DASH: Hetimet për Withers vazhdojnë, por ska abuzime
Drejtori i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore e Qendrore në Departamentin e Shtetit, Kris Hoh, thotë se ndonëse hetimet për akuzat e ngritura ndaj ambasadorit Uidhers vazhdojnë, nuk ka arsye të mendohet se ambasadori apo personeli i ambasadës të kenë bërë ndonjë shkelje. Në intervistën e dhënë për “Zërin e Amerikës”, Hoh thekson se ndër sfidat kryesore për Shqipërinë mbetet konsolidimi i reformave demokratike dhe respekti ndaj institucioneve të pavarura.
Kohët e fundit, një nga çështjet që ka tërhequr vëmendje në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës, është përfshirja e emrit të ambasadorit Xhon Uidhers në një tregti armësh që po hetohet për mashtrime dhe shpërdorime.Në çfarë pike ndodhet ky proces tani?
Sigurisht, mund të flas për disa gjëra, por nuk mund të hyj në disa hollësi të caktuara. Akuzat janë ngritur kundër një kompanie amerikane, për tregti të paligjshme armësh dhe ky proces po zhvillohet në gjykatat tona. Ky proces është i ndarë nga pyetja juaj, mbi veprimet e ambasadorit Uidhers dhe personelit të ambasadës. Hetimet që po zhvillohen janë pjesë e zakonshme e mbikëqyrjes që ka Kongresi mbi ekzekutivin, gjë që ne e marrin seriozisht, por që megjithatë është procedurë standarde për ne në Departamentit e Shtetit që t’i përgjigjemi një kërkese si asaj që erdhi nga komisioni i ligjvenësit Uaksman dhe ne e kemi bërë këtë. Po ashtu, është procedurë standarde që ne të zhvillojmë hetimet tona të brendshme dhe kjo po bëhet tani. Hetimet nuk kanë përfunduar ende, prandaj unë nuk mund të komentoj rreth hollësive të hetimeve të ligjvenësit Uaksman apo të Departamentit të Shtetit. Por ajo që mund të them është se ne nuk kemi njohuri për abuzim detyre, qoftë të ambasadorit Uidhers apo stafit të tij. Në fakt gjithçka tregon se ata kanë bërë bërë punë të mirë si në përgjithësi, edhe në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe kanë ndihmuar autoritetet në hetimin e çështjes së trafikimit të armëve.
Ju nuk mund të jepni hollësi të tjera meqë hetimet vazhdojnë, por sipas dokumenteve të komisionit të ligjvënësit Uaksman, ka disa komunikime të brendshme të ambasadës që tërhoqën vëmendjen e ligjvënësit, e kam fjalën për takimin e nëntorit, vonë në mbrëmje, mes ambasadorit dhe ministrit shqiptar të Mbrojtes, sipas të cilave ngjarjet nuk kanë ndodhur siç i mohon ato ambasadori tek intervista e tij e parë për këtë çështje, dhënë gazetës “Los Angeles Times”. A mund të flisni më gjatë për këto dokumente të brendshme të ambasadës?
Siç e thashë, unë nuk mund të komentoj rreth gjërave specifike që po hetohen tani, por mund të them se nga ç’kemi parë ne këtu, nuk ka arsye të mendojmë se ambasadori Uidhers të ketë shkelur rregullat apo që stafi i tij ta ketë bërë këtë.
Si do të zhvillohet procesi nga kjo pikë? Cilat janë fazat e mëtejshme të tij?
Kjo varet shumë nga ligjvënësi Uaksman. Në sistemin tonë të kontrollit të pushtetit, Kongresi luan rolin e vet të pavarur. Prandaj duhet ta pyesni vetë ligjvënësin për këtë. Mendoj se ai do t’i kërkojë ndoshta stafit të vazhdojnë hetimet. Nuk është e pazakontë që gjatë hetimeve të ketë histori që nuk përputhen me njëra- tjetrën. Pastaj ata do ta gjejnë të vërtetën dhe ne do presim përgjigjen e tyre.
Edhe një pyetje e fundit.Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Shqipërinë për t’u anëtarësuar në NATO, por në të njejtën kohë i kanë bërë thirrje vendit të përfundojë reformat. Cilat janë sipas jush, sfidat kryesore për Shqipërinë në të ardhmen?
Mendoj se sfidat janë në disa fusha. E para është anti-korrupsioni për të cilin sapo fola. Një tjetër është konsolidimi i reformave demokratike. Përpjekjet që po bëhen për kartat e identitetit, regjistrimin e votuesve, praktikat e votimeve dhe të gjitha këto, të organizohen më mirë për zgjedhjet e ardhshme. Këto janë të rëndësishme dhe mendoj se janë në rrugën e duhur dhe po ecin mirë, por megjithatë duhet vazhdueshmëri. Po ashtu, çështja e marrëdhënieve të institucioneve me njëra- tjetrën është shumë e rëndësishme. E thashë pak më parë se ne në Shtetet e Bashkuara kemi sistemin tonë të kontrollit dhe balancës së pushteteve. Profesionalizmi në prokurori, polici, në shërbimet e zbulimit është i rëndësishëm. Respekti ndaj institucionit të Presidentit, ndaj institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm, po ashtu është i rëndësishëm. Këto ditë pati lajme të mira, kur parlamenti miratoi emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kjo tregon, sipas mendimit tim, se kryeministri, parlamenti dhe presidenti gjetën një mënyrë për të bërë atë që i nevojitet vendit. Mendoj se ata e bënë këtë brenda rregullave të sistemit demokratik, sepse Shqipëria është ende demokraci e re, ende duke përcaktuar disa nga këto rregulla dhe praktika dhe kjo punë e mirë duhet vazhduar. Një sfidë tjetër,është edhe reforma ekonomike. Mendoj se në të gjitha këto fusha ka pasur përparim. Anëtarësimi në NATO nuk ndodh automatikisht dhe kur hyn në klubin e demokracive perëndimore, kërkesat janë më të larta. Prandaj përpjekjet duhet të vazhdojnë.