E Shtunë, 31 Tetor 2026

Populizmi ushqen krizën financiare

Nga Alex Bandy, “Wall Street Journal”

Budapest - Muajin e kaluar u shënua pika më e ulët e demokracisë parlamentare hungareze. Më 21 mars, kryeministri socialist, Ferenc Gyurcsány, shpalli vendimin e tij të largimit nga detyra. Mirëpo, në vend që të thërriste zgjedhje të reja, ai u mbrojt me “një mocion konstruktiv mosbesimi”. Kjo manovër kushtetuese i lejon partisë qeverisëse të zgjedhë një kryeministër të ri deri në fund të mandatit zgjedhor vitin e ardhshëm. Ndërkohë, personi më i mundshëm për të fituar zgjedhjet, lideri i partisë më të madhe opozitare, Fidesz, vazhdon fushatën e tij populiste të premtimit të kurimit ekonomik pa dhimbje.

Zoti Gyurcsány dha dorëheqjen, ngaqë nuk siguroi dot përkrahje në parlament për shkurtimin e shpenzimeve që Hungaria ka nevojë të kurojë ekonominë gjatë krizës së tanishme.

“Ne ndoqëm një politikë ekonomike të gabuar gjatë viteve 2002-2006”, - deklaroi ai në kongresin e Partisë Socialiste. Gyurcsány e pranoi që, megjithëse qeveria ka një program për reforma ekonomike, ajo, ashtu si edhe ai, nuk gëzon besueshmërinë e votuesve.

Duke lënë mënjanë shpërthimin e sinqeritetit, që atëherë ngjarjet nuk e kanë kthyer besimin. Kërkimet për zëvendësimin e çuan drejt një qarku me tri unaza, socialistët dhe aleatët e tyre, Demokratët e Lirë, nuk arritën të gjenin një person që të merrte detyrën e kryeministrit. Ndërsa socialistët “refuzonin një pas një emrat e numëratorit telefonik”, siç tha ish-ministri socialist i Financave, Lajos Bokros, ndërsa liberalët ngrinin gishtat e pastaj i përthyenin, monedha vendase vazhdoi rënien, ndërsa centralet mbylleshin e ekonomia binte.

Në fund, ministri i Ekonomisë, Gordon Bajnai, pranoi ta merrte detyrën e kryeministrit, por vetëm nëse parlamenti, tha ai, nuk e pengonte për shkurtimin e buxhetit. Zoti Bajnai, i cili pritet të marrë miratimin sot (dje), do të përballet, jo vetëm me një krizë ekonomike të pashoqe. Sfida e tij do të jetë rimëkëmbja e Hungarisë, ndërsa ka një sistem politik të helmatisur, i cili i bën thuajse të pamundura reformat.

Shikojmë përvojën ekonomike të zotit Gyurcsány. Udhëheqja e tij u shënjua nga paaftësia që të kontrollonte shpërdorimet në shpenzimet publike. Në vitin 2006, zoti Gyurcsány mbajti një fjalim pasionant para udhëheqjes së partisë me dyer të mbyllura, ku ai pranoi se i kishte gënjyer votuesit për gjendjen e ekonomisë, me qëllim të fitonte mandatin e dytë në pranverën e atij viti. Ai u betua ta ndryshonte situatën me reforma të gjera, përfshi shkurtimin e buxhetit. Megjithatë, kur një kasetë e fjalimit iu përcoll shtypit, kjo i lejoi zotit Orban të minonte zotin Gyurcsány duke e portretizuar qeverinë e tij si “jolegjitime”. Në vitin 2008, Fidesz organizoi një referendum kombëtar për të bllokuar përpjekjet e qeverisë për të shkurtuar deficitin e buxhetit të shtetit. Ky është një lloj sabotimi, me të cilin do të përballet kryeministri i ri, nëse përpiqet të shkurtojë buxhetin dhe të pakësojë borxhin e përgjithshëm të qeverisë, i cili përbën 73 për qind të GDP.

Fatkeqësia ekonomike e Hungarisë vetëm sa doli në dritë - nuk u shkaktua - nga kriza globale financiare. Vendi kishte probleme të mëdha edhe para tetorit, kur nisi t’u kërkojë një ndihmë financiare 25 miliardë dollarë FMN, BE dhe Bankës Botërore. Në një vend me 10 milionë, vetëm 3.9 milionë punojnë dhe 1.6 milionë prej tyre kanë rroga minimale dhe nuk paguajnë taksa. Hungaria ka thuajse 3 milionë pensionistë, prej të cilëve mbi 800 mijë marrin pension paaftësie, që do të thotë se kanë dalë në pension shumë më herët se mosha 65 vjeç, duke shfrytëzuar shpesh probleme shëndetësore të dyshimta. Kandidati për kryeministër, Gordon Bajnai, duket i vendosur të shkojë me guxim andej nga s’ka guxuar askush deri tani për të kontrolluar shpenzimet publike të Hungarisë.

“Kjo do të dhembë”, - i deklaroi kombit ai në konferencën e parë për shtyp më 30 mars, duke iu referuar planit të tij për shpenzimin e buxhetit 2 miliardë euro, detajet e të cilit do të bëhen të njohura më vonë. Planet e zotit Bajnai janë kohë. Po atë ditë, banka Standard & Poor uli normat e interesit dhe monedha vendase vazhdoi dobësimin. Pengesa të tjera për menaxhimin e krizës nga kryeministri i ri: Presidenti i Hungarisë, Laszlo Solyom, dhe pesha të tjera të rënda të Partisë Socialiste i janë bashkuar thirrjes për zgjedhje të reja. Sipas sondazheve më të fundit, socialistët mund të fitojnë vetëm 22 për qind të votave, ndërsa Fidesz rreth dy të tretat, megjithëse nuk kanë shpalosur ndonjë plan të qartë për zgjidhjen e krizës. Zoti Orban pëlqen premtimet populiste në vend të propozimeve konkrete, si për shembull, uljen drastike të taksave për punëdhënësit dhe punëmarrësit që ai pretendon se do të hapë të paktën një milion vende pune. Ai pëlqen të aludojë për betejë të hungarezëve “të vërtetë” kundër “forcave të së keqes”, të cilën ndjekësit e tij e përkthejnë si thirrje për të abuzuar verbalisht ndaj zotit Gyurcsány dhe socialistëve.

Zoti Orban i shmanget parlamentit si mundësi për të shprehur pikëpamjet e tij. Ai foli aty vetëm një herë vitin e kaluar (për pesë minuta e gjashtë sekonda). Atij i pëlqen t’i zgjedhë audiencat. Në fjalimin e fundit kryesor para anëtarëve të partisë në fillim të marsit, ai u fokusua te nevoja për një qeveri të fortë për të plotësuar nevojat e njerëzve. Kjo pëlqehet nga votuesit, shumica e të cilëve do pëlqenin të ktheheshin në periudhën komuniste. Megjithatë, e vërteta është se qeverisë do t’i duhet të përballet me fakte dhe të shtrëngojë disa rripa dhe zotit Orban, nëse bëhet kryeministër, do t’i duhet të shkurtojë shpenzimet gjithashtu. Shumë votues të partisë së tij do të zhgënjehen. Si pasojë, partitë ekstremiste mund të jenë fitueset përfundimtare të kësaj krize. Kur socialistët menduan të zgjidhnin si kryeministër Gyorgy Suranyi, numri i 26 marsit i të përjavshmes “Magyar Forum” (revistë ekstremiste), kishte kryeartikull bankierin dhe ish-kreun e Bankës Qendrore hungareze në faqen e parë, me fytyrën e tij të rrethuar nga yjet e Davidit, poshtë titullit: “Kërcënimi Suranyi”. Artikulli pretendonte se zoti Suranyi ishte kandidati i “Shimon Peresit”, presidenti izraelit, për të zgjeruar interesat e Izraelit në Hungari. Në fund, zoti Suranyi nuk e pranoi kandidaturën.

Se mos lexuesi kujton se kam zgjedhur ndonjë forcë minore neonaziste, duhet të kihet parasysh se “Magyar Forum” është në pronësi të Istvan Csurkas, kryetar i Partisë së Jetës dhe së Vërtetës hungareze, e cila përkrahu zotin Orban, kur ky ishte kryeministër në vitet 1998-2002. Është e vështirë të thuhet cila është më e keqe: kriza politike apo ekonomike e Hungarisë. E vetmja gjë e qartë është se pa progres politik, rënia financiare e Hungarisë do të vazhdojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›