E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani mbetet test i BE-së

BE-ja duhet të vazhdojë çminimin politik të Ballkanit dhe të shfrytëzojë leksionet, të cilat i ka mësuar në këtë rajon, për të zhvilluar rolin e saj në fushën e politikës së jashtme.

Për dy dekada, Ballkani Perëndimor ka qenë një rajon që ka testuar politikën e jashtme të BE-së. Përderisa askush nuk ka dëshiruar që kjo të ndodhë në këtë mënyrë, politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë e Unionit ka lindur në kontekstin e luftërave në Ballkan në vitet e 90-ta. Që nga ajo kohë, Ballkani ka qenë kufi për zhvillimin e mëtutjeshëm të politikës së jashtme të BE-së.

Ishte kjo një lindje mjaft e vështirë dhe kemi mësuar leksione mjaft të vrazhda. Si rezultat i kësaj, ne sot jemi edhe më të aftë të punojmë për paqe dhe stabilitet.

Gjatë viteve të fundit, perspektiva evropiane ka ndihmuar në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Perspektiva dhe kushtet për anëtarësim në BE kanë lëvizur përpara reformat ekonomike dhe demokratike.

Kroacia po i afrohet vijës së fundit, pas negociatave që zgjatën katër vjet. Kemi aranzhimet për tregti të lirë në pjesën e mbetur të Ballkanit Perëndimor-në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri, Bosnje, Serbi dhe Kosovë. Ne po punojmë që në janar të vitit të ardhshëm të zgjerojmë regjimin për udhëtim pa viza në ato shtete, të cilat kanë përmbushur kushtet e BE-së, në veçanti kushtin për lëshimin e pasaportave biometrike.

Megjithatë, përparimi mbetet i brishtë. Përkundër stabilitetit relativ politik në rajon, në horizont nuk po duket fundi i historisë. Ne nuk duhet ti lejojmë vetës vetëkënaqësi gjatë përballjes me fushën e rrezikshme të minuar në Ballkanin Perëndimor as sa i përket problemeve bilaterale mes disa shteteve e as sa i përket ngecjeve të brendshme në disa shtete tjera.

Për këtë arsye duhet ta vazhdojmë politikën, të cilën unë do ta quaja politikë të çminimit në Ballkanin Perëndimor. Kjo nënkupton që të përballemi me problemet një nga një, duke gërshetuar fuqinë e butë të BE-së me mjetet klasike të diplomacisë.

Kemi vërejtur ca suksese, siç ishte marrëveshja e fundit për arbitrazh, për të zgjidhur grindjen kufitare mes Sllovenisë dhe Kroacisë, marrëveshje kjo e cila u nënshkrua më 4 nëntor në Stokholm. Kjo i mundëson Kroacisë të rifillojë negociatat për anëtarësim në Union.

Më tutje dëshirojmë të shohim përparim sa i përket zgjidhjes së grindjes për emrin kushtetues të Maqedonisë.

Si qeveria në Shkup ashtu edhe ajo në Athinë kanë mandat të freskët dhe të fuqishëm dhe dy palët kanë filluar të angazhohen në biseda serioze.

Në anën tjetër, Bosnja mbetet e zhytur në ngecje politike, e cila këtë vend e ka kthyer prapa. Sa u përket integrimeve në BE dhe NATO, Bosnja rrezikon të mbetet prapa shteteve tjera në rajon.

Shpresoj që për hir të qytetarëve të vet dhe Ballkanit Perëndimor, udhëheqësit e Bosnjës do të gjejnë një kompromis, i cili do ti ndihmojë vendit të lëvizë përpara.

Me hyrjen së shpejti në fuqi të Traktatit të Lisbonës, ne qëndrojmë para një mundësie historike që politikën e jashtme dhe rolin global të BE-së ta ngrehim në një nivel të ri.
Besueshmëria e BE-së si aktor global varet nga aftësia jonë për të formësuar fqinjësinë tonë. Në Europën Juglindore mund të bëjmë një dallim të vërtetë. Kjo është fusha në të cilën politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë e BE-së ka dëshmuar vlerat e saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›