E Shtunë, 31 Tetor 2026

Le të hyjë Blerimi

Vetëvendosja i ka kërkuar AAK’së që të mos hyjë në Qeveri me PDK’në. Glauk Konjufca ka ironizuar me Blerim Shalën duke thënë se ai mund të bëhet vetë pjesë e koalicionit nëse do. Zyrtarë të Vetëvendosjes po ashtu kanë akuzuar Kryeministrin Thaçi se po planifikon takim me Kryeministrin serb, Ivica Dacic.

Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur skeptikë se në shtator do të përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës.

Sipas Nënkryetarit të këtij subjekti politik, Shpend Ahmeti, në Kosovë do të fillojë një mision i ri dhe me koncesione të reja.

Ai vlerësoi se Qeveria aktuale e pranon dialogun, sepse vetëm nëpërmjet tij mbetet në pushtet, ndërsa Serbia nëpërmjet dialog bëhet vazhdimisht “faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, duke ia rritur çmimin vetes.

“Kryeministri po përgatitet për një takim me Dacicin. Pra, dorën e djathtë të Milosevicit, i cili ka qenë pjesë e planeve të Milosevicit për të shpërngulur dhe vrarë shqiptarët. E, edhe në këtë rast, Serbia po thotë se nuk do të takohet me Kryeministrin e Kosovës. Por, Kryeministri i Republikës së Kosovës po ngutet për të deklaruar se do ta takojë cilindo nga Serbia. E këtë, për asgjë tjetër, veç për të mbetur në pushtet. Nga kjo Qeveri dhe ky Kryeministër, vështirë që do të ketë përfitime. Në fakt, kemi pasur dhe do të kemi vetëm humbje”, u shpreh ndër të tjera Ahmeti.

Ndërkaq, Glauk Konjufca në këtë konferencë për media i bëri thirrje AAK’së që të mos hyjë në koalicion, duke shtuar se, “Blerim Shala mund të hyjë vetëm në këtë koalicion nëse ai është i interesuar për këtë”.

“... Duket që subjekti politik më i interesuar për të hyrë në këtë valle të turpshme të Qeverisë është AAK’ja. Ose, më saktë, jo AAK’ja, por Nënkryetari i saj, Blerim Shala. Blerim Shala njihet si njeri i negociatave. Angazhimi i tij kryesor politik kanë qenë negociatat. Por ne i lutemi Blerim Shalës, që nëse ai është që t’iu bashkëngjitet pazareve të Qeverisë me Serbinë për Veriun, le të shkoje atje i vetëm, por jo për dore me AAK’në. Lëvizja Vetëvendosje i inkurajon zërat alternativë brenda AAK’së që janë kundër bisedimeve për Veriun dhe kundër një koalicioni me këtë Qeveri të korruptuar. Dhe shpresojmë shumë që vullneti personal i zotërisë Shala të mos jetë qëndrimi zyrtar i AAK’së”, ka thënë Konjufca.

Konjufca më tej ka folur edhe për gjendjen në Luginën e Preshevës duke thënë se tha se politikanët atje duhet ta organizojnë dhe aktivizojnë popullin shqiptar.

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria, si shtete, duhet të angazhohen pa kursim e pa pushim për të gjithë kombin shqiptar, duke përfshirë këtu edhe ata të Luginës së Preshevës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›