E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani, boshti i krimit të organizuar

Në Paris, nga data 12 deri më 13 nëntor, përfaqësues të qeverive dhe ekspertë diskutuan për metodat për luftimin e kriminalitetit në kufijtë ndërmjet vendeve. Një vend të veçantë zë këtu Ballkani. Afro 80 tonë heroinë, sipas studimit të fundit të OKB-së, vijnë çdo vit nga shtetet që e mbjellin opiumin në Azinë Qendrore, përmes impianteve të prodhimit në Lindjen e Mesme nëpër Ballkan, pastaj në Europë. Oliver Erdmann, komisar i departamentit për drogën nga Hamburgu, tregon rrugën e drogës nga portet e Detit të Zi në BE. "Sigurisht rruga e Ballkanit luan një rol të madh në tregtinë e drogës. Për sa i përket heroinës, shumë vjen nga Afganistani dhe Turqia, pra nga vende që e mbjellin dhe e prodhojnë, dhe pastaj përmes Ballkanit në Europën Perëndimore", shpjegon Erdmann. Komisari Erdmann këshillon që prej dy vjetësh në kuadër të misionit policor të BE-së kolegët e tij në Sarajevë. Ai është i kënaqur. Këtë vit në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës ka pasur shumë kontrolle, gjatë të cilave njësi speciale të armatosura rëndë të SIPA-s arrestuan disa dhjetëra anëtarë të bandave të rrezikshme kriminale dhe mundën të mbledhin dëshmi. Në të njëjtën kohë pati arrestime të bosëve rajonalë të mafies dhe të ndërmjetësve të tyre në Serbinë dhe Kroacinë fqinje. "Duhet thënë se kohët e fundit bashkëpunimi ndërkombëtar është përmirësuar. Ka relativisht shumë procese internacionale, ku janë të përfshirë shtetet fqinje, por edhe shtetet e Europës Perëndimore. Ne kemi një proces, ku bënin pjesë Gjermania, Italia dhe Sllovenia", thotë Erdmann. Ky bashkëpunim është forcuar prej një viti me këmbënguljen e BE-së dhe po sjell ndërkohë frytet e para, thotë Tobias Flessenkemper. Ai është nga Këlni dhe punon si këshilltar politik në misionin policor të BE-së në Bosnjë. "Kualifikimi profesional i policisë është shumë i mirë. Ne shohim një proces të ngadaltë dhe një vullnet nga ana e politikës për të krijuar kushtet. Por nuk duhet besuar se problemi i kriminalitetit zgjidhet. Ai duhet menaxhuar më mirë! Dhe kjo është një detyrë e përbashkët", shpjegon Flessenkemper. Aktualisht bashkëpunimi i policisë dhe i drejtësisë në rajon kufizohet në shumicën e rasteve në Serbi, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Para pak kohësh, në Beograd dhe Zagreb u akuzuan zyrtarisht në të njëjtën kohë dy vrasës të porositur për rastin e Ivo Pukaniç. Ndër të dyshuarit për vrasjen e Pukaniçit është edhe Joca Amsterdam, i cili gjendet nën arrest në Beograd. Dyshohet se për këtë atentat dhe atentatet e tjera janë ndarë një milion e gjysmë euro, por ende nuk dihet se kush është organizatori kryesor i vrasjes. Një pjesë e këtyre parave duhet të ishte planifikuar për vrasjen e ministres serbe të Drejtësisë, sepse kjo i ka hapur rrugën një ligji kundër mafies. Atentati u pengua, një lehtësim ky edhe për gjykatën e posaçme për kriminalitetin e organizuar. Gjykatësja Maja Kovaceviç-Tomiç shpjegon: "Tani zhvillohen hetime edhe për aspektin financiar, jo vetëm për përfitimin nga krimi, i cili trajtohet nga gjykata, por për të shqyrtuar të gjithë pasurinë e personit të akuzuar. Të gjitha të ardhurat kontrollohen. Në qoftë se ka një mospërputhje ndërmjet të ardhurave dhe pasurisë, urdhërohet shpronësimi. Prokuroria presupozon se pasuria rrjedh nga burime kriminale".
Që prej një viti, paralelisht me raportet për suksese ndër-rajonale të policisë në Ballkan, ka edhe njoftime për të vdekur dhe të plagosur në betejat e vogla ndërmjet bandave. Krimi i organizuar e ndjen vetën të goditur pikërisht nga bashkëpunimi i sigurisë ndërkombëtare, mendon në Beograd gjykatësja Kovaceviç-Tomiç. Atij është shumë e vështirë t‘ia gjesh gjurmët. Kriminaliteti i organizuar depërton në të gjitha strukturat e shoqërisë. Ai mbrohet nga pjesë të shtetit, drejtësisë dhe të policisë. Çelësi për sukseset e hetimeve është dëshmitari, dikush nga ky terren, që është i gatshëm të flasë", Filip Slavkoviç

Angelina Verbica
Marrë nga "Deutshche Ëelle"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›