Thaçi: Dialog me Serbinë, por nuk e diskutojmë shtetësinë

“Statusi i Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt të 2008-ës”, ka thënë në fjalimin e tij para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeministri Thaçi.
“Dua të theksoj dhe të jem i qartë se ne jemi të përkushtuar për dialogun, por në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk diskutojmë shtetësinë e Kosovës", ka thënë kryeministri Thaçi.
Ai ka vënë në pah se Serbia vazhdon të pengojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërsa ka theksuar nevojën e tërheqjes së forcave paralele serbe të sigurisë dhe strukturave të tjera nga pjesa veriore e Kosovës.
Daçiq: S'mundet që Serbia gjithnjë të japë, e Kosova të marrë
Këshilli i Sigurimit ka nisur diskutimin e rregullt për Kosovën, ku po shqyrtohet raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, u cili ndër të tjera është fokusuar në çështjen e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë për Kosovën, në problemet në veri të vendit dhe në dialogun Prishtinë-Beograd.
Në këtë kuadër, shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif në adresimin e tij para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ka bërë thirrje për një angazhim urgjent më të madh të komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur çështjet e hapura, në veçanti atë në veri të vendit.
Ai ka thënë se për veriun, duhet pjekuri politike nga të gjitha palët, sikurse edhe një angazhim më të madh të komunitetit ndërkombëtar.
Në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit po marrin pjesë edhe kryeministrat e Kosovës e të Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.
Ky i fundit ka thënë se qeveria e re e Serbisë është e gatshme që të rrisë nivelin e dialogut me Kosovën, për siç ka thënë “zgjidhjen përfundimtare të statusit përfundimtar të Kosovës”.
Ai ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka thënë se përveç vullnetit politik në këto negociata duhet që të ketë vullnet politik për kompromis, pasi sipas tij ”nuk mundet që gjithnjë Serbia të japë, e Kosova të marrë”.
Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën
Këshilli i Sigurimi po diskuton sot për zhvillimet në Kosovë në tremujorin e fundit, me ç'rast, është duke u prezantuar edhe raporti vlerësues i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon.
Në mbledhje po marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq.
Në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon mes tjerash thuhet se gjatë periudhës 16 prill - 15 korrik 2012, përgatitjet dhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale dhe procesi i formimit të Qeverisë në Serbi, ka çuar në një zbrazëti të vazhdueshme në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përderisa dallimet në interpretimin e marrëveshjeve të arritura më parë kanë krijuar tensione në rritje në terren.
Megjithëqë, vijon raporti, Qeveria e Serbisë është përmbajtur nga mbajtja e zgjedhjeve të saj lokale në Kosovë, komunat Zveçan dhe Zubin Potok, kanë vazhduar, pavarësisht vërejtjeve formale nga Beogradi, Prishtina dhe pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, me mbajtjen e zgjedhjeve të tyre të palejuara më 6 maj.
Në raport thuhet se veriu i Kosovës tash është i dominuar nga Partia Demokratike e Serbisë dhe Partia Progresive.
Në anën tjetër, rikujtohet se gjatë kësaj periudhe, autoritetet e Kosovës kanë vazhduar me përgatitjet, që ata i kanë përshkruar si “përfundim i mbikëqyrjes së pavarësisë”.
Në raport vlerësohet se situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e ndjeshme.
Tensionet shpërthyen kur KFOR-i ishte përpjekur ta largojë bllokadën e rrugës në komunën e Zveçanit.
Protestuesit lokalë dhunshëm u konfrontuan me KFOR-in, i cili u përgjigj me forcë. Rrjedhimisht, dy ushtarë të KFOR-it dhe pesë serbë të Kosovës morën plagë nga të shtënat.
Në kapitullin Observimet, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, pos tjerash, shkruan se me kënaqësi i shikon rezultatet konkrete që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit deri tash.
Megjithatë, “jam i shqetësuar me vështirësitë, në të cilat ka hasur implementimi i disa prej tyre”, thekson Ban Ki-moon.
Rrjedhimisht, ai i fton palët të demonstrojnë qëndrim konstruktiv në kapërcimin e problemeve të këtilla dhe u bën thirrje ndërmjetësuesve që t’i kushtojnë kujdes më të madh dhe burime detajizimit të çështjeve të implementimit.
Ban Ki-moon, në fund të raportit të tij të gjatë, i falënderon partnerët e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, KFOR-in, NATO-n, Bashkimin Evropian, OSBE-në dhe agjencitë e OKB-së, për mbështetjen e tyre dhe për bashkëpunimin me misionin e OKB-s në Kosovë, UNMIK.
Sesionet e tilla të Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë të rregullta dhe mbahen çdo tre muaj, që nga nxjerrja e Rezolutës 12 44 në qershor të vitit 1999, me të cilën Kosovë ishte vendosur nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.
Ndërkaq që nga shpallja e pavarësisë e kendej, këto sesione, sado që konsiderohen të rëndësishme, në Kosovë nuk kanë zgjuar interesimin e madh për shkak të zbehjes së dukshme të rolit të administratës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK.