E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e re, maxhoranca braktis Kuvendin, PS vetëm në Kuvend

SHKRUAN: Fejzi Braushi 04-03-2011 13:20

Zhvendosja e debatit të lirë në fund të seancës ka bërë që në sallë të mbeten vetëm deputetë e PS-së dhe pesë të maxhorancës. Tension dhe ilaritet në sallë

Ndryshimi i Rregullores, duke zhvendosur diskutimet e lira në fund të seancës plenare, jo vetëm që nuk ka çtensionuar debatin mes palëve, por ka pasur një efekt negativ, pasi i ka kthyer punimet e Kuvendit në qesharake. Dëshmi e kësaj ka qenë seanca e djeshme, ku si pasojë e akuzave të forta dhe reagimit të ashpër të opozitës, janë ndërprerë edhe punimet, si përpjekje për të shmangur përplasjet fizike mes deputetëve, ndërsa në fund mazhoranca ka “bojkotuar” diskutimet jashtë rendit të ditës, duke lënë sallën thuajse bosh.

Diskutimet

Ndërsa opozita u ngrit në këmbë, duke qëndruar para tavolinave të ministrave, për të kërkuar vijimin e diskutimit të projektligjeve, maxhoranca ka vijuar pa kokëçarje votimin e tyre. Menjëherë pas votimit, Kryetarja, Jozefina Topalli, ka njoftuar nisjen e pikës së fundit të përcaktuar në rendin e ditës, që ishin diskutimet e lira, duke ia lënë drejtimin e seancës nënkryetarit Ardian Turku. Një detyrë e vështirë kjo për Turkun, i cili është gjendur thuajse i vetëm përballë opozitës së kompaktësuar në sallë, pasi thuajse shumica dërmuese e deputetëve të maxhorancës janë larguar nga salla, duke injoruar në këtë mënyrë diskutimet e pritshme të homologëve të tyre të majtë. Nga e gjithë shumica qeverisëse, në sallë nuk ishin më shumë se 5 deputetë të djathtë, të cilët kishin regjistruar emrin për të marrë pjesë në diskutimet e lira, si dhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Kjo e ka bërë qesharake situatën, pasi për herë të parë në sallë krijohej mundësia që shumica të ishte jashtë sallës dhe opozita të vijonte diskutimet dhe kjo falë ndryshimeve të bëra në rregullore. “Nga maxhoranca, në sallë ndodhet vetëm garda”, – u shpreh me ironi deputeti Ahmetaj, duke iu referuar pikërisht situatës në sallë. Pavarësisht mungesës së të djathtëve, në sallë nuk kanë munguar momentet e vështira dhe kjo pas akuzave që ata bënë ndaj drejtuesve të shumicës, si përsa i përket vrasjes së 4 qytetarëve, në demonstratën e 21 Janarit, ashtu edhe për korrupsionin. “Të paktën 5 anëtarë të kabinetit qeveritar kanë hapur llogari bankare të dyshimta në Itali, Qipro dhe në Holandë. Disponohen shifra të sakta që shkojnë në miliona euro derdhje ilegale. Dy ministrat të kabineti miq me njëri- tjetrin kanë udhëtuar në datën 19 prill 2007, dhe kanë hapur llogari në dy sportele të bankave të Romës”, - tha Ilir Beqja. Por ndaj këtyre akuzave ka reaguar ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili i kujtoi Beqjes se ai është i vetmi deputet që nuk duhet të flasë për korrupsionin dhe afera të pista sepse mandatin e tij po e gjykon Gjykata Kushtetuese.

Replikat

Ndaj kësaj deklarate ka kërkuar sërish të replikojë deputeti Beqja, por nuk është lejuar nga drejtuesi i seancës Ardian Turku, çka ka sjellë dhe reagimin e fortë të deputetëve të opozitës, të cilët kanë ushtruar presion ndaj tij, që t’i jepte fjalën për replikë kolegut të tyre. Kjo ka bërë që Turkut t’i dalë situata nga kontrolli, ndërsa i ka dhënë fjalën për procedurë njërit deputet socialist pas tjetrit, pavarësisht udhëzimeve që këshilltarët juridikë kanë dhënë për të mos i lejuar ata që të flisnin. Për t’i dhënë fund kësaj situate qesharake, një prej deputetëve të djathtë ka kërkuar në emër të grupit parlamentar të PD-së ndërprerjen e seancës dhe vijimin e diskutimeve të enjten tjetër. Por këtë kërkesë, Turku se ka kuptuar si duhet dhe duke deklaruar se koha e diskutimeve të lira kishte mbaruar, ka ftuar nënkryetarin socialist të Kuvendit, Namik Dokle, të marrë drejtimin e seancës, çka ka sjellë dhe ilaritet në sallë nga ana e deputetëve të majtë. Por Turku ka mundur t’i japë fund kësaj gafe, falë ndërhyrjes së këshilltarëve, të cilët i kanë sugjeruar atij të mbyllë seancën, pa i lënë mundësi Dokles që të ulej në karrigen e drejtuesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›