E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studentja e farmacisë përplaset në trotuar

09/05/2005  Aksidentohet me vdekje

KUÇOVË - Mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 21.30, një aksident automobilistik në Kuçovë, i ka marrë jetën 23-vjeçares Elona Bizhoti, banore e lagjes “1 Maji”, studente e vitit të fundit në degën farmaci. Sipas burimeve të policisë të këtij qyteti, ka qënë një makinë me targa KV 2159 A, e cila drejtohej nga 30-vjeçari Agim Mahmutaj, që ka shkaktuar aksidentin fatal për vajzën e re. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se drejtuesi i makinës, dyshohet se ka bërë një parakalim të gabuar, që e ka marrë para 23-vjeçaren, dhe pas një saltoje, ajo është përplasur në trotuarin e rrugës.

Ngjarja e fatale për studenten e vitit të fundit të farmacisë, ka ndodhur në vendin e quajtur Kthesa e Bankës, po në të njëjtën lagje ku banonte dhe drejtuesi i mjetit, Mahmutaj, i cili udhëtonte nga lagjia për në qendër të qytetit.

Kanë qenë kalimtarët e rastësishëm që i kanë dhënë ndihmën e parë vajzës, duke e çuar në spitalin rajonal të Beratit. Por sapo viktima ka mbërritur në repartin e urgjencës, mjekët kanë konstatuar se viktima ishte e vdekur. Më pas, bluzat e bardha të urgjencës, janë detyruar ta dërgojnë trupin e pa jetë të studentes, në morgun e spitalit.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë grupi i ekspertëve ligjorë dhe ekspertët e qarkullimit rrugor, për të kryer proçedurat e para ligjore. Mbrëmjen e së shtunës, policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit Agim Mahmutaj, me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›