I fuqishëm, përkohësisht
-490x320.jpg)
Shqyrtimi i parë i mandatit të Shefit të ICO’së, Pieter Feith, nuk ka ndryshuar gjë në kompetencat e tij ekzekutive që burojnë nga Plani i Martti Ahtisaarit.
Dy vjet pas fillimit të zbatimit të Planit për statusin, Grupi Mbikëqyrës Ndërkombëtar (ISG), i mbledhur të hënën në Vjenë në nivel të drejtorëve për Ballkanin, vlerëson se Feith duhet të ruajë të gjitha fuqitë ekzekutive edhe për një kohë të caktuar.
“Fuqitë ekzekutive të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar do të shqyrtohen në takimin e ISG’së pas gjashtë muajsh”, ka thënë një diplomat perëndimor për Express, të martën.
Grupi Mbikëqyrës, i përbërë nga përfaqësues të 25 shteteve, konsideron se kompetencat ekzekutive të Feithit mbesin pjesë e rëndësishme për mbikëqyrjen e zbatimit të Planit të Ahtisaarit.
Megjithëkëtë, ISG’ja ka bërë të qartë se roli i Shefit të ICO’së duhet të ndryshojë gjithnjë e më tepër nga përfshirja e drejtpërdrejtë dhe e përditshme në institucionet kosovare, në rol mbikëqyrës.
Kjo do të thotë se Zyra Civile Ndërkombëtare do të ketë më pak punë dhe rrjedhimisht do të ketë nevojë për më pak pjesëtarë.
“ICO’ja planifikon që gjatë muajve të ardhshëm të reduktojë stafin prej 10 deri në 15 për qind”, ka thënë zyrtari ndërkombëtar.
Zyra Civile Ndërkombëtare ka qenë pjesëmarrëse direkte në ndërtimin e secilit institucion shtetëror i paraparë me Planin e Ahtisaarit. Shumica e tyre tashmë janë vënë në jetë. Tani ICO’ja do të bëjë vetëm monitorimin e funksionimit të tyre deri në vendimet e ardhshme të Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar.
Reduktimi i kompetencave të Pieter Feithit dhe rolit të ICO’së është direkt i ndërlidhur me përparimet në Kosovë dhe funksionimin e institucioneve.
“Ndryshimi drejt rolit më të madh mbikëqyrës pasqyron progresin e arritur nga institucionet e Kosovës gjatë dy viteve të fundit”, ka thënë Andy Mcguffie, Zëdhënës i ICO’së, në një prononcim për Express, të martën.
Ai thotë se në fazën e re në të cilën ka hyrë ICO’ja, do të merret me monitorimin zbatimit të atyre ligjeve dhe punës së institucioneve për ndërtimin e të cilave ka qenë e përfshirë gjatë dy viteve të fundit.
“Për shembull, ne do të vëzhgojmë funksionimin e komunave të reja, komisionet parlamentare për mbikëqyrjen e sektorit të sigurisë si dhe respektimin e ligjeve që kanë të bëjnë me minoritetet”, ka thënë Mcguffie.
Ai shtoi se për të gjitha këto, por edhe për fusha të tjera të rëndësishme, ICO’ja do t’i raportojë Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar.
Mcguffie vlerëson se institucionet kosovare do të përfitojnë nga roli monitorues i ndërkombëtarëve.
“Ne besojmë se kjo gjithashtu do të ndihmojë punën e institucioneve të Kosovës për arritjen e një raporti më të mirë të progresit gjatë këtij viti. Detyrat kryesore që kanë të bëjnë me raportin e progresit siç është zgjedhja e gjykatësve, përmirësimi i prokurimit publik si dhe ruajtja e disiplinës fiskale do të jetë me interes edhe për ICO’në”, ka thënë Zëdhënësi i ICO’së.
Ndryshe, Pieter Feith, që së shpejti fillon vitin e tretë të punës në Kosovë, nuk ka përdorur asnjëherë kompetencat e tij ekzekutive. Ai ka të drejtë të shkarkojë secilin zyrtar të Kosovës që pengon zbatimin e Planit të Ahtisaarit.