TEC-i i Vlorës, së shpejti nis prodhimi
TEC-i i Vlorës pritet të mbyllë punimet së shpejti, duke bërë të mundur nisjen e prodhimit të energjisë. Punimet kanë hyrë në një fazë përfundimtare, ndërkohë që pjesa më e madhe e sistemeve përbërëse të tij tashmë kanë kaluar dhe provën. Specialistët e kompanisë italiane dhe ata të KESH-it bëjnë të ditur se në muajin qershor do të bëhen provat e para manuale në ngarkesë, duke i shtuar zyrtarisht një burim tjetër prodhimi sistemit energjetik shqiptar. Aktualisht ka përfunduar testimi i transformatorit të emergjencës, i sistemit të lubrifikimit të turbinës dhe gjeneratorit, ka përfunduar montimi i turbinës së avullit dhe gazit, janë në përfundim aksesorët ndihmës të kaldajës dhe, janë në proces testimi të provave hidraulike të saj. Tashmë është në fazën përfundimtare impianti i deminarilizimit të ujit dhe brenda pak ditësh do të “testohet” nënstacioni, një nga objektet më të rëndësishme të TEC-it, që do të përcjellë energjinë elektrike të prodhuar këtu në sistemin kombëtar. Koka e pontilit do të instalohet në një mekanizëm fleksibël, ndërkohë që sistemi i tubacioneve me diametër 1.5 m po vendoset nën tabanin detar. Për të realizuar këtë proces, anijet dragë po hapin kanale me thellësi 4 m, nën sipërfaqen e këtij tabani, një punë mjaft e vështirë. Sistemi i prodhimit të TEC-it do të jetë i alternuar. Turbina e gazit do të realizojë 2/3 e kapacitetit të prodhimit të TEC-it, ndërsa ajo e avullit do të gjenerojë pjesën tjetër të këtij kapaciteti. Në të gjithë procesin, duke përfshirë fazën paraprake, montimin dhe shfrytëzimin e objektit, janë instaluar apo do të instalohen pajisje moderne, që bëjnë monitorimin e të gjitha parametrave të ajrit dhe të emetimit të gazeve të dëmshme. Pjesë e konsulencës dhe e standardeve mjedisore është dhe temperatura e uji, që do të përdoret për ftohjen e sistemit dhe që do të kthehet sërish në det. Kjo do të jetë në nivelin 0.86 gradë celsius, ose pothuajse 2 herë më e ulët se standardet e BE-së. Teknologjia është shumë e avancuar dhe përmes kësaj hallke mund bëhet komandimi automatik nga vendi dhe në distancë i të gjithë centralit. Rëndësia e TEC-it të Vlorës vlerësohet jo vetëm në shtimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike, por edhe në përmirësimin e cilësisë së furnizimit, në profilin e tensionit, duke ndryshuar gjeografinë e burimeve. Për ndërtimin e TEC-it të Vlorës po punojnë mbi 400 specialistë vendas dhe të huaj, kryesisht italianë. Janë 150 punonjës shqiptarë, pjesë përbërëse e këtij grupi dhe që, në vetvete, do të krijojnë një përvojë të vyer për realizimin e veprave të tilla të standardeve më të përparuara ndërkombëtare.