E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballafaqohen butë

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic e kursyen njëri – tjetrin nga akuzat personale gjatë debatit në New York, të martën. Ata vetëm përsëritën qëndrimet e njohura rreth statusit të Kosovës, derisa u shprehën të gatshëm për vazhdimin e dialogut. Shtetet anëtare të KS të OKB’së po ashtu kërkuan rifillimin e këtij procesi. Dacic tha se vendi i tij do t’i respektojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic nuk kanë shkëmbyer akuza të rënda në ballafaqimin e parë të martën, në mbledhjen e rregullt tremujore të Këshillit të Sigurimit të OKB’së për Kosovën.

Ata kanë lexuar fjalimet e përgatitura më herët dhe kanë përsëritur qëndrimet e tyre sa i përket Kosovës dhe zgjidhjes së problemeve që ekzistojnë mes dy shteteve.

Sikurse Dacic, edhe Kryeministri Thaçi kanë lexuar fjalimet para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, në gjuhët e tyre amtare.

Kryeministri Thaçi ka thënë se çështja e statusit dhe sovranitetit të Kosovës nuk do të diskutohet me asnjë shtet, derisa ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut politik për përmirësimin e raporteve shtetërore me Serbinë.

Në anën tjetër, Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka thënë se me Kosovën do të ketë dialog të ri për zgjidhjen e çështjes së statusit dhe se Beogradi asnjëherë nuk do ta njohë shtetin e krijuar në vitin 2008.

Edhe pse kohëve të fundit janë paralajmëruar takime mes dy vendeve, të nivelit të lartë, Thaçi dhe Dacic nuk ia kanë shtrënguar duart njëri – tjetrit pas mbledhjes së KS të OKB’së.

Duke prezantuar raportin tremujor të Misionit të OKB’së në Kosovë, udhëheqësi i UNMIK’ut, Farid Zarif ka bërë thirrje për një angazhim më të madh të komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur çështjet e hapura, sidomos atë të Veriut të Mitrovicës.

Por, kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi ka thënë se çështja e Veriut do të diskutohet me banorët lokalë dhe se nuk do të ketë diskutime të reja për statusin e asnjë pjese të Kosovës.

“Statusi i Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008. Shtetësia e Kosovës është fakt politik dhe juridik”, ka thënë Thaçi, në paraqitjen e parë para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB’së.

“Ne jemi kundër idesë së ndarjes, ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka nisur hapat e parë drejt integrimit të Veriut.

“Këtë vit unë kam paralajmëruar fillimin e dialogut të brendshëm mes Qeverisë sime dhe serbëve të Kosovës në komunat veriore, për të diskutuar situatën ekzistuese atje. Ne tashmë kemi zhvilluar një plan si të integrojmë këtë pjesë me pjesën tjetër të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës ka prezantuar gjendjen në Kosovë në muajt e fund dhe ka shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Pra, dua të ritheksoj dhe të jem shumë i qartë se përderisa ne jemi të përkushtuar ndaj dialogut, në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës kurrë nuk do ta diskutojmë”, ka shtuar ai.

Edhe Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic është shprehur pro dialogut, por jo për përmirësimin e raporteve me Kosovën, por për statusin e saj.

“Statusi i Kosovës mbetet i pazgjidhur”, ka thënë Dacic.

Ai ka përsëritur se Serbia kurrë nuk do ta njohë shtetin e Kosovës.

“Zgjidhja e statusit final të Kosovës do të jetë njëri nga prioritetet kryesore të Qeverisë sime. Jemi të gatshëm që, përmes dialogut dhe bisedimeve, të arrijmë te një zgjidhje e qëndrueshme dhe paqësore, duke marrë parasysh interesat e ligjshme, edhe të shqiptarëve, edhe të serbëve, edhe të të gjithë popujve të tjerë që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Dacic.

Ky zyrtar i Serbisë ka thënë se ka ardhur koha që Prishtina të mos jetë në pozicionin që vetëm të përfitojë, por edhe të japë në procesin e dialogut të ri në nivel të lartë.

“Ndonëse dialogu teknik duhet të vazhdojë, ai nuk është i mjaftueshëm. Serbia është e gatshme për dialog të nivelit të lartë. Nuk mund të shmangen bisedimet për asnjë çështje të pazgjidhur”, ka shtuar ai.

Por, Hashim Thaçi ka thënë se Prishtina nuk do të bisedojë për asnjë çështje me Serbinë, pa u zbatuar shtatë marrëveshjet e arritura në dialogun në Bruksel.

Ai është ndalur veçanërisht te Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, e cila zbatohet vetëm nga shtete që e njohin njëra – tjetrën.

“Ne besojmë se progresi i vërtetë i dialogut qëndron në zbatimin e plotë të marrëveshjeve dhe kjo është arsyeja përse Republika e Kosovës ka dëshmuar të jetë konstruktive dhe efektive në arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve”, është shprehur Thaçi.

Ndryshe, të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB’së që kanë marrë fjalën dhe kanë komentuar raportin e Shefit të UNMIK’ut në Kosovë dhe kanë kërkuar dialog mes Prishtinës dhe Beogradit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Afrika e Jugut, Togoja dhe vendet e tjera kanë kërkuar të zbatohen edhe marrëveshjet e arritura dhe të adresohen në dialogun e ri problemet e mbetura mes dy vendeve.

Në fjalimet e ambasadorëve të vendeve që janë pjesë e OKB’së, janë përmendur hetimet që janë duke u zhvilluar për trafikim të qenieve njerëzore gjatë kohës së luftës në Kosovë, kthimin e të shpërngulurve dhe përmirësimin e sigurisë në Veri të Kosovës, për EULEX’in dhe KFOR’in.

Përfaqësuesja e SHBA’së në OKB, Rosemary Di Carlo ka kërkuar të çmontohen strukturat paralele të Serbisë në Veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së IBM’it.

Ajo ka thënë se duhet të ndalen kërcënimet e ekstremistëve serbë në Veri ndaj forcave të EULEX’it dhe KFOR’it.

Sipas saj, Kosova ka arritur progres dhe për këtë po ndodh edhe përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë.

Vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si Rusia, Kina, Maroku, India e shtete të tjera kanë vazhduar të kërkojnë zbatimin e Rezolutës 1244 për zgjidhjen e çfarëdo problemi mes Prishtinës dhe Beogradit.

Madje, përfaqësuesi i Rusisë në OKB ka kërkuar përfshirjen e Kombeve të Bashkuara në dialogun e ardhshëm mes dy vendeve.

Ambasadorët e shteteve që janë në OKB kanë përshëndetur mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, hetimin e dyshimeve të paraqitura në Raportin e Dick Martyt, hetimin e krimeve ndëretnike dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Raportet tremujore të OKB’së vazhdojnë të prezantohen në Këshillin e Sigurimit prej vitit 1999, kur bashkësia ndërkombëtare kishte ndërhyrë në Kosovë për të ndalur luftën mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse Kosova e ka shpallur pavarësinë më 2008, ajo nuk bën pjesë në OKB pasi ende vazhdon kundërshtimi i dy anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit – Rusisë dhe Kinës.

Deri më tash, Kosovën e kanë njohur 92 shtete, duke përfshirë SHBA’në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›