E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza, bisedimet më 13, marrëveshja më 22 shkurt

Dita e shtunë është fillimi i zgjidhjes së ngërçit politik, që starton me takimin e dy kundërshtarëve politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama, në prani të moderatorit Bamir Topi. Pas këtij momenti, dialogimi do të vazhdojë përmes ekspertëve të të dyja palëve, ndërkohë që marrëveshja pozitë-opozitë që pritet të rikthejë të majtët në Kuvend do të firmoset në prani të përfaqësuesve të KE-së të cilët do të mbërrijnë në Tiranë në datën 22 shkurt. Burime pranë Presidentit bëjnë të ditur se këtë periudhë kohe ai po e shfrytëzon për konsultime të përditshme me faktorin ndërkombëtar, shtysa e fortë e realizimit të takimit Berisha-Rama, që duket se do të jenë në selinë e Presidencës ditën e shtunë të vetëm dhe pa përfaqësi politike. Burimet sqarojnë se pas këtij takimi që mendohet të jetë i shkurtër për mediat, nis puna e grupeve të ekspertëve, të cilët do të merren në mënyrë të drejtpërdrejtë me pikat që do të propozojnë palët në tavolinë. Ndonëse në datën 13 shkurt në orën 11:00, në godinën e Presidencës, Berisha dhe Rama do të ulen në të njëjtën tryezë nën moderimin e Bamir Topit, negociatat do të vijojnë më tej në nivel ekspertësh. Pas bisedimeve të së shtunës, që vetëm fillimisht do të jenë të hapura për mediat, dy liderët partiakë do të përcaktojnë emrat e të zgjedhurve të tyre për të vijuar tratativat. Propozimet pritet të zbardhen në datën 22 shkurt, datë kur është përcaktuar dhe mbërritja e delegacionit të Këshillit të Evropës. Delegacioni i përbërë nga zyrtarë të lartë të Strasburgut do të tentojë të arrijë një zgjidhje për krizën politike, zgjidhje e cila mund të mos vijë nga tryeza e Bamir Topit. Nga dy forcat kryesore politike konfirmohet se deri më tani nuk është përcaktuar asgjë, veç vullnetit të krerëve të tyre për t’u ulur për të biseduar tek Presidenti. Kreu i shtetit përcaktoi të shtunën si ditën kur Rama dhe Berisha do të ulen të bisedojnë në selinë e tij. Vendimi erdhi pas shumë konsultave me diplomatët në vend dhe pas miratimit telefonik të marrë nga dy kryetarët e partive, Berisha dhe Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›