E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen momenti edhe për Anjeza Shahinin



Pas afirmimit të saj gjatë këtyre viteve në fushën e muzikës dhe përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë në “Eurosong”, më në fund vjen albumi i parë muzikor për këngëtaren Anjeza Shahini. Mbrëmjen e djeshme në një nga diskot verore të plazhit të Golemit është bërë promovimi i albumit të titulluar “Erdhi momenti”. Këngëtarja tashmë realizoi premtimin e bërë ndaj publikut për të dalë me një album të ri i cili është titulluar pikërisht nga ajo, me titullin “Erdhi momenti”, teksa Anjeza dëgjonte për herë të parë këngën e shkruan nga Adrian Hila. CD-ja e hedhur në treg nga këngëtarja do të përmbajë nëntë këngë duke nisur që nga “Erdhi momenti”, “Shuhem & ndizem me ty”, “Veten s’e gjetëm”, “Lot pendimi”, “Kur je larg”, “Nëse dyshon”, “Lamtumirë” dhe “Nga zero”. Veç bashkëpunimit me Adrian Hilën nuk mungojnë bashkëpunime të tjera për Shahinin me kantautorin Pirro Çako dhe Gent Myftarai. Një tjetër e veçantë është se katër nga tekstet e këngëve janë shkruar nga Bela, motra e Anjezës. Këngët e albumit kanë për temë kryesore dashurinë dhe karakterizohen nga një frymë tepër optimiste dhe e gëzueshme. Sipas këngëtares, lotët, dhimbja dhe hidhërimi janë anashkaluar për të sjellë 100 për qind pjesën më të bukur të kësaj ndjenje siç është dashuria. Sa i takon albumit, ai bazohet në rrymën ku jemi mësuar ta shohim Anjezën, që është pop-rroku dhe popi klasik. Eurostari është shtëpia diskografike që është marrë me inçizimin dhe hedhjen në treg të diskut të parë të këngëtares. Albumit nuk i mungon as videoklipi i cili është ideuar nga Maks Production. Mbrëmjen e ditës së mërkurë këngëtarja ka ftuar të gjithë miqtë dhe fansat e saj në diskon verore “Magic summer” në Golem për të qenë të pranishëm në prezantimin e albumit të saj nën moton e një party “Festo dhe ti me mua!”
P. GROSI

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›