E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Prokuroria ka nevojë për reformë profesionale, është shkëputur nga ndikimi politik

Nga NTV

Intervistë e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, dhënë gazetarit Çlirim Peka për emisionin “Fakt” në NTV

Le të flasim për angazhimin e Presidentit të Republikës si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Zoti president, pak më parë Gjykata e Lartë përfundimisht ka mbyllur një dosje të debatuar politikisht, dosjen për ish-ministrin e Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm, për sa i përket çështjes Durrës-Morinë. Dosje e mbyllur për shkak të procedurave, pra, një dosje e pagjykuar kurrë. Cili është gjykimi juaj si kryetar i KLD?

Besoj që Presidenti i Republikës, i cili është dhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjithmonë ka qenë në pozicionin dhe ka promovuar pavarësinë e institucioneve. Të promovosh pavarësinë e institucioneve, do të thotë që të lesh gjithçka, që lidhet me veprimtarinë dhe me funksionin e tyre, në dorë të vendimmarrjes së tyre. Kështu që unë do të veproja gabim, në rast se do të gjykoja vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë, e cila e ka të tërë atributin kushtetues, ligjor dhe profesional për të gjykuar çështje, pavarësisht nga rëndësia e tyre. Kështu që, nuk mendoj që është rasti që Presidenti i Republikës të prononcohet lidhur me çështje që është ekskluzivisht e drejtë e Gjykatës së Lartë.

Në sfidën tuaj politike, jo vetëm si president, por edhe si politikan, sigurisht që keni qenë mjaft korrekt dhe mjaft i kujdesshëm, kur keni bërë deklarata lidhur me institucionet e tjera. Por, për të qenë korrekt, organi i akuzës i kërkoi parlamentit zotin Basha për hetim. Parlamenti shqiptar ia dha zotin Basha për hetim. Organi i akuzës bëri të pamundur gjykimin e hetimeve vetëm për shkelje të procedurës. Si President i Republikës, a mendoni se duhet kërkuar llogari dhe duhet gjykuar puna e organit të akuzës për pamundësinë e gjykimit të dosjes më të madhe të paktën këto pesëmbëdhjetë vitet e fundit, për sa i përket akuzës për masën e dëmit ekonomik?

Mendoj se duhet të jemi sërish në të njëjtin pozicion. Ju sa u shprehët që unë kam pasur një pozicion konstant, korrekt për të vlerësuar pavarësinë e institucioneve. I takon këtyre institucioneve që të bëjnë analizat respektive për çështje, pavarësisht nga madhësia dhe rëndësia e tyre. E rëndësishme është që gjithçka të vendoset në një terren që është kushtetues dhe ligjor, pastaj të gjitha të tjerat janë atribute të institucioneve, të cilat realizojnë këtë lloj aktiviteti.

Megjithatë, në bazë të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, mbi bazën e së cilës vepron Presidenti i Republikës, Prokurorja e Përgjithshme propozohet nga ju, zoti president.

Natyrisht, dhe votohet nga parlamenti zoti Peka.

Dhe jeni i kënaqur me punën e prokurorisë shqiptare?

Është një çështje tjetër. Ju, nëse do e bëni pyetjen në një kontekst tjetër, mund të shprehemi. Në këtë kontekst unë e konsideroj përgjigjen të ezauruar.

Nëse nuk gabohem, në një raport të qeverisë angleze para pak kohësh, zoti president, është evidentuar fakti se reforma në drejtësi ka dështuar në Shqipëri dhe ndoshta është një prej reformave të dështuara deri në këto momente.

Unë nuk mund të them që kjo është një reformë e dështuar, sepse do të thoshim që të gjithë aktorët që janë marrë me reformën në drejtësi kanë dështuar. Mund të them që ka pasur përpjekje, të cilat ndoshta nuk janë të mjaftueshme për të arritur standardin. Por, ka pasur një progres në mënyrë të padiskutueshme dhe kërkohet më shumë në atë sens, që unë u shpreha pak më parë, kërkohet një vetëpastrim i sistemit të drejtësisë. Kjo është shumë e rëndësishme, kjo shikohet thjesht. Jemi një vend i vogël, një vend ku gjërat ekspozohen, gjërat merren vesh, nuk mund të kalojnë orë e të mos merren vesh gjërat e rëndësishme, por edhe gjërat e një karakteri më pak të rëndësishëm dhe do e shikoni që vetë sistemi i drejtësisë nuk vuan sot nga mungesa e pavarësisë. Pavarësia ekziston, sepse është hedhur qoftë në tregun mediatik, qoftë në tregun politik kjo nevojë për pavarësi e gjyqësorit, por ekziston vetë një lloj situate, që ka të bëjë me performancën individuale, qoftë të drejtuesve nëpër gjykata, qoftë të gjyqtarëve të veçantë.

Zoti president, në mos gabohem, në intervistën e shtatë në fund të vitit dymijë e katër, që kemi zhvilluar së bashku si numri dy i opozitës së asaj kohe, jeni shprehur me kritika mjaft të ashpra për ish-Kryeprokurorin, zotin Sollaku. Mazhoranca aktuale, pra mazhoranca, në të cilën ju keni bërë pjesë për vite me radhë, kjo forcë politike sërish akuzon prokurorinë se po fle mbi dosje krimi. Kemi realisht në gjykimin tuaj një gjendje të tillë apo sjellja e kësaj force politike nga dhe ju keni dalë është e njëjtë me të gjitha organet e akuzës?

Sot, pas asaj rruge të vështirë që ka pasur reforma në prokurori, mund të them që ende sot e kësaj dite ajo reformë nuk konsiderohet e mbyllur. Përkundrazi, ka nevojë për reformim shumë profesional në prokurori. Ajo që është fituar pas kaq muajsh dhe këtë nuk e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë me ardhjen time në këtë pozicion, por me influencën e shumë faktorëve, ajo që në përgjithësi nuk mund të diskutohet më, është varësia politike e organit të akuzës apo e organit gjyqësor. Të gjithë kanë fituar një tjetër siguri për sa i përket autonomisë. Asnjëherë autonomia nuk mund të jetë absolute, pa diskutim, sepse ka shumë lidhje edhe të karakterit njerëzor. Mos ta trajtojmë këtë çështje në një terren virtual. Por, po them që ka pasur një progres të dukshëm dhe ajo që nuk i mungon sot qoftë organit të akuzës, prokurorëve, apo gjykatësve, është pikërisht ajo që nuk mund të qahen, sepse nuk janë të pavarur. Por, ata janë të varur besoj, dhe këtë nuk e them në përgjithësi, por ka simptoma të qarta në mjaft prokurorë, se janë të varur ndoshta nga lidhje interesi, janë të varur ndoshta nga mungesa e demonstrimit të një integriteti, që unë e kam kërkuar vazhdimisht, ndoshta janë të varur nga paaftësia profesionale për të gjykuar, sepse një pjesë e tyre natyrisht vijnë edhe nga mentalitete mjaft arkaike, janë pjesë e prokurorisë, ndërkohë që ai organ duhej të kishte një rivitalizim jashtëzakonisht intensiv. Dhe unë besoj që është detyrë e organit të akuzës që të bëjë një reformë të dukshme për të pasur në atë institucion aq të rëndësishëm, aq të debatueshëm dhe aq të përfolur, për të pasur njerëz, që së pari kanë integritet, njerëz që janë të pandikueshëm. Dhe mos mendoni se profesionalizmi ka shanse të vendoset me njerëz që nuk kanë integritet. Ka një binom shumë kompatibël midis integritetit dhe predispozicionit për t’u bërë profesionist i mirë. Pra, ky është kombinimi i artë. Nuk duhet të jetë thjesht për prokurorinë, por duhet të jetë kudo, duhet të jetë për gjykatat, në administratë, duhet të jesh së pari i formuar, duhet të jesh me tregues, i strukturuar moralisht dhe besoj, e tërë karriera profesionale ka shanse të zhvillohet në këtë terren.

Në rast se e kuptova drejt, Presidenti i Republikës sapo u shpreh se një pjesë e prokurorëve apo e gjithë prokuroria është e pavarur nga politika dhe se nuk mund të qahet se është e varur nga politika.

Nuk mund të qahet sot! Sot ka një situatë mjaft të qartë, të dukshme, që askush nuk mund të thotë që jemi të varur, sepse dhe politika në përgjithësi, sot është më e kujdesshme për të demonstruar, sikurse e kishte demonstruar vite më parë, që kishte një tregues shumë të qartë të linjës së drejtpërdrejtë.

Por, një pjesë e tyre, sipas jush, janë të varur nga interesat personale, nga e kaluara e tyre profesionale apo nga…

Unë bëj një gjykim ndoshta mbi bazën edhe të mjaft fakteve analitike, por në një gjykim të përgjithshëm, ka simptoma të qarta, që disa prej tyre realisht nuk ecin në ritmin që kërkohet.

Duke lënë pjesën e sistemit të drejtësisë, kalojmë te një akuzë politike ndaj jush nga një gazetë afër kësaj mazhorance. Gazeta “55” para pak ditësh është shprehur se Presidenti i Republikës nuk do të shkonte ta shikonte rrugën Durrës-Morinë, ndërsa ju keni qenë atje me presidentin e Kosovës, zotin Sejdiu. Pavarësisht se për të qenë korrekt, këtu dua të jem korrekt me shikuesit, përpara se të bëheshit president, në momentin e debateve mbi këtë rrugë, në studion time jeni shprehur publikisht si nënkryetar i PD pro kësaj rruge, pavarësisht kostos. Gjithsesi, për të qenë korrekt edhe me pretendimin e gazetës, a është e vërtetë kjo?

Para se të jesh korrekt me pretendimin e të tjerëve, duhet të jesh korrekt me vetveten. Në rast se unë jam shprehur në emisionin tuaj...

Po, kjo është e regjistruar, sigurisht...

...atëherë, e quaj të tepërt, sepse duke iu referuar të tjerëve dhe duke e vënë në dyshim, neutralizon vetveten. Në rast se ke respekt për emisionin, respekt për fjalët e mia që kam thënë në atë kohë, duhet patjetër që, si analist, si gazetar, të bësh kritikë për cilindo që nuk thotë të vërtetën.

Por, në këtë rast që sapo citova, zoti president, ju jeni shprehur edhe si nënkryetar i PD, para se të bëheshit president, pro kësaj.

Në rast se juve doni, edhe një herë, që unë të ripërsëris atë për të cilën kam qenë gjithmonë i bindur dhe nuk është vetëm një prononcim në emisionin tuaj, por ke dhe prononcime në parlament, në debatet parlamentare. E kam konsideruar izolimin e veriut të Shqipërisë gjatë viteve të komunizmit si një izolim të qëllimshëm edhe me mungesën e një rruge që do të lidhte Shqipërinë me Kosovën, pra, nuk po bëj gjë tjetër vetëm se po ripërsëris atë që kam thënë në retrospektivë: ka qenë i qëllimshëm për të larguar sa më shumë idenë e një komunikimi të Shqipërisë me Kosovën. Dhe projekti i rrugës, padyshim që është një nga projektet më të dashur për mua, për të cilin kam patur, jo thjesht një dashamirësi direkte si person që po e jeton, por kam pasur edhe një formim në familje, për sa i përket përvojës mbi një rrugë, e cila do të lidhë shqiptarët. Kjo ka qenë një ëndërr e shqiptarëve që fatmirësisht sot po realizohet, dhe çdo tentativë për ta shigjetuar, më duket një tentativë mjerane, një tentativë jo-fisnike, dhe do ta konsideroja të tepërt të flitet për këtë punë.

Duke qenë se iu referova akuzave të një gazete politike afër kësaj mazhorance, po futemi te pjesa politike, duke përfituar edhe nga komplimentet për pyetjet direkte në fillim të emisionit. Zoti president, keni qenë nënkryetar i Partisë Demokratike, sot partia në pushtet. Nuk është se janë të panjohura për publikun, edhe xhelozitë, edhe përplasjet, edhe fërkimet, pavarësisht se nga kanë ardhur. Duket qartë se nënkryetarja tjetër e PD, ish-kolegia juaj, ish-homologia juaj, të paktën sipas medieve gjithmonë, jo sipas zonjës Topalli, nuk është se nuk ka filluar t’i pëlqejë Pallati i Brigadave. Për të qenë më konkret, presidenti zgjidhet me një shumicë të thjeshtë. Në rast se kjo mazhorancë fiton zgjedhjet, zonja Topalli nuk është se mund ta ketë të pamundur të udhëtojë drejt Pallatit të Brigadave. Si do të ishte gjykimi i ish-homologut të zonjës Topalli?

Dikur, keni qenë më lakonik në realizimin e pyetjeve. Nuk e di për ç’arsye, ju po bëheni tepër i pakuptueshëm në pyetjet që realizoni sot. Sot, unë që ju shikoni përballë, jam pikërisht në plotësim të atij verdikti që ka pasur parlamenti shqiptar në vitin 2007 dhe po plotësoj të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore. Për gjithçka tjetër që ndodh jashtë meje dhe nëpër ato ambiente që unë nuk i frekuentoj, dhe që ju merrni informacione, ndoshta ju mund të më jepni ndonjë informacion, sepse unë nuk kam çfarë të them.

Në rast se këto ambiente kërkojnë që pas 2012 të frekuentohen nga ju, zoti Topi, çfarë do të bënit, për të qenë më konkret, duke qenë se na bëtë këtë vërejtje? Duket qartë ose të paktën pretendohet se shefi i PD apo lideri i PD, zoti Berisha, gjithmonë figurat e forta, në një formë a në një tjetër, ka tentuar t’i largojë nga PD, dhe mendohet se...

Po ju ndihmoj shumë për ta shkurtuar kohën e pyetjes...

Ju kërkoj ndjesë! Ambicia e zonjës Topalli, që për të qenë të saktë, nuk është se është e padukshme, madje ajo është shprehur publikisht. Në rast se këto ambiente nuk do t’i frekuentoni më, pra e djathta, pas 2012, ju kërkon, çfarë do të bëni ju, zoti president?

Të më kërkojë mua e djathta?

Ju kërkon ta frekuentoni. Po përdor termin tuaj.

Jua thashë edhe pak më parë. Kam qenë shumë i kujdesshëm dhe do të vazhdoj të jem shumë i kujdesshëm në realizimin kushtetues dhe ligjor të këtij institucioni. Por në ‘background’-in tim, nuk mund të fshihet kurrë ajo që unë kam qenë dhe kam demonstruar, se i kam takuar një force të djathtë, dhe sikur të ketë metamorfozë të forcave politike, sot, në terrenin politik shqiptar, unë jam i projektuar i tillë, sepse së pari, nuk kanë qenë partitë politike që kanë bërë edukimin tim politik, por ka qenë një edukim brenda familjes, ka pasur të bëjë me historinë e familjes, të rrethit shoqëror, të një rrethi të gjerë qytetar, dhe besoj që janë gjëra që janë fiksuar. Bukuria dhe korrektësia e kësaj pune është që kur vjen në një pozicion, kur ti, jo vetëm sipas Kushtetutës, por edhe sipas të gjitha deklarimeve që bën, i takon të gjithëve, natyrshëm që i takon të gjithëve, natyrisht duke respektuar shtetin ligjor, parametrat e shtetit ligjor, dhe besoj që kam një përpjekje të përditshme në çdo orë, që unë të realizoj atë që kam premtuar dhe të mos i shkëputem Kushtetutës në asnjë, qoftë edhe prej anekseve të saj.

E ritheksoj, jeni i pari President i Shqipërisë që nuk keni qenë komunist. Dy nënkryetarët e partisë më të madhe, të mazhorancës, të Partisë Demokratike, me CV politike tërësisht të djathtë, me një kryetar partie ish-komunist, por gjithsesi, po e ribëj pyetjen: në rast se zonja Topalli ka dëshirë të udhëtojë drejt Pallatit të Brigadave, dhe ju, me marrëveshje do të udhëtonit drejt drejtimit të partisë më të madhe të djathtë në vend, a do të ishit i gatshëm?

Sot, e quaj jashtëzakonisht të parakohshme të realizosh një pyetje të tillë, sepse jeta politike në Shqipëri është dinamike. Unë jam i angazhuar dhe jam mësuar të mos mbaj shumë kunguj nën sqetull. E tërë jeta ime ka qenë e fokusuar në një mënyrë të tillë. Kur kam pasur një ofertë të drejtpërdrejtë për t’u angazhuar në jetën politike, menjëherë, që në vitin 1991, ku padyshim unë kam qenë pjesëtar, kam pasur një përgjigje shumë të thjeshtë, dhe kjo mund të demonstrohet, që pa ezauruar jetën time profesionale në tërë karrierën e saj, dhe kështu ndodhi, unë nuk do të merrem me politikë. E vërteta është që pas fitimit të doktoratës, unë kisha një aspiratë për të marrë titullin ‘Profesor’, për t’u angazhuar në strukturat e kërkimit shkencor, gjë që u realizuar në vitin ’95, dhe unë jam marrë me politikë në vitin ’96. Pra, jam munduar që gjërat t’i realizoj saktë, duke u fokusuar, duke krijuar një dominant në punën time. Nuk mund të merresh në të njëjtën kohë me shumë gjëra, atëherë do të dalim pastaj tek ajo që unë thashë për të tjerët që duhet të jesh patjetër me një formim integër dhe mbi atë bazë të zhvillosh profesionin tënd. Nga kjo pikëpamje, unë mendoj që të jesh sot President i Republikës, ke shumë sfida institucionale për të përballuar, dhe ato janë të mjaftueshme për të mos u marrë me gjëra të tjera.

Sigurisht, që të jesh President i Republikës ke angazhime kushtetuese që s’mund të merresh me gjëra të tjera, por shefi i mazhorancës, kryeministri i vendit, i cili, edhe ai ka angazhime kushtetuese, s’ka nevojë të merret me gjëra të tjera, ka deklaruar publikisht se keni tentuar të krijoni një pakicë bllokuese , madje e ka lënë të dyshohet duke përdorur termat për prokurorinë shqiptare, si parti politike.

Shiko, gjërave që aludohen dhe nuk thuhen drejt, juve vetë duhet t’i jepni shpjegimin tuaj. Pra, mos tentoni të futeni dhe të krijoni një rreth vicioz rreth deklaratave, të cilat nuk kanë qenë të drejtpërdrejta dhe nuk kanë pasur një terren të hapur për t’u diskutuar. Mendoj që këto janë çështje që më shumë interpretohen dhe keqinterpretohen nga mediet apo nga analistë të caktuar. Marrëdhëniet kanë qenë të tilla që nuk kanë lejuar absolutisht asnjë lloj abuzimi në këtë sens, të cilin ju po e përmendni.

Duke iu referuar sërish CV suaj politike dhe familjare, zoti president, por dhe një mendimi të përgjithshëm se, do të doja më shumë se forcë politike, është një frymë, e cila lindi në ‘90 dhe frymë që mund të fashitet me largimin e zotit Berisha, ka një perceptim dhe një analizë që e djathta do të ngelet zbuluar, për sa i përket lidershipit. Jeni President i Republikës, me CV tërësisht të djathtë, me një popullaritet sondazhesh maksimal, në rast se kjo forcë, frymë, fashitet, do ta merrni në konsideratë realisht, mundësinë e një force të djathtë politike?

Edhe njëherë, zoti Peka, më duket se po qëndrojmë tek i njëjti terren. Unë, edhe nga pikëpamja e përllogaritjes kohore, jam këtu president deri në korrikun e vitit 2012. Do kemi, sikurse kemi realizuar 7 emisione bashkë, mund të realizojmë edhe 17 të tjera, dhe patjetër që përgjigjja e drejtë do të jetë në kohën e duhur. Gjithçka bëhet në funksion të kohës, qoftë si pyetje gazetari, qoftë si përgjigje e presidentit.

Ju kërkoj ndjesë, por besoj se edhe për arsyen që, që në nëntor të vitit 2005, ju kam pyetur: ‘Si ju duket Bamir Topi si president?’, m’u lejua kjo pyetje, ndoshta ishte pak para kohe. Edhe në nëntor të 2005 dukej shumë para kohe zoti Topi.

Cila ka qenë përgjigjja ime në 2005?

Çfarë mendoni ju ishte? Pra nuk keni refuzuar, nuk është se e keni kundërshtuar dhe sigurisht, ndodhi kjo që ndodhi.

Çfarë nuk kam realizuar? Se si ju duket Bamir Topi president? Zoti Peka, kjo ka të bëjë së pari me natyrën, me formimin. Asnjëherë njeriu nuk duhet të japë konsiderata për vetveten. Ai që jep konsiderata për vetveten, është i destinuar që të dënohet nga shoqëria në konsiderata.

Unë po ju pyes për qëllimet politike.

Qëllimet politike sot nuk kanë qenë një ndërmarrje e lehtë për t’iu shkëputur angazhimeve politike dhe për të ardhur në një institucion, i cili është ekskluzivisht kushtetues. Është një institucion, i cili është garant i Kushtetutës, i funksionimit të institucioneve të tjera, i ekuilibrave institucionalë dhe shoqërorë, dhe unë besoj që më shumë se sa pyetjes se çfarë do të ndodhë, do të ishte e saktë të merrnit në konsideratë se çfarë po ndodh. Kjo do të ishte më e sakta, sepse nuk besoj që keni realizuar shumë biseda duke qenë me statusin e Presidentit, kështu që keni shumë mundësi të pafundme se si po zhvillohet aktiviteti i institucionit të Presidentit, si janë aktivitetet në funksion të marrëdhënieve institucionale, pastaj për gjëra që i takojnë një perspektive, natyrisht njeriu vepron mbi parimin evolutiv, hap pas hapi.

Si ka mundësi që në udhëtimet e Presidentit të Republikës jashtë vendit mungon gjithmonë ministri i Jashtëm?

Nuk ka qenë një praktikë e zhvilluar në vizitat e presidentit. Ka pasur një praktikë tjetër nisur edhe nga angazhimet mjaft të forta institucionale të ministrit të Jashtëm, pa diskutim. Ka pasur një praktikë tjetër, në varësi të vizitave. Janë marrë përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës në parlament. Ka pasur vizita që kanë pasur pjesëmarrje të ministrave dhe besoj që në shumicën e rasteve këto vizita janë realizuar në këtë mënyrë.

Ka filluar të qarkullojë sërish ideja se, për shkak të letërnjoftimeve, mund të shtyhen zgjedhjet. Në rast se partitë politike, dy partitë kryesore politike, ju kërkojnë një datë të re zgjedhjesh, a do të jetë i gatshëm Presidenti i Republikës ta marrë në konsideratë?

Nuk dëshiroj që t’i futem kësaj teme, sepse mund të ishte një paragjykim, që mund të krijonte shumë pështjellime. Në mënyrë absolute, ne duhet të shkojmë të sigurt drejt realizimit të zgjedhjeve, më 28 qershor, dhe kjo duhet të jetë një angazhimin i të gjitha institucioneve, i partive, dhe kjo është arsyeja që nuk mund të jap një përgjigje. Përkundrazi, ta frenoj këtë lloj psikoze që mund të përhapet.

Marrë me shkurtime

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›