Gjakova pret

Gjykata Kushtetuese ka dëgjuar të martën argumentet e palëve në kontest për procesin elektoral të Gjakovës, dy muaj pasi që autoritet e atjeshme lokale u certifikuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Para panelit të gjyqtarëve janë ulur ish-kandidatja e Koalicionit AKR-LDD për Kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari dhe Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta. Ndërkaq, KZAP’ja dhe AAK’ja, megjithëse të ftuar, nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë që drejtohej nga Kryetari Enver Hasani.
Pas dëgjimit të argumenteve, Kryetari Enver Hasani tha se vendimi do të merret së shpejti, duke zgjatur kështu pritjet e AKR’së, e cila i ka varur shpresat te Gjykata Kushtetuese për një duel mes kandidates së saj, Mimoza Kusarit dhe Pal Lekajt të AAK’së.
Mimoza Kusari e ka marrë fjalën e para.
Sipas saj, certifikimi i zgjedhjeve të Gjakovës ka qenë i paligjshëm.
“Mbesin prapa propozimit që kemi kërkuar anulimin e rezultateve të zgjedhjeve si dhe të rezultateve të certifikuara të Gjakovës”, ka kërkuare Kusari, e cila herë është përgjigjur në gjuhën shqipe, e herë në atë angleze.
Ajo tha se provë tjetër që dëshmon se KQZ’ja e ka shkelur ligjin kur iu ka vënë kapak zgjedhjeve në Gjakovë, është edhe procesverbali i ditës së certifikimit, ku konstatohet se nuk ka informacione nëse janë përfunduar të gjitha ankesat në Gjykatën Supreme.
“KQZ’ja merr vendim për certifikimin e zgjedhjeve në kundërshtim me Nenin 106, Pika 1 të Ligjit për Zgjedhje ku thuhet: KQZ’ja certifikon rezultatet pas përfundimit të të gjitha procedurat në vendvotime dhe në qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha vërejtjet që u përkasin hetimit dhe numrit janë vendosur nga KZAP’ja dhe nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ajo.
Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta është mundur të hedhë poshtë pretendimet e Zëvendëspresidentes së AKR’së.
“KQZ’ja nuk është e lidhur me afatet kohore, gjegjësisht nuk ka obligim që të presë vendimet e Gjykatës Supreme me rastin e vendosjes për certifikim”, ka thënë Lushta.
Për këtë ajo ka përmendur Nenin 106 të Ligjin për Zgjedhjet.
“Në bazë të këtij neni, KQZ’ja certifikon rezultate pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit si dhe të gjitha vërejtjet që u përkasin në qendrat e hetimit dhe numërimit në KAZP dhe Gjykatë Kushtetuese”.
Pas Lushtës, në këmbë është ngritur sërish Kusari.
“Vendimi i KQZ’së ka qenë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ky vendim është në kundërshtim me Nenin 32, 45 dhe 54 të Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Në fund, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka njoftuar se vendimi për Gjakovën do të merret së shpejti.
“Në ditët në vazhdim Sekretariati i Gjykatës Kushtetuese do të njoftojë me vendim për rastin e Gjakovës”, ka thënë ai.