Ballkani dhe e ardhmja e tij në Europë, kërkojnë bashkpunim dhe integrim
09/05/2005 Ballkani, me shtrirjen e tij në Juglindje të Europës, është në fazën e afirmimit të perspektivës së përfshirjes së shteteve përbërëse të tij, në bashkësinë europiane. Për disa vende, kjo ishte më e lehtë për t’u realizuar. Ndërsa në fazën e tanishme, shtrohen kërkesa gjithnjë e më të forta, për antarsimin dhe integrimin shtetëror në këtë bashkësi. Megjithëse në territorin europian, shumë shtete të tij mbeten larg bashkësisë së madhe. Kërkesat në rritje të zgjerimit të Bashkimit Europian, krijojnë, në disa momente, përshtypjen e një teatri politik dhe të një loje të pa fund, e cila nuk ndikon pozitivisht në zgjidhjet e nevojshme politike të pritshme prej kohësh për t’u realizuar. Nuk shtrohet problemi i pranimit për Turqinë ose për Ukrainën, por, për vënde të cilat janë në pamje të parë në territorin europian, për Europën Juglindore. Pas një periudhe të madhe të sundimit komunist, që i largoi politikisht dhe ekonomikisht nga Europa, si dhe pas luftrave të përgjakëshme, shtetet ballkanike dëshiruan dhe realizuan transformimin në sistemin demokratik të tipit perëndimor, drejtuan politikën e tyre ndaj Europës, duke vendosur drejtimin e tyre me orientim nga Brukseli. Popujt e këtyre vendeve prisnin realizimin e shpejtë të dëshirës së përfshirjes në familjen europiane, si pjestarë të së cilës janë. Fatet e deritanishme janë të ndryshme. Arritën të bëhen shtete anëtare Sllovenia dhe Hungaria. Bullgaria dhe Rumania do të bëhen anëtarë. Kroacia priste të fillonin bisedimet për antarsimin, por ato u ndërprenë pa afat të caktuat. Maqedonia mori statusin e kandidatit të ardhshëm. Ndërsa për shtetet e tjera, si dhe vendi ynë, Shqipëria, akoma nuk kanë një afat të përcaktuar konkretisht për t’u realizuar. Ndërsa për shqiptarët në Kosovë, pritet më parë njohja zyrtare e pavarësisë nga bashkësia ndërkombëtare, megjithëse ajo praktikisht e ushtron vetë administrimin shtetëror, nën vartësi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Bashkimi Europian ka realizuar antarsimin e antarëve të rinj sipas një proçedure të njohur, duke u vlerësuar standartet politike, ekonomike dhe sociale. Në këtë drejtim, nuk duhen krijuar iluzione dhe pakënaqësi për mosplotësimin e kërkesave të disa vendeve, sepse ato nuk i përmbushin akoma standartet e kërkuara. Këtë tregojnë konkretisht vendimet e marra, të cilat nuk duhen kuptuar si kërkesa thjesht në rritje të bashkësisë, por si një garanci për realizimin e kritereve të caktuara në përputhje me interesat e perspektivës së bashkësisë. Por në disa raste, ato nuk janë plotësuar ose nuk janë vlersuar me seriozitetin e kërkuar nga vendet që kanë paraqitur zyrtarisht kandidaturën e tyre për antarsim të plotë. Vonesat dhe koha e gjatë në shqyrtimin dhe zgjidhjen e këtyre kërkesave, tregojnë për domosdoshmërinë e kryerjes plotësisht të reformave të kërkuara dhe nevojën e krijimit të bindjes dhe besimit të nevojshëm për partneritet dhe zhvillim bashkëkohor të këtyre vendeve.
Për shtetet ballkanike, mbetet si prioritet kryerja e reformave politike, për të realizuar një transformim në mendimin politik bashkëkohor të brendëshëm dhe atë rajonal, bashkëpunim të ngushtë ekonomik, marrëdhënie kulturore dhe të komunikimit të afërt vëllazëror të fqinjësisë së mirë, si dhe forcimin e mëtejshëm të luftës kundër kriminalitetit dhe trafikut të njerëzve e të drogës. Atë që realizuan me një vizion të gjerë para gjashtëdhjetë vjetëve, gjashtë vendet kryesore europiane që krijuan Bashkimin Europian, kërkohet nga vetë popujt e rajonit tonë ballkanik, për t’u realizuar nga politikanët e shteteve tona. Mendoj se reformat në vendet e veçanta, është e domosdoshme të koordinohen dhe harmonizohen me ato në vendet e tjera të rajonit dhe njëkohësisht me kërkesat e Bashkimit Europian, për të realizuar stadin më të lartë të veprimtarisë së përbashkët në kuadrin e bashkësisë europiane. Në këtë kuptim, nuk shtrohet nevoja e ndonjë "bashkësie ballkanike“, siç u orvat Tito me krijimin e Jugosllavisë dhe dëshirën për të shtrirë ndikimin në vendet e tjera me orientimin sovjetik të periudhës pas luftës së dytë botërore, në kuadrin e sistemit komunist. Edhe ndonjë pakt i veçantë i tipit të "Shenkes“, nuk do t’i përshtatej zhvillimeve të kohës, pasi janë kapërcyer ato kushte dhe nuk shtrohen të njëjtat nevoja. Shtetet dhe popujt e rajonit kërkojnë antarsimin në Bashkimin Europian, integrim dhe lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave në Europë. Disa vende janë antarë si Greqia, Sllovenia dhe Hungaria. Vendet e tjera kërkojnë dhe presin antarsimin. Integrimi ballkanik është e nevojshme të shikohet dhe realizohet si integrim i perspektivës së përbashkët europiane. Praktika e marrdhënieve bilaterale dhe multilaterale e shteteve ballkanike për lëvizjen e njerëzve dhe komunikimet ekonomike dhe tregtare, kërkohet po mbi këtë orientim të realizohet.
Popujt e Ballkanit kanë histori me dhimbje të mëdha të së kaluarës, të cilat duhet të kapërcehen me ndërgjegje dhe ndjenjë të çiltër të vërtetë, duke hequr paragjykimet e dëmshme. Nuk duhen krijuar tensione dhe presione nga më të ndryshmet për të realizuar në mënyrë të hapur ose të maskuar, ide dhe dëshira të vjetra të mbetura nga e kaluara. Dy luftrat ballkanike dhe ato botërore kanë lënë gjurmë të thella në jetën e popujve tanë, të cilat kanë influencuar në politikat shtetërore. Më i dëmtuari ka qenë populli ynë. Dhe neve jemi megjithatë më të hapur dhe më të gatshëm për këtë afrim dhe integrim rajonal. E kaluara e lashtë dhe realiteti i kohës moderne na mëson të shohim përpara, të mos kthejmë kokën prapa për të kërkuar të drejta ose të padrejta historike, që nuk i vlejnë të ardhmes, të mos kërkojmë të bëhemi "kujdestarë“, ose "partnerë“ me qëllime të caktuara për njëri-tjetrin, për të shtuar praninë ushtarake dhe marrë zotërimin e fushave kryesore ekonomioke, të luftohen tendencat shoviniste, duke zbatuar një politikë të barazizë së vërtetë të pakicave dhe minoriteteve, siç bën me sukses Shqipëria, të pranojmë dhe të mësohemi me realitetet e tanishme dhe kërkesat në rritje të zhvillimit perspektiv në kuadrin e bashkësisë europiane.
Reformat na afrojnë dhe bashkojnë më shumë në realizimin e aspiratave kombëtare për të ardhmen e përbashkët. Për disa vende, sidomos të Ballkanit Perëndimor, rruga për në Bruksel është akoma e pa dukshme, me mjegull, dhe ndryshon nga ajo e disa vendeve të tjera. Prandaj vendet ballkanike marshojnë me qëllime dhe detyra të ndryshme në të njejtën rrugë për në Bruksel. Ky realitet ndikon edhe në mangësitë e kooperimit dhe zhvillimit të përbashkët rajonal. Mënjanimi i pasojave të këtij ndikimi shtron nevojën e bashkëpunimit të ngushtë politik dhe ekonomik rajonal ndërshtetëror. Nevojës së një "Patchëork“ , për një lidhje sa më të ngushtë, i shërbeu edhe takimi në Sofje i Shefave të Shteteve dhe Qeverive të Rajonit, të organizuar me interesimin e Presidentit Bullgar, Paruanou, të ndihmuar nga Presidenti Maqedonas, Cervenkovski, dhe nga "Institute for European Affairs“(Inea), me qendër në Düsseldorf, në Gjermani. “Ka shumë raste të prioriteteve nacionale dhe një mangësi në arritjen e qëllimeve politike në këtë rajon”, kritikoi me të drejtë Paruanou në mënyrë të hapur dhe afroi njëkohësisht ndihmën e fqinjësisë, për të gjitha vendet që duan të ndjekin shembullin e Bullgarisë, për antarsimin në Bashkimin Europian. Thellimi i bashkëpunimit dhe i ndihmës reciproke u vu në dukje nga të gjithë palët pjesëmarrëse.
Në fushën ekonomike del e nevojshme të marri prioritet një zonë e lirë tregtare, për të mënjanuar kufizimet e shumta doganore dhe pengesat e ndryshme shtetërore nga interesa të veçanta nacionale, të cilat nuk duhet të mbivlerësohen në dëm të shteteve të tjera. Ndërtimi i një rrjeti energjetik rajonal, do të ndikonte në plotësimin e nevojave të ekonomisë dhe përdorimin racional të burimeve natyrale. Infrastruktura ka nevojë për investime të shumta dhe përpjekje të përbashkëta për të rritur shpejtësinë e komunikimit rajonal dhe lidhjeve me Europën Qëndrore, Turqinë, Rusinë dhe Lindjen e Mesme.
Fondet e nevojshme financiare, shpesh krijohen dhe ka mundësi të gjenden, por mungon vullneti politik i kërkuar, si dhe legjislacioni me norma stimuluese për të përpunuar dhe realizuar projektet e përbashkëta dhe moslejimin e manovrimeve të ndryshme për korrupsion dhe përfitime të paligjshme. Është me interes që nga Adriatiku deri në Detin e Zi, të udhëtohet me makinë për tetë orë, një rrugë që të çon nga Serbianë Stamboll etj., duke mënjanuar formalitetet e shumta doganore. Në ndërtimin e rugëve të reja kryqëzohen interesa aq të ndryshme sa e bëjnë të pa mundur investimin nga shoqëritë e interesuara të ndërtimit të rrugëve. Një pronar i një firme turke, përmënd një shembull, se për të ndërtuar një rrugë nga Bosnja, Serbët duan që autostrada nga Sllovenia të fillojë nga bregdeti në Banja Luka, Kroatët duan të fillojnë punimet në Mostar. Personat përgjegjës në Ministritë përkatëse, ndërrohen shpesh dhe nuk mund të orientohesh dot për miratimin e projektit. Ndërsa për ndërtimin e rrugëve hekurudhore, është akoma më e vështirë proçedura për realizimin e tyre. Pengesa të kësaj natyre janë konstatuar edhe për investimet strategjike në Shqipëri, për korridorin e pestë dhe të tetë, ku shtetet fqinje që kanë dashur të kenë prioritete, nuk përputhen me qëllimet e përgjithshme ballkanike dhe europiane.
Në Ballkanin Perëndimor kërkohet të realizohen konkretisht angazhimet ndërkombëtare. Zgjedhjet komunale në Maqedoni, më 14 mars 2005, tregojnë për fillimin e realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, për të forcuar të drejtat e shqiptarëve, që janë pjesë me rëndësi e popullsisë dhe kanë të drejtën e tyre të pjesmarrjes në strukturat shtetërore, gjuhën kombëtare zyrtare shqipen, etj. Në Bosnje, mbaron në vjeshtë mandati i përfaqësuesve të lartë shtetërorë dhe mendohet për një Kushtetutë që do të krijonte mundësitë e përfaqësimit të njëjtë të dy pjesëve të republikës. Kërkesa e vazhdueshme e Malit të Zi për pavarësi, është penguar deri tani për t’u realizuar. Dëshira Serbe për të mbajtur në bashkësi Malin e Zi, është përkrahur deri tani edhe nga Europa. Kryeministri i Serbisë, Djukanoviç, vuri në dukje edhe një herë në Sofje, se vendi i tij dëshiron, në fillim të vitit 2006, të bëjë një referendum popullor për shkëputjen nga Serbia.
Problemi dhe plaga më e vështirë mbatet Kosova. Zgjidhja përfundimtare e problemit të saj të pavarësisë së plotë, lidhet me stabilitetin në rajon dhe ndikon pozitivisht për investimet e huaja. Administratori i Lartë i administratës së Përkohshme të OKB-së, Jessen-Petersen, lavdëroi qëndrimin “dinjitoz” të Kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u paraqit vetë në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës, në Hagë. Ai akuzohet për krime ndaj popullsisë serbe dhe shqiptare gjatë luftës së Kosovës, ku ai ishte komandanti i UÇK-së. Akuzat bëhen nga Serbia për 20 krime kundër njerëzve të ndryshëm dhe 17 krime lufte. Për atë dhe dy të akuzuarit bashkë me të, paraqiten prova se, nga marsi deri në shtator 1998, gjatë luftimeve të zhvilluara prej tyre, kanë marrë me dhunë dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre, serbë dhe romë, ndërsa ata që kanë mbetur, i kanë vrarë dhe kanë sulmuar refugjatët. Ata akuzohen edhe se, nga maji deri në gusht 1998, nga personat që kanë qenë në koalicion me Serbinë, kanë mbajtur të izoluar 16 persona, i kanë goditur dhe vrarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në luftimet e dyanëshme.
Haradinaj dhe veteranët e UÇK-së, shihen dhe vlerësohen për kontributin e tyre historik ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Paraqitja e tij, vërtetoi se, ai e mbajti premtimin e bërë, kur u zgjodh. Ai dha shpjegime para gjykatës, duke mos pranuar akuzën e bërë. Kjo tregon edhe për bindjen e ndërgjegjshme dhe respektin ndaj këtij forumi të lartë ndërkombëtar të drejtësisë. Akuza është ndaj tij si person, dhe nuk ka vend të zgjerohet padrejtësisht ky fakt me qëndrimin ndaj problemit shqiptar në Kosovë. Nuk bëhet as edhe një ballancim me qëndrimin ndaj personave të akuzuar në Serbi, duke filluar me diktatorin Sllobodan Millosheviç, etj. Ai do t’i nënshtrohet proçedurës së rregullt ligjore për sqarimin e përgjegjësisë së tij. Ka vend të theksohet se marrja e tij në përgjegjësi penale, është një veprim i drejtë ligjor në përputhje me normat e demokracisë. Para gjykatës detyrohet të paraqitet cilido që dyshohet dhe akuzohet për një krim. Gjykata është organi që do të japi zgjidhjen e fajësisë ose pafajësisë së tij. Megjithatë, nuk duhet pa u vënë në dukje edhe manovra e Beogradit, për të zbutur përgjegjësinë serbe dhe për të bërë fajtore edhe palën shqiptare, si dhe nëpërmjet saj, Europën, Amerikën dhe bashkësinë ndërkombëtare në tërësi për luftë e drejtë në Kosovë.
Është e drejtë kërkesa që Europa të ketë më shumë vëmendjen në të gjithë Ballkanin, pa u bërë diferencime, siç pretendojnë serbët në krahasim me Kosovën. Por, për probleme të caktuara, është e nevojëshme të ketë prioritete të veçanta, në mënyrë që të zgjidhen problemet emprehta që nxjerr koha dhe të mënjanohen padrejtësitë historike që dëmtojnë stabilitetin dhe zhvillimin e sotëm. Nga vëzhgues të ndryshëm politikë, ndodh që të mos bëhen analiza të plota të shkaqeve të krizave politike.Ka në ndonjë rast që jepen mendime, të cilat nuk përputhen me realitetin dhe që tregojnë se nuk njihet në masën e duhur qëndrimi shovinist serb ndaj popujve të tjerë dhe vështirësitë e bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e problemeve të mprehta pas prishjes së Jugosllavisë, të cilat përfunduan me luftë midis popujve që kishin jetuar së bashku për pesëdhjetë vjet nën sundimin komunist. Për këtë arsye, nuk është e drejtë, që duke ju referuar thënies së presidentit Serb, shkruhet, se “Çfarë do të thotë kjo për t’u kuptuar nga Europa? Kjo do të thotë se nuk duhet të mendohet më shumë për Kosovën, që OKB-ja të rrisi më shumë praninë e saj. I gjithë rajoni duhet të jetë më shumë se deri tani, në vëmëndjen e saj. Dhe në mënyrë të plotë, duhet të marrë një vështrim të plotë mbi Ballkanin
Problemi i Kosovës është një proçedurë në zgjidhje e sipër, i cili do të përfundojë më pavarësinë e saj. Sipas deklarimit të Jesser-Petersen, për këtë qëllim, parashikohet të bisedohet në vjeshtë për statusin e Kosovës. Në këtë çështje, kërkesa e Presidentit të Serbisë, Tadiç, për kthimin e 200 000 refugjatëve serbë në këtë provincë, dhe për të rikujtuar, se në shkëputjen e Kosovës është e domosdoshme “të mbahen parasysh interesat e drejta të të dy palëve”.
Për Europën kjo do të thotë se kërkohet më shumë angazhim në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Me të drejtë është kërkuar ndihma e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe rritja e pranisë së saj në këtë rajon, pasi nuk mund të arrihej një zgjidhje e drejtë për vetë ndikimim negativ dhe agresiv të Serbisë.
Europa e ka vlersuar gjithmonë Serbinë dhe në disa momente janë toleruar veprimet e saj në dëm të popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë. Padrejtësitë më të mëdha kanë qenë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi. Interesimi i Europës dhe sidomos angazhimi konkret Amerikan, si dhe i bashkësisë ndërkombëtare, ndikoi që të njihet dhe t’i jepej një zgjidhje realizimit të të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë dhe shqiptarët në tërësi të ndjehen më të mbrojtur, kudo që janë.
Tani Serbia nuk është më vendi i privilegjuar i kohës së luftës së ftohtë, e cila ndikonte në fatet e popujve të tjerë ballkanikë. Populli serb duhet të kuptojë dhe respektojë interesat dhe të drejtat e popujve të tjerë, t’i dëmshpërblejë ata sipas rregullave ndërkombëtare dhe të mësohet të jetojë në fqinjësi të mirë me ta. Njerëzit duhet të ç’indoktrinohen nga ideologjia e Serbisë së Madhe, të bëhen më realistë dhe më të mos ndikohen nga nacionalizmi, por nga vëllazërimi në marrëdhëniet me popujt e tjerë. Politikanët duhet të heqin dorë nga kërkesat e sundimit të të tjerëve dhe të tregojnë ndryshimimin e kërkuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, të mos jenë fodullë dhe megalomanë dhe të tregojnë sjellje të pranueshme për kohën e sotme edhe në takimet zyrtare ndërkombëtare.
Bashkimi Europian, pas tre ditë diskutimesh, 24 orë përpara fillimit të bisedime të planifikuara me Kroacinë për antarësimin e saj, i shtyu ato pa vendosur një afat të caktuar. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, i bënë të qartë Qeverisë në Zagreb, se nuk ka ndihmuar dhe bashkëpunuar me të gjitha “mundësitë” e saj Tribunalin e Krimeve të Luftës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Hagë. “Bashkimi Europian është i gatshëm për bisedime, në rast se Kroacia përmbush kërkesat për këtë qëllim”, njoftoi Komisioneri për Kërkesat për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Olli Rehn, në Bruksel. Në debatet e zhvilluara nga Ministrat e Jashtëm, u theksua nga shumica, se është provuar mungesa e bashkëpunimit për mos arrestimin dhe mos dërgimin në Gjykatën Ndërkombëtare të gjeneralit të shumë kërkuar, Ante Gotovina. Deri në çastin e fundit, kishin bërë të gjitha përpjekjet tërë pjesëmarrësit e kësaj mbledhjeje për të mënjanuar këtë vendim të pazakontë, i pari i kësaj natyre në veprimtarinë e bashkësisë.
“Dera, që udhëheq Kroacinë në drejtim të Europës, është e hapur dhe qëndron e hapur”, vuri në dukje Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jan Aselborn, i cili është kryesuesi i rradhës së Këshillit të Ministrave të Jashtëm. Edhe Ministri i Jashtë Britanik, Jack Straw komentoi, se “Neve jemi për atë, që me Kroacinë të fillojnë bisedimet për antarësim. Por nga vlersimet tona, kjo nuk mund të ndodhi sot”. Më datën 15 mars 2005, të martën, në darkë, arriti në Bruksel edhe Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, për një këshillim të fundit, por pa sukses. Ai u lut për të dërguar në Zagreb një komision ekspertësh. “Për Kroacinë ngrihen shumë gjëra, me të cilat po luhet me neve”, sqaroi Sanader. “Neve nuk dimë ku Gotovina fshihet”.
Për vendndodhjen e tij në Kroaci, është e sigurtë shefja e akuzës në Tribunalin e Hagës, Prokurorja, Carla del Ponte. Ajo akuzon Qeverinë Kroate për lojë të dyfishtë dhe mos koordinim me Hagën. Për këtë deklaroi, edhe një herë, një ditë përpara mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, se ka prova të plota që si pasojë e masave të pakta nga Zagrebi, ai ka akoma mbështetje në Kroaci dhe se nuk janë marrë të gjitha masat e nevojëshme për t’a sjellë atë në Hagë. Diplomatë të ndryshëm, si ata Gjermanë, mbështetën se ka prova, jo vetëm nga Haga për këtë problem. Edhe “burime të tjera” vërtetojnë, se Kroacia “mund t’a arrestonte Gotovinin, po të ekzistonte për këtë dëshira tek njerëzit”. Në këtë vend festohet për këtë gjeneral, si një hero i luftës për pavarësinë e Kroacisë. Ajo që thuhet nga burime zyrtare të Zagrebit se janë dyshime, mund të vërtetohet lehtë në mbështetjen që i bëhet udhëheqësit të ofensivës në Kranija në vitin 1995, në luftën me Serbinë.
Tribunali në Hagë e akuzon Gotovinën për vrasjen e 150 serbëve dhe shpërnguljen me forcë të 150 000 njerëzve gjatë periudhës së ofensivës në Krajina, në vitin 1995. Qëndrimi zyrtar i Kroacisë, duke ju referuar deklarimeve të Kryeministrit, Sanader, është, se “Ai duhet të paraqitet dhe të përgjigjet vetë për akuzën që i bëhet. Kroacia u pushtua dhe arriti vetë të çlirohej. Neve jemi krenarë për këto operacione ushtarake. Megjithatë, edhe në gjuhën e një lufte çlirimtare, mund të ndodhin krime, të cilat dalin jashtë dyshimeve. Për këtë arsye, është e domosdoshme, që kushdo që do të akuzohet, të sqarojë në mënyrë të plotë dhe haptazi rolin dhe qëndrimin e tij. Kjo qëndron edhe për Gotovina”.
Vendimi i Brukselit nuk u mirëprit nga kroatët. “Unë dëshiroj të bëj të ditur pakënaqësinë time me këtë vendim”, theksoi Sanader pas vendimit të Ministrave të Jashtëm. Në sqarimin e bërë prej tij, në Sabor (Parlament), ai tha se Kroacia nuk e meritonte këtë vendim. Por njëkohësisht për këtë problem, të gjithë Ministrat e jashtëm kanë arritur në mendimin për bisedime në të ardhmen. Në këtë rast ishin konseguentë në kundërshtimin e tyre për bisedime Britania e Madhe, Hollanda, Suedia dhe Danimarka. Gjermania ra “dakort vetëm për spostimin e bisedimeve”. Austria, Hungaria, Sllovenia dhe Sllovakia insistuan për fillimin e bisedimeve. Përderisa Gotovina nuk do të paraqitet në Hagë, nuk do të ketë fillime të bisedimeve.
Kroacia do të ishte vendi i parë Ballkanik që do të antarësohej. Shtyrja pa afat e bisedimeve është një goditje e rëndë për Kroacinë. Ka mendime, se qëndrimi ndaj Kroacisë është më i rëndë se ndaj Turqisë, pasi nuk janë zbatuar të njëjtat kërkesa. Krahasimi, mendoj se nuk i përshtatet vlersimit të drejtë të arsyeve që ndikuan në marrjen e këtij vendimi. Turqia nuk ka probleme të kësaj natyre, për akuza për krime lufte në Tribunalin e Hagës, si Kroacia. Bashkëpunimi i Turqisë me Bashkimin Europian është i plotë dhe pa rezerva. Nga ana tjetër, duhet theksuar, se edhe për Turqinë janë vënë shumë kërkesa të rrepta, të cilat ajo dëshiron t’i plotësojë, si për njohjen e Qipros etj., që përbën një moment shumë delikat të politikës turke dhe të reagimit në tërësi të popujve të bashkësië myslimane.
Kroacia ka nevojë të kuptojë seriozisht rëndësinë e ligjit dhe të drejtësisë në demokraci. Principet e shtetit të së drejtës nuk duhen të nënvleftësohen nga qëndrime politike oportuniste. Për krimet e luftës nuk mund të bëhet asnjë lëshim. Ashtu si Gotovina në Kroaci, po ashtu edhe Karadziç dhe Vlladiç, në Bosnje, si dhe kriminelë të tjerë në Serbi, duhet të japin llogari përpara Gjykatës në Hagë. Bota e qytetëruar nuk mund të pranohet me mbrojtjen e padrejtë që u bëhet kriminelëve të luftës. Nuk mund të mendohet që në Europë mund të antarësohesh, kur nuk lufton kundër krimeve të luftës. Kjo është arësyeja, që me dhimbje themi për Kroacinë, e cila ka bërë përparime në reformat politike, ekonomike, uljen e kriminalitetit etj., si dhe politikën e fqinjësisë së mirë që zbaton në Ballkan.
Në këtë periudhë të konsolidimit shtetëror të Bashkimit Europian dhe veçanërisht të fillimit të miratimit të Kushtetutës Europiane, siç u realizuar në Spanjë më 22 shkurt 2004, si vendi i parë që miratoi këtë kushtetutë, dalin probleme madhore të së ardhmes së bashkësisë. Reagimet jo pozitive, për vendimin për fillimin e bisedimeve për antarësim të Turqisë, nga disa grupime politike konservatore në opozitë në disa shtete, si Gjermania, Franca, Anglia etj., shtrojnë taktikisht nevojën e një kërkese më të rreptë për shtetet që kërkojnë të antarësohen. Qëndrimet e tanishme, të krijojnë përshtypjen e një manovre të re , e cila është e domosdoshme të kuptohet objektivisht. Sukseset e arritura në zgjerimin e bashkësisë janë inkurajuese. Edhe për të ardhmen strategjia e saj nuk ka ndryshuar. Por popujt është me rëndësi të kuptojnë konkretisht dhe t’a ndiejnë në mënyrë të natyrshme përgjegjësine e tyre për zgjerimin dhe konsolidimin e bashkësisë. Ndërsa qarqet e ndryshme politike konservatore, si dhe grupime të tjera me mendime të ndryshme duhet të kuptojnë se qëllimi i përbashkët është konsolidimi dhe forcimi i bashkësisë, pa u dëmtuar roli aktiv i shteteve antare, me antarsime të reja në mënyrë të nxituar. Në këtë drejtim tërheq vëmëndjen, sidomos, paralizimi i politikës së grupimeve të majta ose të djathta nacionaliste, të cilat orvaten të çorodisin opinionin dhe të pengojnë ose të mos arrihet rezultati i dëshëruar i miratimit të Kushtetutës Eurpoiane me anë të referendumit popullor.
Periudha e tanishme e miratimit të Kushtetutës Europiane dhe politika e konsolidimit dhe forcimit me sukses të Bashkimit Europian, ka për qëllim të bëjë të qarta arritjet e deritanishme, të tregojë se ajo është në të mirën e të gjithë shteteve dhe popujve të saj, perspektiva e përbashkët është më e mirë dhe më e sigurtë dhe se bashkësia është zgjidhja e dëshëruar për të përballuar problemet e rëndsishme të zhvillimit të sotëm, duke e afirmuar Europën si një fuqi të madhe të kohës, ku popujt e saj dhe bashkësia ndërkombëtare do të mund të zgjidhin më mirë sfidat e kohës dhe të vendosen raporte më ballancuese në marrëdhëniet ndërkombëtare. Prandaj, është me shumë rëndësi të kuptohet në përmbajtje politika e tanishme e Bashkimit Europian, jo tjeshtë si një lojë politike teatrale, por si nevojë për ruajtjen dhe konsolidimin e bashkësisë. Në kriteret e shtruara për disa vende, qëndrojnë pikërisht detyrat e dala nga përvoja e deritanishe e zgjerimit të bashkësisë dhe mënjanimit të të metave të konstatuara, të cilat shfrytëzohet nga qarqe kundërshtare për të dëmtuar arritjet e deri tanishme. Shtetet e Ballkanit e kanë të nevojshme të reagojnë me më shumë rezultate konkrete në politikën e tyre dhe arritjet konkrete politike, ekonomike dhe shoqërore të integrimit rajonal, për të bërë dhe arritur hopin cilësor të integrimit qëndror Europian.
Kërkesat për antarësim dhe politika e Bashkimit Europian për konsolidimin dhe zgjerimin e tij territorial, kanë nevojë të analizohen dhe kuptohen në një aspekt të gjerë politik dhe ekonomik, në radhë të parë, në kuadrin e bashkësisë, dhe më tej, në aspektin më të gjerë të klimës politike dhe ekonomike ndërkombëtare, të cilat japin ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në këtë fazë jetike të zhvilimeve rajonale dhe botërore. Europa e Bashkuar është një realitet që po merr vendin e vet në marrëdhëniet midis shteteve europiane dhe po krijon raporte të reja, të cilat kanë nevojë për afirmim të mëtejshëm, të vendosen raporte partneriteti të qëndrueshme dhe të arrihen zgjidhje graduale të strategjisë së shtrirjes së saj, pa u krijuar probleme të komplikuara.
Prandaj, kërkesat për antarësim kërkohet të vlersohen në mënyrë të dyanshme, për t’u harmonizuar interesat e bashkësisë dhe të kandidatëve të rinj, në aspektin politik, ekonomik, social dhe më gjerë. Në këtë drejtim luan rol sidomos opinioni i brendshëm i popujve të bashkësisë, që ata të mos ndiejnë barrën ekonomike në rritje të pasojave të pranimit të antarve të rinj, të mos preket niveli i jetesës së tyre, të mos rritet në nivele të larta papunësia, e cila po shënon shifra shumë të larta, dhe të vlerësojnë në mënyrë të vetëdijshme nevojën e zgjerimit si një domosdoshmëri. Edhe vetë shtetet që kërkojnë të antarsohen të mos e shohin Europën e Bashkuar thjesht si një mundësi për të arritur standarte më të larta ekonomike dhe sociale, pa u realizuar plotësisht reformat e domosdoshme politike, ekonomike dhe sociale.
Për këto arësye, ka vend të rritet kërkesa e llogarisë dhe përgjegjësia për kërkesat për antarësim nga vetë vendet që e dëshërojnë integrimin në bashkësi, që ato të arrijnë standartet e kërkuara të bashkësisë, të jenë të aftë të realizojnë zhvillimin e tyre të mëtejshëm ekonomik në kuadrin e bashkësisë, pa u bërë barrë ekonomike për shtetet e tjera dhe taksa paguesit, popullin e thjeshtë të këtyre vendeve. Duke siguruar nivelet bashkëkohore ekonomike dhe sociale, ato do të jenë më të simpatizuara dhe më të pranueshme për antarsim dhe marrëdhënie të barabarta partneriteti në bashkësi.
Bashkimi Europian është e domosdoshme të jetë më i pranishëm dhe më i angazhuar në mënyrë konkrete në jetën e përditshme politike, ekonomike dhe sociale në rajonin e Ballkanit. Në praktikë ndjehet një boshllëk. Është e kuptueshme se bashkësia nuk ka një sistem shtetëror të përkryer për të përballuar të gjitha problemet e konsolidimit dhe të perspektivës së zgjerimit të saj. Megjithatë, ka vend për një veprimtari më të prekshme nga të gjithë strukturat që veprojnë aktualisht. Vendimet që merren ka vend të jenë pasojë e një pune të madhe të vazhdueshme dhe këmëngulëse, për të mënjanuar pasoja të pa dëshirueshme, të cilat pengojnë reformat dhe ulin besimin e popujve të kësaj zone ndaj bashkësisë. Koordinimi dhe ndihma reciproke konkrete midis vendeve ballanike dhe Bashkimit Europian, do t’a bëjë më të efektshme politikën e integrimit europian. Për këto probleme ka rëndësi të koordinohet më mirë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat luajnë rol aktiv në këtë rajon. Kjo diktohet edhe për vetë faktin e marrëdhënieve të mira dhe marrëveshjeve të veçanta që këto vende kanë me Amerikën. Duke mos qënë antare të Bashkimit Europian, ato kanë orientim të politikës së tyre nga Brukseli dhe nga Amerika.
Shqipëria ka treguar vëmendje të veçantë për realizimin e kërkesave të Bashkimit Europian për antarsimin. Për këtë janë të angazhuara të gjitha forcat politike, gjë që nuk ndodh me kaq unitet në vendet e tjera. Në këtë periudhë, shtrohet sidomos rëndësia për zhvillimin e zgjedhjeve të reja me drejtësi dhe korrektësi. Si partia në pushtet dhe partitë opozitare që duan të fitojnë zgjedhjet për të ardhur në drejtimin e vendit, kërkohet të jenë shumë rigoroze ndaj kësaj kërkese, për të mos u ndodhur parat të papriturave, si Kroacia. Megjithë përmirësimet e bëra, duhet të pranojmë se nuk e kemi atë zhvillim ekonomik bashkëkohor të nivelit europian. Për këtë arësye, mund të gjenden dobësi të cilat mund të interpretohen në mënyra të ndryshme të pa dëshiruara nga neve. Rëndësi ka të ruhet niveli në rritje i zhvillimit pët të krijuar besimin në të ardhmen më të mirë që do të arrihet nga vetë shqiptarët.
Mësimet e nxjerra nga e kaluara, ka vend të mbahen kurdoherë parasysh. Puna e deritanishme, që ndiqet nga afër nga organizmat ndërkombëtare, që përfaqësohen edhe në Shqipëri, tregon se partitë kryesore duhet të zgjidhin me tolerancë mosmarrëveshjet dhe mendimet e ndryshme që kanë, për probleme të caktuara. Acarimet dhe pozicionimet janë të dëmshme dhe dëmtojnë të gjithë. Prandaj secila palë ka përgjegjësi për ecurinë e mirë të zgjedhjeve. Përgatitjet e bëra dhe mbledhjet e partive politike, po tregojnë kulturën e nevojshme qytetare, e cila duhet ruajtur deri në fund me pranimin e rezultatit të zgjedhjeve duke treguar më shumë besim tek Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në interes të demokracisë dhe të dëshirës së përgjithshme të antarsimit në Bashkimin Europian. Jo vetëm optimizmi dhe dëshira jonë e mirë, por përkushtimi konkret i politikanëve dhe popullit për zgjedhjet e lira, rrit besimin dhe shpresën në realizimin e aspiratës për t’u bashkuar dhe integruar me shtetet dhe popujt e tjerë të Bashkimit Europian.