E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkupi-Prishtina vendosin marrëdhëniet diplomatike

 

Kosova dhe Maqedonia vendosën dje marrëdhëniet diplomatike, më shumë se një vit pasi Shkupi e njohu zyrtarisht Prishtinën, dhe pak pas ratifikimit të marrëveshjes së kufirit mes dy vendeve.
Dokumenti është firmosur në orët e vona të së shtunës, pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit maqedonas, i cili e ratifikoi me vështirësi marrëveshjen më vonë se Kuvendi i Prishtinës. Ndërkohë, që Parlamenti i Maqedonisë votonte për marrëveshjen për shënimin e kufirit, qeveritë përkatëse përgatisnin procedurat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministria e Jashtme e Maqedonisë njoftoi dje se të shtunën vonë, ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Antonio Milloshovski në Shkup dhe më pas Skëndër Hyseni në Prishtinë kanë firmosur dokumentin që shënon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. “Të dy vendet do të angazhohen për përforcimin e lidhjeve miqësore, mbi bazën e respektimit të sovranitetit kombëtar, pavarësisë dhe integritetit territorial”, thuhet në njoftim. Republika e Maqedonisë e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës më 9 tetor 2008, rreth tetë muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia (17 shkurt 2008). Por marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve nuk u vendosën për shkak të mosmarrëveshjes mbi përcaktimin e kufirit. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski tha në atë kohë seL “Komisioni për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian ka shprehur shqetësim për shkak të vonesës në përkufizimin e demarkacionit teknik të vijës kufitare mes Republikës së Maqedonisë dhe Kosovës dhe ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet në përputhje me propozimin e Ahtisarit”. Plani i Ahtisarit, i cili u zbatua edhe në përkufizimin përfundimtar të kufijve, i linte Maqedonisë pjesën e fshatrave shqiptare që i ishin shkëputur Kosovës pas marrëveshjes së vitit 2001 mes Shkupit dhe Beogradit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pranoi se qëndrimi i qeverisë së Kosovës nuk kishte pasur fuqinë e mjaftueshme për marrjen e vendimit, por siguroi se pronat e shqiptarëve të mbetura përtej kufirit nuk do të dëmtoheshin.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›