E Diel, 1 Nëntor 2026

Plot oferta për Kadrin

Bashkim Kadri është vërshuar nga ofertat e klubeve të ndryshme evropiane, pas paraqitjes pozitive që pati në Evropianin U21. Mirëpo, babai i tij, Benny Kadri thotë se Bashkimi duhet të zhvillohet ende në Odense, para se ta marrë hapin e radhës në karrierë. Nga Express më 21 qershor 2011 në ora 11:58

Bashkim Kadri pati paraqitje të shkëlqyeshme në Evropianin U21 me Danimarkën, edhe pse kjo e fundit u eliminua qysh në fazën e grupeve. Si rezultat i lojës së shfaqur, shumë klube kanë trokitur në dyert e sulmuesit të ri shqiptar, të cilin e duan në skuadër. Për këtë ka siguruar babai i tij, Benny Kadri.

“Kam pasur punë në telefon këto ditë, pasi që jam bombarduar nga menaxherë dhe përfaqësues klubesh. Ka interesim në përgjithësi nga klubet e huaja”, tha Kadri senior për ueb faqen daneze sporten.dk.

Mirëpo, babai e këshillon të birin të mos largohet menjëherë nga Odense, pasi që i nevojitet ende përvojë para se ta bëjë hapin e madh drejt ndonjë klubi të njohur evropian. “Bashkimit i duhet të kontribuojë ende për Odensen dhe ka për të mësuar ende shumë. Kështu që këto interesime duhet t’i marrim me qetësi”, shtoi ai.

Ndërkohë, Kadri, i cili u transferua në Odense sezonin që shkoi nga B93, thotë se është i kënaqur me paraqitjet e tij në Evropian, edhe pse pati një eksperiencë të shkurtër.

“Mendoj se ishte një turne i mirë për mua. Nuk kam luajtur mirë në ndeshjen e parë, por mendoj se shkoi më mirë në dy ndeshjet e fundit. Kështu që, mendoj se pata paraqitje të mira në përgjithësi”, deklaroi Kadri për ueb faqen tipsbladet.dk.

Edhe selektori i Danimarkës U21, Keld Bordinggaard, është ndier i kënaqur me paraqitjen e sulmuesit shqiptar. “Bashkim Kadri më ka befasuar pozitivisht, si në ndeshje me Islandën, ashtu edhe në përgjithësi në këtë eveniment”, tha trajneri danez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›