E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëndija, n’ mejdan me serbë

Shkëndija nga Tetova dhe Partizani i Beogradit do të përballen në rrethin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve. Trajneri serb, Alesakdar Stanojeviç e sheh favorit absolut ekipin bardhezi. I vetëdijshëm se nuk do ta ketë lehtë, trajneri i kuqezinjve, Qatip Osmani thotë se do të bëjë çmos që t’i mposhtë beogradasit. Nga Valdet Hasani më 21 qershor 2011 në ora 12:00

Shorti i tërhequr në Nyon të Zvicrës ka përcaktuar që skuadra shqiptare Shkëndija nga Tetova të përballet me Partizanin nga Beogradi, në kuadër të rrethit të parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

Përballja ndërmjet Kampionit të Maqedonisë dhe atij të Serbisë pritet të jetë më interesantja në këtë rreth. Madje, takimi shqiptaro-serbe veç ka filluar të zgjojë kureshtjen e tifozëve shqiptarë dhe atyre serb.

Ndeshje e parë ndërmjet bardhezinjve dhe ekipit kuqezi është paraparë të zhvillohet në Beograd më 12/13 korrik. Derisa takimi kthyes pritet të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Shkup një javë më vonë.

Trajneri i Partizanit, Alesakdar Stanojeviç, ka deklaruar se skuadra e tij është favorite përballë Shkëndisë dhe shprehu besimin se ndeshja e kthimit nuk do të zhvillohet në Tetovë, por në Shkup.

“Kemi mundur të takohemi me një kundërshtar më të lehtë. Shpresoj se ndeshjen e kthimit do ta luajmë në Shkup dhe se do të vijnë shumë tifozë tanë. Kjo do të ishte e rëndësishme për ne”, tha Stanojeviç pas tërheqjes së shortit për B92.

Ai shtoi se futbollistët e tij duhet të jenë të kujdesshëm. “Kujdesi është shumë i rëndësishëm sepse kjo do të jetë ndeshje e parë zyrtare pas përgatitjeve. Respektojmë kundërshtarin, por në këtë fazë të garës Partizanit është favorit përballë kujtdo”, përfundoi Stanojeviç.

Në anën tjetër, trajneri i tetovarëve, Qatip Osmani e pranon se Partizani është favorit. Megjithëkëtë, ai thotë se do të bëjë gjithçka që ta eliminojë ekipin beogradas nga Liga e Kampionëve.

“Në Ligën e Kampionëve nuk ka kundërshtar të dobët. Ekipi i Partizanit të Beogradit në letër është favorit, por në futboll nuk fiton çdo herë favoriti. Ne sigurisht që kemi kualitetin tonë, planet tona dhe do të bëjmë çmos që ta eliminojmë Partizanin”, ka thënë Osmani për Express.

Osmanin nuk e pengon aspak nëse ndeshja do të zhvillohet në Shkup. Ai thotë se edhe në kryeqytetin maqedonas do ta kenë përkrahjen e tifozëve të tyre, Ballistat. Madje, Osmani pret edhe përkrahjen e tifozëve nga Kosova dhe Shqipëria.

Vështirë për Skënderbeun

Ndërsa kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, në eliminatoret e Ligës së Kampionëve nuk do të ketë aspak të lehtë, pasi për kundërshtar ka ekipin qipriot APOEL. Ndeshja e parë pritet të zhvillohet në Korçë më 12/13 korrik, derisa takimi kthyes do të luhet një javë më vonë në Nicosia.

Në këtë fazë, Dinamo Zagreb i Fatos Beqirajt dheArian Ademit për kundërshtar do ta kenë klubit nga Azerbajxhani Neftçi Baku. Malmo e dyshes kosovare Agon Mehmeti e Dardan Rexhepi do të takohen me klubin nga Ishujt Faro, Torshavn. Kurse
HJK Helsinki, ku luajnë Berat Sadik dhe Erfan Zeneli, për kundërshtar ka klubin uellsian Bangor City.

Lehtë për skuadrat shqiptare në Europa League

Ndërsa në rrethin e parë të Europa League, skuadrat shqiptar nuk kanë edhe kundërshtarë aq të fortë. Skuadra e Renovës në ndeshjen e parë do të përballet me klubin nga Irlanda e Veriut, Glentoran. Fituesi i këtij takimi do të përballet me Vorsklan e Armend Dallkut e Ahmed Januzit.

Kurse nënkampioni i Shqipërisë, Flamurtari, në këtë fazë do të përballet me skuadrën malazeze Buduçnost. Kurse Vëllaznia e Shkodrës për kundërshtar ka skuadrën nga Malta, Birkirkara. Fituesi i këtij takimi do të ndeshet me klubin zviceran Thun, ku luajnë Milaim Rama dhe Muhamed Demiri.

Fituesi i Kupës së Shqipërisë, Tirana do të luajë me fituesin e ndeshjes Spartak Ternava – Zeta. Kurse skuadrat ku luajnë futbollistët shqiptarë nuk do të kenë kundërshtarë të fortë. Orbro, ku luajnë Valdet Rama e Kushtrim Lushtaku, do të përballen me klubin boshnjak Sarajevo. Ndeshjet e para do të zhvillohen më 30 qershor, kurse ato të kthimit më 7 korrik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›