Ish-pronarët, Berisha: Brenda vitit, fondi nga privatizimet
Cfarë mbeti pa u shitur, viti 2010 është përcaktues për privatizimin e objekteve shtetërore, nga i cili përjashtohen vetëm shkollat, spitalet dhe digat dhe fondi i krijuar prej tyre do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve. Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me ministra dhe specialistë të fushës, lidhur me procesin e privatizimit të aseteve publike. Duke e cilësuar vitin e kaluar si tepër të suksesshëm në procesin e privatizimit të të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, Kryeministri Berisha kërkoi që të kompletohet procesi i privatizimin i të gjitha aseteve publike, duke synuar rritjen në një nivel të ri të menaxhimit të aseteve në Shqipëri. “Ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme”, - u shpreh Kryeministri. Më tej, z. Berisha u shpreh se vlerat e krijuara nga procesi i privatizimit do të jenë një mundësi më e madhe për qeverinë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë. Sipas Berishës, ky proces është i domosdoshëm dhe jetik, para së gjithash, për t’u ndarë me një zinxhir korrupsioni në sipërmarrjet publike, në sipërmarrjet ku shteti është aksioner dhe në tërë pronat që janë çerdhet e korrupsionit. “Në këtë proces ne synojmë të rrisim në një nivel të ri menaxhimin e aseteve në Shqipëri. Në Shqipëri dhe kudo, një nga qëllimet madhore të privatizimit është përmirësimi i menaxhimit. Pra, ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri vuri në dukje se armiku numër një i privatizimit është korrupsioni. Berisha pohoi se “ai përpiqet të bëjë çdo gjë për ta bllokuar atë, sepse status quo-ja u leverdis atyre, i mjelin si lopën dhe i fusin në xhepat e tyre aksionet publike të qeverisë apo sipërmarrjet e tjera më radhë. Armiku i dytë është burokracia jonë, e cila zvarrit këtë proces që duam të ecë me shpejtësi të madhe”. Berisha u bëri të qartë ministrave se privatizimi është një provë jashtëzakonisht e rëndësishme për administratat që ata drejtojnë. Ne, - tha ai, - jemi shumicë dhe kemi pushtetin për të marrë çdo vendim në interes të këtij procesi, për të thjeshtuar hallkat dhe procedurat në interesin më të mirë. “Natyrisht, vlerat e krijuara nga ky proces do të jenë një mundësi më e madhe e qeverisë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë”, - u shpreh z. Berisha.