E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, testi i parë për koalicionin PDK-LDK

Kosova zhvillon sot zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë. Në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Republikës së Kosovës do të zhvillohen votimet për të zgjedhur krerët e komunave dhe këshilltarët komunalë. Sipas të dhënave zyrtare, të drejtën e votës e kanë 1 milion e 563 mijë e 741 qytetarë të Republikës së Kosovës, ku pritet të zgjedhin kryetarët dhe këshilltarët e asambleve në 36 komuna. Sot, në orët e para të mëngjesit, pritet të hapen 746 qendra votimi, me 2 mijë e 256 vendvotime në gjithë Kosovën. 37 parti politike, 19 iniciativa qytetare, 16 kandidatë të pavarur dhe 2 koalicione, pas një angazhimi njëmujor, të dielën do të presin vendimin e sovranit. Përveç se këto zgjedhje janë të parat që mbahen në Kosovën e pavarur, rëndësia e tyre lidhet edhe me faktin se për herë të parë organizohen nga vetë kosovarët. KQZ-ja, e cila ka barrën kryesore në lidhje me zgjedhjet, ka thënë se është e përgatitur për një proces normal.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ambasadori i SHBA-së, Christopher Dell, apeluan për qetësi dhe zgjedhje korrekte. Gjatë një vizite në Qendrën e Numërimit, Presidenti Sejdiu tha se "është në përgjegjësinë tuaj drejtpërdrejt ta menaxhoni mirë këtë proces deri në fund. Unë besoj se do t‘ia dilni. Qytetarët e Kosovës do të dalin masivisht në zgjedhje. Do të jetë një realizim i ambicies së tyre për të zgjedhur më të mirët". Me këtë rast, ambasadori Dell përkujtoi në fillim ndihmesën e madhe që SHBA kanë dhënë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ai tha gjithashtu se nga vizita në QNV është e dukshme se janë marrë të gjitha masat parandaluese që procesi të shkojë në mënyrë të sigurt. "Unë besoj se asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të ketë frikë të dalë nesër të votojë, sepse votimi i tyre do të bëhet në mënyrë korrekte dhe numërimi i kësaj vote do të bëhet në mënyrë sa më të mirë. Pasnesër bota do të shohë çka mund të bëjë Kosova për veten e vet", tha Dell. Ekipi prej 120 vëzhguesve të huaj tashmë ka arritur në Kosovë dhe ka bërë të gjitha përgatitjet që të vëzhgojë zgjedhjet komunale, të cilat do të mbahen më 15 nëntor në Kosovë. Kryesuesi i Misionit Ndërkombëtarë të Vëzhguesve në Kosovë, Darko Aleksov, tha se këto zgjedhje janë historike për Kosovën, por edhe për misionin që ai drejton. Aleksov tha se ekipet e tyre do të jenë të shpërndara në 36 komunat e Kosovë, ku do të mbahen zgjedhjet komunale, ndërsa tha se nuk pret që të ketë sfida atë ditë. "Ajo që është sfidë për ne është që të vëzhgojmë një proces të lodhshëm, që të jemi prezentë sa më shumë të jetë e mundur në qendrat e votimit, ndërsa praktikat dhe standardet ndërkombëtare nuk na lejojnë që të përballemi me ndonjë sfidë, për çka ne shpresojmë se nuk do të ketë në ditën kur secili qytetar ka të drejtën të votojë, dhe në fund të ditës do të përmbyllet procesi në mënyrë të rregullt", ka deklaruar Aleksov. Në anën tjetër, zyrtarë ndërkombëtarë bënë thirrje për përmbajtje nga veprimet e dhunshme. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme për Kosovën, e cila synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian. "Kosova është në fazë tranzicioni. Është në tranzicion kah BE, prandaj ka pritje të rëndësishme edhe në Bruksel, edhe në Prishtinë, edhe në mesin e njerëzve, se e ardhmja shtrihet në Europë. Është në tranzicion, ka një qeverisje më moderne dhe kjo do zhvillohet, përfshirë decentralizimin së fundi, siç e dini, është trashëgimia e së kaluarës, dhuna, konflikti dhe Kosova po përgatitetpër tranzicion drejt integrimit të komuniteteve, drejt pajtimit dhe tolerancës", ka thënë Feith.

Përgatiti: Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›