E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani Perëndimor dhe Turqia, në paradhomën e pranimit në BE



Sllovenia bllokon Kroacinë, Greqia bllokon Maqedoninë, Turqia bllokohet nga Qiproja dhe Holanda bllokon Serbinë. Parlamenti Evropian u bën thirrje vendeve anëtare të përqendrohen në kriteret, jo në mosmarrëveshjet e ndërsjellta

Nga Zoran Nikolovski për “Southeast European Times” në Shkup

Në samitin e qershorit 2003 të BE-së në Selanik, Greqi, krerët evropianë u zotuan se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia kishin perspektiva të qarta për bashkimin me bllokun. Megjithatë, shumë oferta për në BE të vendeve evropiane juglindore mund të jenë një problem në qoftë se vendet me grindje dypalëshe ekzistuese vazhdojnë të bllokojnë ata nga bashkimi me BE-në. Të tilla ndodhi janë në proces edhe pse dokumentet e BE-së përcaktojnë vetëm tre kritere që kandidatët duhet të përmbushin, me qëllim që të hyjnë në Bashkim. Të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit mandatojnë se për t'u bashkuar me BE vendet duhet të arrijnë "stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, rendin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin e mbrojtjen e pakicave, ekzistencën e një ekonomie funksionuese tregu, si dhe kapacitetin për t'ia dalë me presionin konkurrues të forcave të tregut brenda bashkimit. Anëtarësimi presupozon aftësinë e kandidatit për të marrë detyrimet e anëtarësimit, duke përfshirë pranimin e qëllimeve politike, ekonomike dhe të bashkimit monetar". Pavarësisht nga kërkesat, katër vende të Ballkanit që luftojnë për anëtarësimin në Bashkim: Kroacia, Maqedonia, Turqia dhe Serbia, po ndeshen me bllokime nga vende anëtare lidhur me mosmarrëveshje dypalëshe. Sllovenia po bllokon Kroacinë lidhur me mosmarrëveshjen e gjatë kufitare; Greqia kundërshton të drejtën e Maqedonisë për emrin që ajo përdor; Turqia me mbizotërim myslimanë po ndesh mosbesimet e vendeve anëtare të BE-së lidhur me profilin kulturor e fetar, mbi të gjitha, kundërshtimin e Qipros; dhe Serbia nuk mund të kapërcejë këmbënguljen e Holandës mbi arrestimin e ish-komandantit serb boshnjak të kohës së luftës, gjeneralit Ratko Mlladiç. I lodhur nga pengesat e shumta, Parlamenti Evropian (PE) bashkë me disa institucione të shquara studimore, po drejton gishtin ndaj vendeve anëtare të pabindura. Një numër parlamentarësh po u kërkojnë vendeve anëtare të pushojnë së përdoruri mëritë dypalëshe për të penguar përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në pranimin e mëtejshëm në BE. Komiteti i PE për punët e jashtme ka hartuar një raport mbi konsolidimin e stabilitetit dhe begatisë në Ballkanin Perëndimor. Vendet anëtare "duhet të mos pengojnë apo bllokojnë procesin e pranimit lidhur me çështje që kanë të bëjnë me mosmarrëveshje dypalëshe" thotë raporti. PE miratoi një raport me një shumicë dërrmuese, 478 me 92 dhe 42 abstenime. Me sa duket, përkrahës ndaj Maqedonisë dhe Kroacisë, raporti pohon se "çështjet dypalëshe" nuk duhet të bllokojnë "pranimin" në Bashkim.

Për Maqedoninë, e gjitha është tek emri

PE i kërkoi Komisionit Evropian t'i propozojë Këshillit të BE të heqë vizat për shtetasit e Maqedonisë dhe të përcaktojë një datë për fillimin e negociatave deri nga fundi i vitit. Megjithatë, BE e ka bërë të qartë se për të mbajtur Shkupin në udhën e duhur, duhet të zgjidhet grindja me Greqinë. Shumë vëzhgues megjithatë nuk presin zgjidhje shpejt. Raundi i fundit i bisedimeve mbi çështjen u mbajt në shkurt dhe përfundoi pa gjetje të reja të propozuara.

Shumë mendojnë se Shkupi ka qenë i përqendruar më tepër se ç'duhet në padinë e vet kundër Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ankesa e Maqedonisë në gjykatën me bazë në Hagë thotë se Greqia shkeli një marrëveshje të përkohshme midis të dyja vendeve, duke bllokuar ofertën e hyrjes së Shkupit në NATO në samitin e Aleancës në Bukuresht prillin e kaluar. Sipas artikullit 11 të marrëveshjes, Greqia u zotua të mos bllokojë përpjekjet e fqinjës së vet për t'u bashkuar me institucione ndërkombëtare, shumëpalëshe apo rajonale. Athina, megjithatë thotë se artikulli është i kushtëzuar në përdorimin e emrit Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM). Marrëveshja e 1995-s i dha posaçërisht Greqisë të drejtën të kundërshtonte përdorimin e një tjetër emri, vënë në dukje diplomatët grekë, duke shtuar se Maqedonia vetë ka shkelur disa pika të marrëveshjes.

Kroacia, e penguar nga mosmarrëveshja e kufirit

Kroacia është ende në rrugën e duhur për të kompletuar negociatat e veta të anëtarësimit deri nga fundi i këtij viti, tha javën e shkuar komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Olli Rehn, por ai u kërkoi autoriteteve kroate e sllovene të përshtatin një mënyrë "konstruktive" për të shpejtuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes së tyre të kufirit. Më 17 mars, Rehn u takua me ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve në Bruksel për të diskutuar mosmarrëveshjen. Sipas raporteve, Rehn tha se një zgjidhje e re u propozua në formën e një deklarate të përbashkët që do të garantonte se të dyja palët përmbaheshin nga lëshimi i ndonjë deklarate apo ndërmarrja e veprimeve për të paragjykuar kufirin ekzistues, vendosur me shpërbërjen e Jugosllavisë në 1991. Propozimi kërkon t'u drejtohet pretendimeve të Sllovenisë se Kroacia është përpjekur të paragjykojë kufirin në dokumentet e pranimit që ka paraqitur në BE. Plani do t'u jepte vendeve një nisje të re për të negociuar një zgjidhje. "Kjo do të ishte një masë ndërtimi besimi dhe një hap në drejtimin e duhur", - tha Rehn pas takimit. Ai inkurajoi Kroacinë që të vazhdonte të shihte për një zgjidhje, duke thënë se tre muajt e bllokadës së Sllovenisë për të hapur bisedime mbi kapitujt e pranimit i kanë kushtuar kohën e nevojshme Zagrebit për të përfunduar procesin e vet negociues. Serbia, një tjetër vend ballkanik që aspiron të çajë radhët e BE-së, gjen Holandën tamam në udhën e saj. Në kundërshtim me dëshirat e 26 vendeve të tjera anëtare të BE, Holanda thotë se do të vazhdojë të bllokojë shoqërimin e ardhshëm të Serbisë me BE deri sa vendi të dorëzojë Mlladiç në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), duke përmbushur kështu premtimet për bashkëpunim me gjykatën. Ministri i Jashtëm holandez, Maksim Verhagen, tha se arrestimi i Mlladiç do të ishte prova më e mirë se Serbia pranon vlerat evropiane. Në shkurt, Rehn shprehu kënaqësi me procesin e reformave në Serbi, por tha se Beogradi duhet të përmbushë të gjitha kërkesat në rrugën e tij të anëtarësimit në BE, duke përfshirë bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës.

Kryeprokurori i ICTY, Serge Bramertz, i tha komitetit drejtues të ambasadorëve të BE-së se ndonëse bashkëpunimi i Serbisë me gjykatën e krimeve të luftës të Hagës është shumë më i mirë se përpara, ka ende vend për përmirësim. Klima politike në Beograd ka ndryshuar dhe autoritetet janë më të gatshme të përmbushin angazhimet e tyre ndaj gjykatës së OKB-së, por Mlladiç mbetet i lirë. Megjithatë, nënkryeministri Bozhidar Gjeliç tha muajin e shkuar se Serbia do të aplikonte për statusin e kandidatit këtë vit.

Halli i Turqisë

Sa për Turqinë, Katinka Barysh, nëndrejtore e institucionit studimor Qendra për Reformën Evropiane, teorizoi në një artikull botuar në 24 shkurt se motivi i Qipros për pengimin e disa kapitujve në bisedimet e pranimit të Turqisë mund të jenë shpresë për fitimin e mbështetjes në bisedimet në vazhdim për ribashkimin e ishullit. Franca ka arsyet e saj; ndërsa Presidenti Nikolas Sarkozi preferon dhënien e një "partneriteti të privilegjuar" sesa anëtarësimin e Turqisë, ai argumenton se ajo nuk duhet të lodhet me ato kapituj të “Acquis” që janë të duhura vetëm për anëtarët e plotë. "Ka arsye të qëndrueshme e të mirënjohura pse zgjerimi në Turqi dhe Ballkanin Perëndimor po shkon kaq ngadalë: paqëndrueshmëria politike dhe prapambetja ekonomike e shumicës së konkurrentëve aplikantë; lodhja nga zgjerimi e shumë vendeve perëndimore evropiane; pyetja e posaçme që politikanë austriakë, francezë e të tjerë vënë lidhur me fatin evropian të Turqisë", - shkruan Barysh. Sipas saj, vetëm një shtytje e madhe politike mund të zgjidhë këto bllokime të shumëfishta. Por pak vende anëtare të BE-së janë të prirura të lëvizin zgjerimin ndërkaq.

“Nga Triglav në Vardar”

Disa media i kanë përshkruar kushtet e vështira të anëtarësimit dhe mbikëqyrjen e rritur të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga institucionet e Evropës si një "bllokadë nga Triglav në Vardar", një referim nga një këngë popullore nga koha jugosllave. Thirrja e anëtarëve të PE-së për hapje më të madhe është muzikë për veshët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, propozimet e tyre nuk janë detyruese për Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian. Askush nuk e di se si do të zhvillohet integrimi i Kroacisë, Maqedonisë, Turqisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Kundërshtimi irlandez i marrëveshjes së Lisbonës e bën të pamundur zgjerimin e bashkimit përtej 28 vendeve. Ai ka tani 27. Vëzhguesit presin që, për të folur realisht, vetëm Kroacia do të hyjë në klubin e çmuar si një anëtar i ri i plotë, ndërsa Turqisë mund t'i duhet të rregullohet me një "partneritet të privilegjuar", duke lënë aspirantët e tjerë me perspektiva të pasigurta për integrimin.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›