unë përsëri ju bëj apel edhe në këtë seancë që ta gjykoni me gjakftohtësi, ta shikoni të vërtetën në sy. Këtu opozita nuk është garnitura e maxhorancës, që çfarëdo që ju të nisni, ta bitisni. Në këto kushte ne nuk mund të bëhemi bashkëfajtorë, bashkëpërgjegjës me këtë qëndrim”, - është shprehur Ruçi.
Konferenca e Kryetarëve përfshin në axhendë ligjet me 84 vota
Vetëm pak kohë më parë, Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare përfshiu në kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në fund të këtij sesioni parlamentar një sërë draftesh të trashëguara nga legjislatura e kaluar që duan një shumicë të cilësuar, pra dhe votat e opozitës. Ndër to disa kode si ai Rrugor, Civil dhe Penal, por dhe projektligji i shumëdebatuar i Gjykatës Administrative që prej më tepër se një viti qëndronte në sirtarët e Kuvendit në mungesë të votave të opozitës. Por, ndonëse do të jenë në tryezat e deputetëve për periudhën e mbetur, nuk dihet ende nëse socialistët do të tregohen të gatshëm të ofrojnë konsensusin për to.
12 Korrik 2010