E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH, letër qeverisë: Ulni kostot e rrugës Rrëshen-Kalimash

Nga NOA

Në një kohë kur Gjykata e Lartë ka pezulluar çështjen për hetimin e ish-ministrit të Transportit, Lulzim Basha, për abuzimet e dyshuara me rrugën Durrës-Kukës, kjo vepër publike vijon të mbetet ndër zërat kryesorë të shpërdorimit të fondeve publike.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i është drejtuar me një letër qeverisë, por edhe Ministrisë së Punëve Publike, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, në të cilën u kërkon që të gjejnë mirëkuptim për të ulur kostot e ndërtimit të kësaj vepre.

KLSH në raportin e fundit për vitin 2009 ka bërë 3 propozime; së pari, ai kërkon që të rishikohen çmimet për njësi të rrugës, pasi ato tejkalojnë nga 20 deri në 100% vlerën që aplikon drejtoria e Rrugëve.

Së dyti, duhet parë volumi i punimeve që është parashikuar, pasi është i ekzagjeruar, për shkak të mungesës së projektit. Së treti, institucioni kontrollues sugjeron që kompania “Bechtel-Enka” të paguajë taksat dhe tatimet në përputhje me ligjet shqiptare.

Sipas KLSH, duhet të rishikohet kontrata, në të cilën është përfshirë një klauzolë që përjashton nga detyrimet fiskale këtë kompani.

Të tria propozimet kanë si qëllim uljen e kostos së rrugës, por KLSH vëren se sugjerimet nuk janë marrë në konsideratë.

Kostoja e rrugës Durrës-Kukës mbetet një debat i ashpër, si për ekspertët, edhe për politikën.

Një ditë më parë Partia Socialiste denoncoi faktin, sipas saj, se kontrata fillestare e rrugës është tejkaluar me 100%. Ajo evidentoi se nga 419 milionë euro që ishte parashikuar në fillim, kostoja e saj ka arritur në 800 milionë euro.

Kontrolli i Lartë i Shtetit pritet të raportojë në Kuvend lidhur me veprimtarinë e tij gjatë vitit 2008. Puna e KLSH është përmbledhur në dy raporte. Një prej tyre i është kushtuar vetëm dëmeve dhe parregullsive në rrugën Durrës-Kukës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›