Berisha-Topit: Ligjet e mjedisit më të mirat, të thotë ç’të dojë Aleanca e Plehut
Kryeministri reagon për herë të parë pas kthimit të ligjit për importin e mbetjeve nga Presidenti. “Mjedisi është jeta dhe s’ka gjë më të rëndësishme se mbrojtja e tij, ajo që u bë me makinat do vazhdojë me plehrat”.
Në mbledhjen e qeverisë, ku shpalli si prioritet pastrimin e vendit nga plehrat, duke iu referuar posaçërisht lumit Shkumbin, si një nga më të ndoturit në vend, kryeministri Berisha reagoi ndaj kthimit të ligjit për mbetjet. “Qeveria ka kohë që merret periodikisht me këtë problem dhe do merret në mënyrën më intensive dhe përcaktohen të gjitha rregullat. Ligjet tona për mjedisin janë të standardeve më të mira, le të thotë ç’të dojë aleanca e plehut apo antiglobale. Mjedisi është jeta dhe s’ka gjë më të rëndësishme se mbrojtja e tij, ajo që u bë me makinat do vazhdojë me plehrat. Vendi do ketë fytyrë të re”. Kjo deklaratë e fortë vjen si reagim i parë i Kryeministrit lidhur me kthimin e ligjit për rishikim në Parlament.
Kryeministri iu referua specifikisht lumit Shkumbin, i cili është shndërruar në një depozitë gjigante, ku të gjithë qytetet dhe fshatrat përgjatë tij hedhin mbeturinat. Kryeministri kërkoi që t’i jepet fund kësaj praktike dhe komunat e bashkitë që shkarkojnë mbeturina në lumë të gjejnë vende të tjera depozitimi, përndryshe do të përballen me sanksione financiare.
Mbledhja e qeverisë është paraprirë nga një takim i kryetarëve të bashkive dhe komunave të rrethit Lushnjë, të cilët diskutuan pikërisht ndotjen skandaloze të lumit Shkumbin. Nga të pranishmit në këtë takim u diskutua gjatë sesi mund të ndalet masakra ekologjike e cila po shkatërron çdo ditë lumin Shkumbin dhe bregdetin e Divjakës. Në lumin Shkumbin, pranë urës së Rrogozhinës, hedhin mbeturina prej më shumë se 10 vitesh bashkia e Rrogozhinës, komuna Gosë, bashkia Kavajë etj. Më të prekurit nga kjo ndotje janë banorët e Çermës, pasi nga djegia e këtyre mbeturinave tymi mbulon të gjithë këtë zonë. Zëvendësministri i Mjedisit, Tauland Bino, tha se situata është vërtet alarmante në këtë pikë dhe paralajmëroi ndëshkimin e autoriteteve lokale që shkarkojnë mbeturinat në lumë. Pjesa më e madhe e mbeturinave të hedhura në këtë zonë përfundojnë në bregdet, duke ndotur në nivele shumë të mëdha edhe plazhin e Divjakës, i cili edhe pse pastrohet mbetet një nga më të ndoturit, si pasojë e mbeturinave që nxjerr deti.