Konjufca: Qëndrimi Blerim Shalës mos qoftë si i AAK'së

Sipas tyre, Qeverisë po i duhet një partner shtesë në mënyrë që ta forcojë koalicionin i cili do ta japë veriun e Kosovës, do ta shes PTK-në dhe Trepçën pas shitjes së distribucionit të KEK-ut, është që në këto plane ajo po synon ta ‘djegë’ AAK'në, siç e ka ‘djegur’ LDK'në më parë.
Glauk Konjufca ka thënë se ka ardhur koha që AAK-ja të del me një qëndrim zyrtar, duke shpresuar se qëndrimi i Blerim Shalës nuk është qëndrim edhe i partisë.
Sipas tij, nëse AAK-ja bashkohet me Qeverinë do të dal humbëse siç ka dal LDK-ja më herët, ngase sipas Konjufcës, kjo Qeveri është ajo që i mashtron subjektet e tjera, i shfrytëzon për qëllimet e veta dhe pastaj i prenë në besë.
“Deri sot, po duket që subjekti politik më i interesuar për të hyrë në këtë valle të turpshme të Qeverisë është AAK-ja. Ose, më saktë, jo AAK-ja, por nënkryetari i saj, Blerim Shala. Blerim Shala njihet si njeri i negociatave. Angazhimi i tij kryesor politik kanë qenë negociatat. Por ne i lutemi Blerim Shalës, që nëse ai është që t’i bashkëngjitet pazareve të Qeverisë me Serbinë për veriun, le të shkojë atje i vetëm, por jo përdore me AAK-në. Lëvizja Vetëvendosje i inkurajon zërat alternativë brenda AAK-së që janë kundër bisedimeve për veriun dhe kundër një koalicioni me këtë Qeveri të korruptuar dhe shpresojmë shumë që vullneti personal i zotërisë Shala të mos jetë qëndrimi zyrtar i AAK-së”, ka thënë ai.
Ndërsa nënkryetari i kësaj parti, Shpend Ahmeti ka thënë se kjo që po bëhet nuk është përmbyllje e mbikëqyrjes së pavarësisë, ngase sipas tij, të nesërmen Qeveria e vendit do të na qojnë në negociata me Beogradin.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk është për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë por përfundimin e vërtetë të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe jo vetëm këto festa, se po të përfundonte nuk do të kishte nevojë për festë por do të fillonin me punë. Do ta shihni edhe sa para do t’i shpenzojnë për koncerte e festë në Shesh. Do të sjellin këtu politikanë që do të na thotë se me të vërtetë jemi bërë shtet, e ditën e nesërme do të na qojnë prapë në negociata me Beogradin”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje thonë se Qeverisë i duhet një partner shtesë, në mënyrë që ta forcojë koalicionin i cili do ta japë veriun e Kosovës, duke ofruar autonomi të kontrolluar nga Beogradi si dhe për ta shitur PTK-në dhe Trepçën pas shitjes së distribucionit të KEK-ut.
Sipas Konjufcës, Qeveria ka plan që me një koalicion ‘ish UÇK’ t’i bëjë pazar ndërmarrjet më të mëdha publike të vendit.
“Partia në pushtet PDK nuk po mund t’i realizojë disa projekte shumë të dëmshme me një partner shumë të brishtë të koalicionit dhe me një numër të deputetëve të cilët janë në kufi të brishtësisë maksimale në Kuvendin e Kosovës. Vetëm tre apo katër deputet po ta ndryshonin mendjen do të vihej në pikëpyetje ky koalicion. Pra, qeverisë po i nevojitet forcimi i koalicionit përpara disa sfidave të tyre, që sfida janë për ta e për popullin e Kosovës janë vendime të dëmshme. Shitja e PTK-së një aset strategjik dhe profitabil që do ta shesin njëjtë sikur KEK-un, si dhe është dhënia me koncesion e Trepçës, plus kësaj do të shkojnë në negociata për veriun. Krejt këto nuk do të mund t’i bëjë kryeministri Hashim Thaçi i vetmuar, atij po i nevojitet një partner më i fuqishëm. Ai po konsideron se koalicioni më i fuqishëm do të ishte ai i ‘ish UÇK-së” së bashku me AAK dhe me të cilin ata do të krijonin një koalicion të aftë për këto vendime”, ka thënë Glauk Konjufca.
Vetëvendosje thonë se pa faktorizim vendas nuk ka zgjidhje të vërtetë dhe të drejtë për tema të rëndësishme të vendit siç veriu i vendit.