E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani kërkon fitore kundër kampiones

Prishtinë, 29 gusht - Trajneri i Trepçës, Gani Sejdiu, vlerëson se ka ardhur momenti i duhur që skuadra kampione t'u kthehet fitoreve. Trepça të dielën nga ora 17:00 pret Ballkanin e Therandës, në derbin e javës së tretë të Raiffeisen Superligës. Kampionia Trepça nuk ka fituar në dy ndeshjet e para. Barazoi me Drenicën dhe humbi nga Trepça '89. Skuadra e kthyer në elitë pas dhjetë vjetësh, Ballkani, ka fituar dy ndeshjet e para dhe i prin klasifikimit me gjashtë pikë. 

"Do të jetë ndeshje e vështirë për ne, pasi skuadra e Ballkanit jo rastësisht i ka fituar dy ndeshjet e para. Kemi të bëjmë me një skuadër shumë të fortë dhe kualitative. Për ne është shumë e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje, pasi ka ardhur momenti i braktisjes së rezultateve negative. Do të aplikojmë lojë sulmuese që të fitojmë këtë takim. Në dy ndeshjet e para nuk kemi treguar rezultate të mira, por kjo nuk ka rëndësi, pasi stinori është shumë i gjatë dhe ka vend për përmirësime. Ne tashmë kemi filluar ta zbulojmë se ku kemi mungesë. Na duhet një lojtar në mesfushë, pasi deri tani aty nuk kemi qenë të mirë", ka thënë Sejdiu.

Sejdiu nuk mund të llogarit në Visar Sermaxhajn e suspenduar, kurse në dyshim është paraqitja e Elvis Osmanit e Liridon Ahmetit që janë të lënduar.

Ballkani në Mitrovicë do të udhëtojë pa Patrik Doçin, Lavdim Hysenin e Mentor Kryeziun që mungojnë shkaku i kartonëve. Trajneri Adil Vokrri thotë se mungesa e këtyre tre futbollistëve do të jetë hendikep i madh për skuadrën e tij.

"Në Mitrovicë do të udhëtojmë pa tre lojtarë të ekipit bazë. Kjo do të jetë hendikep për ne, por pavarësisht këtyre mungesave ne do të mundohemi të luajmë lojë të mirë dhe të kthehemi me rezultat pozitiv. E dimë që Trepça është kampione aktuale por kjo nuk na intereson. Ne do kërkojmë fitoren e tretë rresht", ka thënë Vokrri.

Ndeshje rivalizuese pritet të zhvillohet edhe në Pejë, ku takohen dy skuadrat më të suksesshme të pasluftës, Besa e Prishtina. 

Raiffeisen Superliga - III

E diel (17:00)

Besa - Prishtina
Vëllaznimi - Liria
Trepça - Ballkani
Ferizaj - Flamurtari
Hysi – Drenica

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›