Pandemi/ Vaksina, një nga mënyrat e mbrojtjes
Greqia ka hyrë përfundimisht në fazën e pandemisë së gripit të derrit. Kjo ka qenë deklarata e Këshillit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive. Dje ka ndërruar jetë në një nga spitalet e Selanikut një 56-vjeçar me probleme kardiake, i infektuar me grip derri. Pacienti është viktima e gjashtë e regjistruar në Greqi si pasojë e komplikacioneve nga gripi i derrit. Vetëm brenda 6 ditëve të fundit janë konstatuar 332 persona të infektuar. Deri tani, për shkak të ritmeve të shpejta me të cilat po përhapet ky virus, janë mbyllur mbi 185 shkolla dhe klasa të veçanta në të gjithë vendin. Ministrja e Shëndetësisë, Mariliza Ksenojanakopulou, në një mbledhje urgjente në një prej spitaleve të Selanikut, u ka bërë thirrje qytetarëve grekë të mos ngurojnë, por të vaksinohen menjëherë për t‘u mbrojtur ndaj gripit të derrit. Ajo theksoi edhe njëherë se vaksina e re është e parrezikshme. Sipas Ksenojanakopulou, deri tani është konfirmuar se vaksina mund të ketë efekte anësore te një përdorues në një milion.