E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, ekzekutohet me armë 30-vjeçari, sapo ishte kthyer nga Greqia



Viktima është Ardian Tahiri nga Fieri, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Greqia, ku jetonte prej disa vitesh

Një 30-vjeçar është qëlluar me armë dhe ka humbur jetën në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, viktima është Ardian Tahiri, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer nga Greqia, ku kishte qëndruar si emigrant. Ngjarja ndodhi pas mesnatës, duke u gdhirë dita e diel në stacionin e fundit të Tiranës së Re. Viktima ishte duke qëndruar në një lokal, të zonës, kur i është afruar një person, i cili ka nxjerrë një pistoletë, të cilën e mbante me vete dhe me të ka qëlluar ndaj 30-vjeçarit disa herë. Më pas, ai është larguar me shpejtësi, duke iu shmangur arrestimit. Ndaj 30-vjeçarit është dhënë ndihma e parë, duke e transportuar për në Spitalin Ushtarak. Megjithatë, viktima nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e plagëve të marra. Policia shkoi në vendngjarje dhe ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e aksidentit. U morën në pyetje disa persona, që kishin lidhje me ngjarjen, si dhe u krye këqyrja e vendit të ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, viktima kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni, ku kishte jetuar për shumë vjet në Greqi. Ai mbrëmjen e së shtunës ishte së bashku me disa persona të njohur të tij në një nga lokalet në stacionin e fundit të Tiranës së Re, në vendin e quajtur “Pallati me shigjeta”, pranë një pike karburanti. Pranë 30-vjeçarit është afruar një person, i cili ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar ndaj tij. Plumbat e kanë kapur Tahirin në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda. Më pas, autori i krimit është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që viktima është dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Por si pasojë e plagëve të marra dhe humbjes së gjakut, ai nuk ka mundur të mbijetojë. Viktima është banues në lagjen “Drizë” të qytetit të Fierit. Sipas burimeve nga policia, po hetohen disa pista në lidhje me këtë ngjarje. Njëra prej tyre mund të jetë ajo për ndonjë konflikt të lindur gjatë kohës që Tahiri ka jetuar në Greqi, ose për larje hesapesh. Por nuk përjashtohet ndonjë konflikt që ka nisur gjatë kohës që 30-vjeçari ishte kthyer në Shqipëri. Policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të krimit

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›