E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria gjithmonë pro traktateve ushtarake

Nga Pirro PRIFTI*
Dëshira e madhe si e politikanëve shqiptarë ashtu dhe e popullatës që ka zgjedhur këta politikanë ishte dhe mbetet për tu futur në NATO si forcë aktive. Kjo u realizua më në fund dhe është meritë e të dy krahëve të politikës, por duhet shpjeguar që PS ashtu siç e përmendi dhe Pandeli Majko, më 1992-93  abstenoi, pra PD dhe Koalicioni i saj pragmatist pati fatin që të nënshkruante futjen. Mund të përmend që shqiptarët sipas brezave dhe kohës gjithmonë kanë marrë pjesë dhe gjithmonë janë inkuadruar në forca ndërkombëtare dhe atëherë kur nuk quheshin ashtu. E ky është një traditë e shqiptarëve që kanë dashur përherë të ishin me fituesit apo siç e ka përmendur Ismail Kadare në një nga librat e tij (tek Romani Gjakftohtësia)-"... shqiptarët edhe në perandorinë turke nga humbës u atashuan në administratën turke dhe në ushtrinë turke..., pra bënë një simbiozë në të cilën u rreshtuan si fitues  duke e bindur veten që në fakt nuk kishin humbur me turqit, por turqit nga që ishin të aftë shqiptarët i futën në ushtri si komandantë e ushtarë për të fituar luftëra të tjera për 350 vite rresht. Historia e futjes së Shqipërisë në formacionet ushtarake ndërkombëtare (po e përdorim këtë fjale për eufemizëm në vend të pushtuese) është sa e shpeshtë, aq dhe e lashtë e interesante. Me një përshkrim fare të shkurtër mund të kujtojmë se edhe në luftën e Trojës e realizuar që në vitin 1200 p.e.s, ka patur ushtarë ilirë të futur nën komandën e Akilit (nën koalicionin e Akejve nën komandën e Agamemnonit, por që atëherë nuk quheshin grekë ata që luftuan kundër Trojës), i cili ishte mbreti i fisit të Mollosisë ( Malësisë osë Mollës) që vendosej në Thesali (ka kuptim shqip-si thes). Në anë të kundërt tek koalicioni Trojan përbëheshin nga Dardanët që njihen se kanë rrjedhur nga Dardani i lashtë me pjesëmarrjen e Paridit (i Pari -sigurisht për bukuri, dhe Enea ose - i Hënës) etj. Po kështu, në shekullin e katërt p.e.s, ushtarët ilirë janë inkuadruar në ushtrinë e Aleksandrit të madh për të pushtuar Greqinë dhe Ayinë e deri në Aganistanin e sotëm, e kjo vërtetohet sepse në një vend të Afganistanit e pikërisht në Ëayiristan ekziston një komunitet që sipas të dhënave janë ilirë e pikërisht nga Enkeleasit e dikurshëm (prej nga të cilët rridhte e ëma e Aleksandrit të madh). Praktikisht ata janë me sy bojë qielli, e trup të bëshëm. Disa fjalë të tyre me të cilat kanë emërtuar pjesë të krahinës ku ata jetojnë, përkthehen në shqip si bastun, hundak etj. Në të ashtuquajturat trupa ndërkombëtare (pra pushtuese) ilirët e lashtë janë inkuadruar dhe në ushtrinë romake ku janë shquar disa udhëheqës e disa perandorë. Edhe në 1389 shqiptarët u bashkuan me koalicionin ballkanik për të luftuar kundër turqve koalicion i cili humbi. Në kohën e Skënderbeut dihet që Papa i Romës i viteve 1460 krijoi një koalicion ushtarak (do të vendoste komandën nën udhëheqjen e Skënderbeut) për të luftuar turqit por që nuk u realizua sepse për fat të keq Papa i asaj kohe vdiq papritur të realizohej koalicioni. Më vonë pas pushtimeve  njihet nga historia që nën perandorinë turke ushtarët shqiptarë morën pjesë në ekspedita ushtarake për vite me radhë deri në fund të shekullit të 19 ekspedita të cilat njihen nga ku ushtarë të caktuar kanë qenë dhe janë vrarë deri në Jemen, Irak, e Persi (Iran). Gjatë luftës së dytë botërore  Shqipëria mori pjesë në koalicionin antifashist që ishte grupimi ushtarak më I madh I të gjitha kohërave dhe mori anën e fitimtarëve së bashku me SHBA, Angli, Francë, e BS. Pas luftës së dytë botërore Shqipëria hyri në Traktatin e Varshavës më 1955 dhe doli prej saj në 1968 (de fakto, se de jure doli më 1989). Sot më 4 prill 2009 Shqipëria rihyn në një pakt tjetër të rëndësishëm ushtarak ndërkombëtar, i cili mendohet që do të ketë një rol të rëndësishëm në brezin tonë dhe në brezat që do të vijnë pas nesh për dy probleme kryesore të kombit shqiptar:
-identifikimin e kombit tonë si komb perëndimor dhe me aspirata properëndimore,
-realizimin e standardeve që janë pjesë e përgjegjësisë së ekzekutivit shqiptar për të hyrë në Bashkimin Europian.
Këtu nuk do të përmendin euforinë e paprecedent të shqiptarëve apo më saktë të ekzekutivit shqiptar, eufori të cilën e kemi hasur edhe në kohën kur u pranuam në Traktatin famëkeq të Varshavës.
Ndoshta është me vend që të bëjmë një pyetje të rëndësishme që në fakt mund tu këtë shkuar në mëndje edhe strukturave të caktuara intelektuale:
-Përse shqiptarët e sotëm (por dhe paraardhësit tanë) kanë dëshiruar futjen në traktate ushtarake?
-Përse shqiptarët edhe kur kanë humbur luftën janë përpjekur të bëjnë simbiozë me pushtuesin e që më vonë të bashkëpunojnë me ta e të duken si fitues?
Histori e veçantë që kërkon një zbërthim psikologjik të kujdesshëm për të cilën do të mund të bëhej ndoshta dhe një libër I veçantë për këtë qëllim e për të cilin nuk është as vendi e as koha të analizohet; megjithatë një argument bindës mund të paraqitet këtu.
Një nga argumentet më të rëndësishme sipas mendimit tim ka të bëjë me dëshirën e shqiptarëve për të mbijetuar ndaj ngjarjeve dhe kobeve të rënda në të cilat kanë jetuar shqiptarët gjatë mijëra viteve, brezat e sotëm të  të cilëve janë konfiguruar si të tillë në këto vite ku jetojmë dhe ne brezi që duam të hyjmë në Europë, të hyjmë në të gjitha traktatet që ka dhe do të ketë Europa qofshin ato ushtarake apo ekonomiko-financiare apo sociale. Kjo është dëshirë e shumicës dërrmuese të shqiptarëve jo vetëm për të mbijetuar siç e përmenda më lart, por dhe për një arsye tjetër të rëndësishme që nuk thuhet apo që është njëfarë tabuje në jetën sociale e të përditshme të shqiptarëve, është një fakt i cili ka dëmtuar Shqipërinë sidomos pas largimit të Perandorisë turke nga Shqipëria e trojet shqiptare. Pra argumenti tjetër i rëndësishëm qëndron në faktin se shqiptarët u dyzuan nga perandoria turke. E kam fjalën që binomi Fe+Atdhe u dëmtua nga presioni ushtarak dhe fetar turk; për këtë arsye Shqipëria pas1878 me Lidhjen e Prizrenit (lidhje fetare e cila e dëmtoi pjesërisht Shqipërinë dhe shqiptarët në sy të Europës në përgjithësi por në veçanti u dëmtua nga vendet ballkanike të krishtera që kishin vuajtur qoftë nga Turqia qoftë nga feudalët shqiptarë të konvertuar që ishin vënë në krye të sanxhaqeve të asaj kohe  por që ishin vënë në shërbim të turqve) dhe pas Kongresit të Ambasadorëve, - u copëtua dhe u quajt me terma ofenduese si Shqipëria është një term gjeografik apo shqiptarët janë turq etj, etj. Kjo preku rilindasit shqiptarë të cilët duke patur si të thuash në gjak genin e mbijetesës ngritën e dhe njëherë me krenari flamurin e Skënderbeut dhe Historinë e tij për të bashkuar shqiptarët nën një shtet të veçantë dhe nën një fe, për të cilën zgjodhën parullën abstrakte e Pashko Vasos `Feja e shqiptarit është Shqiptaria`. Ishte i vetmi rast kur njerëz me mënd të Shqipërisë realizuan me shumë vështirësi  binomin e coptuar Fe+Atdhe me një konfigurim inteligjent siç e shpjegova më sipër. Rezultati është se shqiptarët i mbushën mendjen  Europës konservatore të asaj kohe që ata ishin gjallë, kishin kulturën e tyre , kishin shtetin e tyre, kishin fene e tyre (dmth, nuk ishin islamike por shqiptarë), kishin traditat e tyre të veçanta, e për më tepër i dhanë të kuptojnë Europës që ishin Europianë dhe jo aziatikë. Europa i kuptoi por jo pa rezerva. Fundi i gjithë kësaj odiseje të vështirë 500 vjeçare ( përfshi dhe regjimin komunist kur koalicioni fitues ishte edhe komunizmi) është pranimi i Shqipërisë në NATO, në një Koalicion ushtarak tërësisht perëndimor dhe pak më vonë dhe në BE. Sesi do të shkojnë punët në të ardhmen nuk dihet, por një gjë dihet me siguri: Shqipëria do të jetë në anën fituese. Kjo është mbijetesa jonë. Kjo është tradita jonë. Kjo është e ardhmja jonë.

 *Analist

Last Updated on Saturday, 11 April 2009 22:56

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›