E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitalet të marrin frymë, nuk janë vende pelegrinazhi

 

zirina llambro

 Kështu i cilëson shefi i neurokirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza”. Mentor Petrela, vënien në zbatim të sistemit të referimit dhe nxitjen e edukimit të vazhdueshëm të mjekëve. Por ato do të mund të vihen plotësisht në jetë, vetëm nëse bashkëpunojnë të gjithë aktorët. Nëse ekziston vullneti i mjekëve, pacientëve dhe gjithë shoqërisë, atëherë nismat ministriale do të jenë edhe më shumë të adaptueshme.
Profesor që prej disa javësh, pacientët nuk lejohen më të vizitohen në spital nëse nuk kanë rekomandimin e mjekut të familjes, si e shihni këtë rikthim të sistemit të referimit pas kaq vitesh?
Ishte kthyer në domosdoshmëri dhe madje jemi të vonuar. Vetëm duke zbatuar sistemin e referimit mund të garantohet cilësi shërbimi. Ishim në një gjendje të tillë që pacientët shqiptarë, ato konsulta që në spitalet jashtë vendit të duhet t’i marrësh për disa javë nga stafi i mjekëve, kërkonin t’i merrnin brenda ditës. Rikthimi i rolit të mjekut të familjes, koncepti i rekomandimit dhe sistemi të referimit në tërësi, duhet të kuptohet nga e gjithë shoqëria. Qendrat universitare kanë nevojë për frymëmarrjen e munguar. Kjo pjesë duhet të kuptohet nga të gjithë, ku secili në rolin që i takon të japë kontributin e tij. Nuk mjaftojnë nismat ministriale. Për të ndryshuar mendësinë që ekziston, ku spitali është kthyer si vend pelegrinazhi, ato duan bashkëpunimin e gjithë shoqërisë.
Një tjetër reformë që pritet të ndërmerret, është ajo e certifikimit të mjekëve dhe nxitjes së edukimit të vazhdueshëm të tyre, mendoni se duhet të jetë e detyrueshme kjo pjesë?
Edukimi i vazhdueshëm është një nga defektet më të mëdha që ka jo vetëm klasa mjekësore, por e gjithë shoqëria shqiptare. Jemi në një krizë të përgjithshme të edukimit dhe për sa kohë do të vazhdojë kjo, progresi do të jetë minimal. Duhet kuptuar që me diplomën nuk përmbyllet cikli i të nxënit, përkundrazi. Është normale që dëshira dhe stimuli për të vazhduar më tej nuk është vetëm diçka individuale, por është produkt shoqëror. Do jap një shembull mes diferencës që kanë sot universitetet në botë dhe ato tek ne. Jashtë, qoftë studentët e mjekësisë, qoftë të tjerët, i sheh të ulur shkallëve, por gjithmonë me një libër në dorë. Tek ne i sheh pjesën më të madhe të ulur kafeneve e kurrsesi me një libër në dorë. Këtu fillon ngërçi.
Por kasta e mjekëve ka në dorë jetë njerëzish, mendoni se përgjegjësia duhet të jetë më e madhe, jo vetëm morale, por edhe profesionale?
Padiskutim që po. Ne sot kemi mjekë shumë të mirë, vetëm në sajë të vullnetit të tyre personal. Nuk i ka detyruar kush të rriten profesionalisht, të përditësojnë njohuritë e tyre e rrjedhimisht t’i ofrojnë pacientëve një asistencë të vërtetë mjekësore. Por nga ana tjetër, nuk mungojnë dhe ata të cilët janë mjaftuar vetëm me titullin e diplomës. Edukimit të vazhdueshëm i jepet përparësi në të gjithë botën dhe nuk ka asnjë motiv pse ne t’ia lëmë vullnetit personal, në një kohë kur mund të ushtrohen mekanizmat e kontrollit të profesionalizmit të gjithsecilit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›