“Ballkanasit e kanë një dërrasë mangut”
Petrika GROSI
Pas 30 vitesh që nga shkrimi i tyre janë ribotuar për t’u hedhur këto ditë në tregun e librit në Kosovë poezitë e autorit Skënder Sherifi. Libri i nxjerrë nga shtëpia botuese “Faik Konica” ka një titull të thjesht, thjesht “Poezi”. Një e veçantë tjetër e këtij libri të shkruar fillimisht në gjuhën frënge, është se poezitë janë përkthyer në shqip nga ish-presidenti i ndjerë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. E takuam poetin Sherifi dje në Tiranë, ku ai do të qëndrojë për disa javë dhe biseduam mbi artin, letërsinë deri te mentaliteti i shqiptarëve, problemet e Ballkanit e më gjerë. Në fakt, është gjithëherë kënaqësi që të jesh pjesë e bisedës me këtë poet, i cili duket se nuk plaket kurrë me poezinë e tij dhe nuk hidhet tej e as harrohet si ato rrobat e vjetëruara e të dala nga moda. Skënderi me atë pasionin e tij për jetën, ndjenjat sublime ndaj origjinës shqiptare, dashurisë, së bukurës e futurizmit nuk mund të qëndrojë pa bërë pasazhe, deri te orientimet e bashkëbiseduesve drejt një meditimi të çastit. Pavarësisht ku ndodhesh, mund të shkosh kudo. Kjo është bukuria e shpirtit, ndjenjës dhe shpejtësia e mendjes njerëzore. Kur hodhi të 50-at pas, poeti tha me vete “pse të mos ta bëj një libër për femrat?!...” Dhe ashtu bëri, shkruajti për të gjithë ato femra që në jetën e tij kanë pasur rol të rëndësishëm, apo e kanë inspiruar, lumturuar, dashur dhe bërë të vuajë. Shqetësimet dhe ndijimet morale, fizike, shpirtërore deri te përvojat erotike, për të mos neglizhuar ballafaqimin e botës së femrës me aspektet paradoksale të botës mashkullore e femërore, janë pikërisht këto skuta që eksplorohen nga poeti nëpërmjet mendimit, ndjenjës, psikozës, figuracionit e metaforave. Por si do të shprehej vetë Skënder Sherifi për krijimtarinë e tij? “Desha t’i përkushtoj një monument poetik femrës dhe rastësisht u gjenda duke lexuar disa libra të lashtësisë... Jam i interesuar për fillimin e gjërave, ndaj dhe antikiteti më tërheq, shkrimet fillestare edhe më shumë sepse fillimi është përherë magjik. Lexova mbi Egjiptin e lashtë dhe rastësisht u ndala te Faraoni Nefron, i cili ka jetuar para pesë mijë vjetësh në një vend të quajtur ‘Dashur’. Ky faraon bëri pesë piramida unikale dhe duke lexuar për jetën e tij, mendoja se çfarë e ka shtyrë atë që të ngrejë këto piramida, ndërkohë që para më shfaqeshin gjithë përvojat e jetës sime në botën e femrës, përfshi leximet, ndijimet, tregimet e filmat...”. E kështu duke diskutuar për poezinë, femrat, dashurinë, kaluam te Ballkani, problemet e tij, shqiptarët dhe letërsia... “Ne ballkanasit e kemi nga dërrasë mangut – thotë poeti Sherifi, por duke qenë të tillë jemi të veçantë dhe në anën tjetër, vlerat nuk është se mungojnë. Megjithëse probleme kemi plot, sidomos me dëgjimin e tjetrit. Nuk durojmë dot as dy minuta dëgjim. Një tjetër problem është zbrazëtia shpirtërore, deri te depresioni prej ku po bien njerëzit gjithmonë e më shumë. Ndaj unë them më shumë poezi, dashuri dhe etje për të bukurën, jetën...”.
7 Gusht 2008