E Diel, 1 Nëntor 2026

Balliu: Ju rrëfej bllokun komunist tek “Panteoni i zi”

 

Vetëm pak ditë më parë shtëpia botuese “Favre” botoi në gjuhën frënge, romanin “Panteoni i Zi” të shkrimtarit Fahri Balliu. Botim ky që ndjek librin paraardhës “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha”.
Në një intervistë për “Panorama” shkrimtari tregon se çdo të thotë për karrierën e tij letrare, një botim në gjuhën frënge.
Së fundmi, shtëpia botuese franko-zvicerane ka botuar romanin tuaj “Panteoni i Zi”. Ky është libri i dytë i juaji i botuar në frëngjisht. A është e njëjtë kënaqësia për ju, si shkrimtar?
Sigurisht, botimi i librave në frëngjisht është një kënaqësi, e cila vjen nga një burim i largët dëshirash dhe ambiciesh letrare, por midis botimit të librit “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” dhe librit “Panteoni i Zi”, i botuar me titullin në frëngjisht “Diktatura e shqisave”, ka një ndryshim. Libri i parë është një publicistikë pamfletiste, politike, në kufijtë e një monografie akuzuese. Aty është më shumë gazetari dhe politikani, pavarësisht se mjetet shprehëse janë të shkrimtarit, kurse “Panteoni i Zi” është një botim i mirëfilltë letrar dhe kjo është një ëndërr e vjetër dhe një arritje e veçantë për karrierën e shkrimtarëve.
Pse ju jep një kënaqësi të veçantë botimi i romanit në frëngjisht?
Kjo lidhet që me ëndrrat e para të rinisë letrare. Në rininë letrare studentore, si shkrimtar i ri, isha shumë i tërhequr pas letërsisë, prozës dhe poezisë frënge. Tërë ajo piramidë kulturore keopsiane e Francës ishte një magji. Emrat e Balzakut, Floberit, Dodesë, Rusoi, Montenji, Merimeja, Mopasani, Dymaja, e sa e sa të tjerë, përbënin një galeri shumëndjellëse për aspiratën letrare. Atë kohë dhe ato vite, izolimi i thellë i vendit e kishte letërsinë dhe kulturën të vetmin shteg arratisjeje dhe shprese. Sigurisht, duke u pjekur, e merr të plotë informacionin pastaj, se Parisi është kryeqytet i kulturës botërore dhe natyrisht që duhen edhe detaje apo fakte pak më tokësore për ta bërë ëndrrën të kapshme dhe shpresëdhënëse. Dhe ky ishte shembulli i Kadaresë, një shkrimtar i përmasave botërore, që mori i pari linjën letrare Tiranë-Paris. Dhe e mori me një dinjitet shumë të lartë dhe sigurisht, ai u dha gjithë shkrimtarëve shqiptarë një ëndërr suksesi. Kadareja është ëndërr suksesi për gjithë inteligjencën shqiptare, për të gjithë qytetërimin modern shqiptar, madje ai qëndron për dekada të tëra në trajektoren më të rëndësishme historike të vlerave tona kombëtare. Kështu që ai e zbriti në tokë mundësinë e botimit në Paris.
Është shumë e gjatë kjo rrugë?
Është shumë e gjatë. Në Paris po të nisesh në mëngjes nga Tirana, mbërrin në orën 9 e 10 me avion, por po të nisesh letrarisht, do një mundim sizifian. Shtëpitë botuese frankofone kanë një trafik qarkullimi titujsh që është i papërfytyrueshëm dhe në këtë trafik ka edhe aksidente, por ka një perfeksion të mbrojtjes së vlerave, të nuhatjes, identifikimit dhe publikimit të tyre. Në këtë kuptim, talentet apo vlerat e veprave të tyre marrin atje një certifikim serioz. Është kjo arsyeja që botimi i një vepre, letrare, publicistike, artistike, kur e çan rrugën drejt gjuhëve të mëdha të kulturës, është një ngjarje e madhe, jo vetëm për autorin, por është shprehëse e vlerave të një shoqërie, nga e cila del vepra. E përsëris, rruga është e gjatë, e mundimshme, e ka brenda tërë luftën njerëzore për të mbërritur suksesin, nuk mungojnë përplasjet, xhelozitë, ambiciet, sulmet, por nuk mungojnë edhe miqtë.
Çfarë nënkuptoni me “nuk mungojnë edhe miqtë”?
Shiko, shkrimtarët kanë një komunitet ku është shumë zor të mohosh ulje-ngritjet e humoreve të zilisë, por shkrimtarët dhe në mesin e shkrimtarëve shqiptarë, ka pasur dhe ka njerëz të cilët përkulen me nderim ndaj vlerave, pavarësisht se tek kush shfaqen ato. Dhe, zakonisht, sa më të talentuar të jenë shkrimtarët, aq më të gjerë janë, aq më të mirë janë. Rruga e botimit në frëngjisht ka planin e thelbit të vlerave, por ka edhe planin teknik, njerëzor, intelektual, human, para leximit të veprës. Dhe ky proces pa ndihmën e miqve dhe të shokëve është shumë i vështirë. Në rastin tim, unë kam mirënjohje të thellë për Kadarenë, i cili bëri parathënien e librit “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” dhe ajo kishte një fuqi rekomanduese serioze për botuesit. Unë dua të mbetet e fiksuar, e shkruar shprehja që “pa këtë Zonja e Zezë nuk do t’i çante ujërat e dallgëta fortunale, nëpër trafikun e botimit”. Kadareja është shquar për përpjekjet e tij në vlerësimin e letrarëve shqiptarë. Ai nuk ka hezituar kurrë të shprehet për poetë, prozatorë dhe t’i ndihi ata në guximin dhe shpresën e suksesit ndërkombëtar. Kadareja e qëmton një lajm të mirë nga Shqipëria dhe e vë në pah atë. Dhe kur themi nga Shqipëria, themi nga e gjithë bota shqiptare e Ballkanit.
Cili ka qenë mekanizmi, si e shkruat “Panteonin e Zi”?
Suksesi im letrar si novelist, tregimtar dhe dramaturg, përkon shumë midis viteve ‘80-‘90, si kohë. Kjo ishte periudha e një pjekurie letrare e politike, ishte periudha e përplasjes me muret e shtetit, përplasja me censurën, sidomos në rastet e romanit tim “Arkitekti” apo dramave “Tokë e Ndezur”, “Shtegu i Zënë” apo “Kyçi i artë”. Veçanërisht, ky profesioni i gazetarit akumulonte një informacion special dhe një njohje të thellë të ingranazhit politik të kohës. Të gjitha këto, tek shkrimtari krijojnë tension dhe presion, për t’i shtyrë ato muret kufizues. Natyrisht, nuk i mbërrin t’i zgjidhësh të gjitha enigmat, por gjithsesi vihesh në kërkim dhe opozitë, qoftë përmes figurës letrare, subjekteve apo ideve të veprave që do të shkruash. Nga pikëpamja thjesht gjeografiko-fizike, enigma që gjithë shkrimtarët e brezit tim kërkonin të zbërthenin ishte i ashtuquajturi “Blloku i Udhëheqjes”, i cili ruhej me gardë ushtarake, shërbim sekret e polici. Dhe prej andej nuk dilte asgjë, veç dihej se atje vendosej çdo gjë. Në këtë kuptim, joshja ishte shumë e madhe. Prej aty dilnin verdiktet e fatit të shqiptarëve dhe veçanërisht dhe të njerëzve që kishin një emër. Ky oborr obskurant, enigmatik, ziente brenda, si kazan, prej emërtimit të vlerave dhe banalitetit, prej intrigave familjare që paraqiteshin shpesh si konflikte politike. Dihet, ky ishte një oborr feudal, primitiv, mesjetar, që në mes të Evropës vendoste se kush është armiku dhe kush është heroi. Dhe për më tepër, e xhelozonte të gjithë jetën e shqiptarëve me luksin e vet, me kuotat ekonomike të asaj kohe. Tani, drejt kësaj enigme mund të shkojë si zvarranik, si shërbëtor ose si akuzues. Por gjithsesi, informacioni ishte me pikatore, ndërkaq thelbi po lexohej përherë e më shumë, që prej aty nuk dilte asnjë vlerë intelektuale. Oborret mbretërore nxirrnin shkrimtarë, filozofë, piktorë e muzikantë, kurse ky oborr funksiononte mbi bazën e mekanizmit vrastar të vlerave. Kadareja rrezikohej prej atij oborri, dhjetëra shkrimtarë, piktorë e poetë, si Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, këngëtari Sherif Merdani, Llukë Kaçaj i famshëm, regjisori Mihallaq Luarasi, piktori i famshëm Ali Oseku, e sa e sa të tjerë, u ishte prerë jeta nga ky oborr. Dhe vetë ky s’prodhonte asgjë, megjithëse gëlltiste gjithë Shqipërinë, prodhonte një mediokritet e vanitet, ca “heronj” komikë, minatorë, shoferë, mjelëse lopësh, kështu që shkrimtari - jo vetëm unë, por të gjithë - filluan ta gërvishnin me thonjtë e letërsisë, ta çirrnin sa të mundnin dhe në ndërgjegjen njerëzore dhe letrare të shkrimtarit, faktet e detajet arkivohen. Dhe ato shpërthejnë në çastin e parë të lirisë, por nga ana tjetër edhe përmbyllen, plotësohen, zbardhen... Kështu që në këtë rrugë lindi subjekti i romanit “Panteoni i Zi”, që në frëngjisht, duke zbërthyer thelbin e tij, botuesi e ka titulluar “Diktatura e shqisave”. Sepse diktatura i kontrollonte shqisat - siç e kam thënë herë tjetër - edhe në dhomat e gjumit. Tabloja e personazheve në këtë qerthull tragjik është shumë joshëse dhe kjo shpjegon pastaj edhe suksesin e librit. Romani është joshës.
Cila është rruga letrare, kurba e botimeve, deri tek romani “Panteoni i Zi”, apo edhe romani paraardhës “Arkitekti”?
Fillimet e mia letrare janë që në fëmijëri. Botimin e parë unë e kam në klasën e katërt, në gazetën e asaj kohe “Pionieri”, krijimtari që ia kushtoja atdheut tim. Këtë botim e çoi në gazetë mësuesja ime Vita Gusho, e cila ishte e ëma e Elena Kadaresë. Vetë Elena ishte në hapat e krijimtarisë dhe të lidhjes së saj me Ismailin. Pas kësaj, duke u rritur, në klasën e shtatë ose të tetë, provova pas leximesh të shumta, marramendëse, të shpërtheja me një roman, tek i cili kisha parimin kryesor që të ishte i gjatë, krejt si Konte i Montekristos, dhe futa aty gjithë marrëzirat e fantazisë së një fëmije, të përthyer nga leximet e shumta dhe pa kriter. Romani kishte shumë dialog, që të zgjateshin faqet dhe ishte i shkruar në një fletore që vlente për plan-konspektet e zborit. Pasi u shkarravitën nja 4-5 fletore dhe një ditë prej ditësh, bashkë me një shokun tim të klasës, Roland Suvarija, u nisëm për në Tiranë, ilegalisht, që të takonim vetë zotin Kadare. Me 70 lekë të vjetra, hipëm në një vagon treni me qymyr, pasi i prishëm këto lekë me qahi dhe qofte, shkaktuam në Elbasan një alarm të madh, me mungesën tonë. Në darkë na iku edhe treni i kthimit dhe e gdhimë natën tek Pallati i Kulturës, me fletoret nën sqetull, ku një plak i vjetër - roja e pallatit - na ofroi pak bukë dhe të nesërmen në mëngjes, të katandisur për faqe të zezë, gjetëm stacionin e trenit dhe vajtëm deri tek kryetarja e trenit dhe i rrëfyem se ishim dy fëmijë nga Elbasani, që s’kishim lekë për biletë. Ajo lajmëroi një polic dhe ne i treguam policit fletoret me “romanin”. Polici dhe kryetarja e trenit e panë të arsyeshme dhe na futën tek dhoma e kryetares së trenit dhe kur zbritëm në Elbasan, polici na dorëzoi tek drejtori i stacionit, të cilit i rrëfyem gjithashtu historinë se si donim ta takonim Ismail Kadarenë, se si nuk e takuam... Dhe përfundimisht na lanë të lirë, vajtëm në një shtëpi, ku nuk na trajtuan me shumë dashuri, por e gjithë shkolla u mbush me historinë se si romani ishte pëlqyer shumë, pavarësisht se disave u thoshim se e takuam shkrimtarin e disa se s’e takuam dot. Gjithsesi, mbanim një si sekret të madh... Kur i lexoj sot ato shënime, qesh sigurisht, por e ndjej se zelli, vullneti dhe këmbëngulja në këtë rrugë të mundimshme kanë qenë të thella. Kjo bëri që librin e parë me tregime ta botoj maturant, dhe sot e kuptoj profesionalisht se ai ka qenë një hap i pazakontë. Qoftë tregimi që paralajmëroi këtë libër dhe çmimi kombëtar që ai mori, qoftë vetë libri u prit me jehonë të madhe nga kritika. Është për këtë një artikull i studiuesit të shquar Dhimitër Shuteriqi, i cili e titullon artikullin “Një tregimtar i ri po na vjen”. Ai artikull më bën të kem një mirënjohje të madhe për Shuteriqin, sepse në atë kohë, artikulli dhe libri shërbyen që të më jepej e drejta e studimit për gjuhë-letërsi, pasi, unë, me mesataren nuk e përfitoja atë, për shkak të notave të ulëta në matematikë. Pas botimit të librit të dytë, shkrojta dramën “Në prag të jetës”, dhe veçanërisht suksesin e arrita në dramën e dytë “Tokë e Ndezur”, me temën e Kosovës. Kjo dramë ka qenë kufiri vendimtar për të bashkuar talentin letrar me rrugën politike polemiste të gazetarit. Peripecitë e shkrimit dhe vënies në skenë të kësaj drame dhe jehona që ajo shkaktoi janë një subjekt romani, që mbase do ta shkruaj. Por po përmend vetëm një fjali që ma ka thënë në atë kohë një miku im, i cili u shpreh: “Ti ke hyrë në Kosovë, djalë. Harroje se do të të duan këtej e tutje qeveritarët”. Doli krejt e vërtetë, Kosova është pasqyra, është arkivi, thelbi, dëshmia e së vërtetës kriminale që përpiqet të mbajë mbyllur komunizmi. Kush do Kosovën dhe kush duhet prej saj është qytetar i rëndësishëm i botës shqiptare. Në gjithë këtë rrugë të gjatë letrare, ka shumë gravura përplasjesh, ndeshjesh, janë të gjithë personazhet, me të gjitha cilësitë njerëzore, por më fisniku, njeriu i artë nga shpirti dhe nga talenti, nga zelli dhe nga përpjekjet për të ndihmuar dhe dashur të tjerët shquhet Dhimitër Xhuvani. Të duash të tjerët dhe të punosh për të tjerët, për të pohuar vlerat e tyre është një mision që e kanë vetëm njerëzit e mëdhenj.
Çfarë jeni duke shkruar tani, zoti Balliu?
Tani jam duke shkruar një dramë për raportet dhe fatin e artistëve që u përplasën me diktaturën dhe u vranë prej saj. Në Shqipëri mungoi një katarsis, një gjykim juridik i thellë për periudhën komuniste. Madje, këtu kemi fenomene trishtuese, të cilat do t’i mposhtë vetëm zhvillimi dhe hegjemonizimi i faktorit shqiptar në Ballkan. Por gjithsesi, të vërtetat e pathëna e ngrenë temperaturën e shoqërisë, prandaj ato duhet të thuhen, jo të fshihen, aq më shumë akoma të deformohen dhe më zi akoma, të kenë kurajon të dalin në publik si falsifikime. Një subjekt tjetër që kam nëpër duar është drama që ka një artiste e viteve ’80, me fatin e saj me një martesë-monstër. Sigurisht, jam i përfshirë në ethet e një romani për të cilin punoj dhe mbaj shënime prej rreth gjysmës së jetës time. Sigurisht do të jetë emblema e krijimtarisë time. Pres gjithashtu, botime të tjera të këtyre veprave në gjuhët rumune, turke, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›