Karta e Bolonjës, ndryshimet për diplomat e autonominë e universiteteve
Diploma që i përshtaten tregut të punës, autonomi të shkollave të larta dhe zhvillim të kërkimit shkencor. Këto janë sfidat më të mëdha, të cilat po realizon gradualisht vendi ynë duke implementuar kartën e Bolonjës. Dje, Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi Konferencën përmbyllëse të një raundi konferencash, të zhvilluara në të gjitha universitetet në vend mbi procesin e Bolonjës. Ajo u mbajt me praninë e ekspertëve shqiptarë dhe të huaj në ambientet e Universitetit “Aleksandër Mosiu”. “Vijon puna edhe për zbatimin e politikave që mundësojnë autonominë e universiteteve. Konferencat e organizuara deri më tani kanë provuar rëndësinë që ka procesi i Bolonjës dhe ciklet e tij studimore, në njohjen e tregut të punës e procesin e mësimdhënies, promovimin e rezultateve të pedagogëve dhe kërkimeve shkencore; si dhe rolin e studentëve në autonominë e universiteteve”, u shpreh zv.ministrja Nora Malaj. Përfaqësuesi i Akademisë gjermane DAAD, Jurgen Rohling nënvizoi bashkëpunimin e universiteteve gjermane dhe shqiptare në reformat që po kryhen në kuadër të procesit të Bolonjës. Tashmë, DAAD është pjesë e programeve të lëvizshme në rreth 200 universitete dhe 130 organizma studentore në vende të ndryshme të Evropës, ndërsa mbështetet nga projektet e ndryshme të Bankës Botërore dhe programet Erazmus, Atlantis. Ndërkaq specialistë të Bankës Botërore dhe përfaqësues të institucioneve arsimore në Shqipëri, si dhe rektorë të universiteteve publike e private në vend, diskutuan gjatë mbi të gjitha stadet dhe arritjet e deritanishme të procesit të Bolonjës, si dhe mbi programet e studimeve pasuniversitare. U theksua rëndësia e investimeve, sidomos në infrastrukturë dhe staf të përgatitur akademik.