E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: “Vizat, shqiptarët vazhdojnë të jenë më të persekutuarit”



Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar qeverinë dhe ministrin e Jashtëm për demagogji përsa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Balla tha se shqiptarët ende nuk kanë arritur të përfitojnë konkretisht nga marrëveshja për liberalizimin e vizave dhe, sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve dhe angazhimeve të qeverisë në këtë drejtim. “Jam plotësisht i habitur nga panorama aspak realiste qeveritare, e shprehur dje nga ministri i Jashtëm, sipas së cilës Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave po funksion.
Shqipëria mbetet një nga vendet e rajonit me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave, me një mesatare rreth 23% të totalit të aplikimeve, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 17%”, - tha Balla. Deputeti socialist u shpreh se pavarësisht deklaratave euforike të qeverisë dhe ministrit Basha, gjendja në terren vazhdon ende të jetë e vështirë, ku për fat të keq shqiptarët ende vazhdojnë të enden nëpër radhë konsullatash dhe ambasadash, ndërkohë që duhet të paraqesin edhe një listë të gjatë me dokumente. “Të gjithë ata qytetarë që përfshihen në kategoritë e veçanta të Marrëveshjes së Lehtësimit, mund të konfirmojnë se numri i dokumenteve jo vetëm që nuk është reduktuar, por në disa raste është shtuar. Koha e pajisjes me viza vazhdon të mbetet një problem dhe në disa raste tejkalon edhe periudhën për të cilën kërkohet viza”, - tha ai. Balla deklaroi se qeveria dhe ministri Basha, përpara se të mburren në publik, duhet të mendojnë për të përmbushur detyrimet dhe angazhimet e marra përpara partnerëve ndërkombëtarë.
“Më lejoni gjithashtu t’i kujtoj ministrit të Jashtëm detyrimet që ka qeveria ku ai bën pjesë dhe vonesat e pashpjegueshme lidhur me regjistrin kombëtar të shtetasve, kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, me ngritjen e Qendrës Kombëtare të Vizave, me ristrukturimin e hierarkisë së Policisë Kufitare, investimet në pajisje dhe infrastrukturë në pikat e kalimit kufitar, si dhe me adresimin e shpejtë të çështjeve që lidhen me emigracionin ilegal, politikave të azilit”, - deklaroi deputeti i PS-së, Taulant Balla.
Sh. Sulçe

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›