E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani akuzon Lepencin për doping

Udhëheqësit e Ballkanit i kanë akuzuar futbollistët e Lepencit se kanë përdorur mjete të ndaluara stimuluese në ndeshjen e barazhit, përcaktuese për Superligë, të cilën e fituan kaçanikasit. Por, kryetari i Lepencit, Saqip Berisha, insiston se lojtarët e tij janë të pastër, derisa thotë se therandasit po mundohen të gjejnë arsye për humbjen. FFK premton se do ta shqyrtojë këtë ankesë. Nga Moral Pozhegu më 21 qershor 2011 në ora 11:59

Ballkani nuk e ka ndërmend të dorëzohet, edhe pse humbi në ndeshjen e barazhit dhe ra nga Superliga në Ligën e Parë. Skuadra therandase është ankuar në Federatën e Futbollit të Kosovës për parregullsitë e shfaqura në ndeshjen e barazhit në mes të Ballkanit dhe Lepencit, e cila u zhvillua javën që shkoi në Mitrovicë.

Klubi portokalli dyshon se skuadra kaçanikase kishte përdorur mjete të ndaluara stimulative për të arritur deri te fitorja. Atë takim, Lepenci e fitoi me rezultat minimal 1:0 dhe arriti të inkuadrohet në elitën e futbollit kosovar.

“Dyshojmë se lojtarët e Lepencit janë paraqitur në lojë të stimuluar me mjete të ndaluara stimulative për forcimin e aftësive fizike. Kjo u vërejt gjatë tërë lojës, kur lojtarët e Lepencit vraponin pa kontroll dhe çdo moment kërkonin ujë, si dhe me starte e ndërhyrje të palejuara”, shkruan në ankesën e therandasve drejtuar në Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Andaj, kërkojmë që të bëhet ekzaminimi mjekësor në laboratorët e posaçëm i të gjithë lojtarëve të Lepencit që janë paraqitur në atë ndeshje dhe pas rezultatit të analizave të gjakut, të veprohet sipas rregulloreve në fuqi të FFK-së”, vazhdon kërkesa e Ballkanit, e nënshkruar nga kryetari Muharrem Elshani.

Në anën tjetër, për udhëheqësit e Lepencit ky arsyetim duket qesharak. Ata thonë se therandasit nuk po pajtohen ende me humbjen dhe po mundohen të gjejnë arsye të ndryshme.

“Nëse kanë dëshmi, le të urdhërojnë. Ata nuk mund të gjejnë arsye për humbjen, si duket ende nuk mund të bëjnë gjumë. Ballkani na ka nënçmuar para lojës, por ne shkuam për të fituar dhe ia dolëm. Kemi lojtarë 20-22 vjeç ‘Made in Kaçanik’. Është ndryshe një lojtar që luan për ekipin e qytetit të vet. Ata mund të bëjnë ankesë sa të duan, por unë them se jemi të pastër”, deklaroi kryetari i Lepencit, Saqip Berisha.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) premton se shtëpia e futbollit kosovar do ta shqyrtojë ankesën e Ballkanit.

“Është hera e parë që bëhet një ankesë e tillë. Kjo është diçka pozitive, ngase e ka hapur një faqe të re. Natyrisht, ne kemi laboratorë, besoj se Komisioni shëndetësor do të merret me këtë punë dhe do ta shqyrtojmë, sigurisht”, thotë Salihu.

Pas humbjes së papritur nga Lepenci, udhëheqësit e Ballkanit fillimisht ishin ankuar në lojtarët e tyre, të cilët i akuzonin se e kishin shitur ndeshjen. Por, futbollistët e kishin hedhur poshtë këtë akuzë, duke insistuar se nuk e kanë tradhtuar klubin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›