E Diel, 1 Nëntor 2026

Vatikani në kërkim të alienëve

E.T i telefonon Romës. Gati 400 vjet pas arrestimit të Galileos, për shkak se kishte sfiduar qëndrimin se toka është qendra e universit, Vatikani ka ftuar ekspertë për të studiuar mundësinë e ekzistencës së jetës jashtëtokësore dhe ndikimit të saj të mundshëm ndaj kishës katolike.

Çështja e origjinës së jetës dhe çështja se a ka jetë në pjesët tjera të universit janë gjëra të cilat e meritojnë një shqyrtim serioz, tha Ati Gabriel Funes, astronom dhe drejtor i observatorit të Vatikanit.

Funes, një prift jezuit, rezultatet e tij i shpalosi gjatë kësaj jave në konferencën e cila tuboi astronomë, fizicientë, biologë dhe ekspertë tjerë për të diskutuar për fushën e astrobiologjisë, e cila studion origjinën e jetës dhe ekzistencën e saj në pjesët tjera të universit.

Funes theksoi se mundësia e jetës jashtëtokësore ngrit shumë ndërlikime filozofike dhe teologjike, por shtoi se konferenca kryesisht u përqendrua në perspektivën shkencore dhe në atë se si mund të shfrytëzohen disiplinat e ndryshme për të hulumtuar këtë çështje.
Chris Impey, profesor i astronomisë në Universitetin e Arizonës, theksoi se është mirë që Vatikani ka organizuar një tubim të këtillë.

Ekziston një terren i mesëm për dialog ndërmjet praktikuesve të astrobiologjisë dhe të atyre, të cilët dëshirojnë të kuptojnë kuptimin e ekzistencës tonë në universin biologjik, tha Impey.

Së paku 30 shkencëtarë, në mesin e tyre edhe jo të krishterë nga SHBA-ja, Britania, Zvicra, Italia dhe Kili, morën pjesë në këtë konferencë, e cila u organizua që, ndër të tjera, të diskutohet për atë se a ka forma tjera të jetës në univers.

Kisha në Romë me kalimin e shekujve është zhvendosur në mënyrë radikale nga qëndrimet e veta, që nga koha kur filozofi italian Giordano Bruno u dogj i gjallë në vitin 1600, pasi që, ndër të tjera, kishte spekuluar se në univers mund të ketë edhe botë tjera të banuara.

Shkencëtarët kanë zbuluar me qindra planetë jashtë sistemit tonë diellor. Impey theksoi se zbulimi i jetës në planetët tjera është vetëm disa vite larg.

Nuk është kjo hera e parë që Vatikani po e shqyrton çështjen e jashtëtokësorëve: në vitin 2005, observatori i Vatikanit tuboi disa hulumtues të njohur për të marrë pjesë në një diskutim të ngjashëm. Në intervistën dhënë vitin e kaluar gazetës së Vatikanit LOsservatore Romano, Funes theksoi se besimi se në univers mund të ketë edhe forma të tjera të jetës nuk bie ndesh me besimin në Zot.

Si mund të përjashtojmë mundësinë që jeta të jetë zhvilluar edhe diku tjetër? Siç ka planetë të ngjashme me tokën, mund të ketë edhe krijesa tjera, të cilat ndoshta janë edhe më inteligjente, të cilat janë krijuar nga Zoti. Kjo nuk bie ndesh me besimin tonë, ngase ne nuk mund të vendosim kufizime në lirinë kreative të Zotit, ka theksuar Funes.
Ai insistoi se nëse zbulohen krijesa tjera inteligjente, ato gjithashtu do të konsiderohen si pjesë të krijimit.

Megjithatë, në radhët e kishës ende ekzistojnë përçarje në lidhje me këtë çështje, me disa elemente të cilat favorizojnë kreacionizmin apo dizajnin inteligjent, gjë që vështirëson përpjekjet për të pranuar konceptin e jetës jashtëtokësore.

Kryesuesit e Vatikanit në historinë më të re kanë tentuar të tejkalojnë akuzat se kisha ka një qëndrim armiqësor ndaj shkencës-reputacion ky i cili daton që nga koha e ekzekutimit të Galileos.

Në vitin 1992, Papa Gjon Pali II theksoi se ekzekutimi i Galileos ka qenë një gabim i madh. Muajin e kaluar, muzeu i Vatikanit hapi një ekspozitë me rastin e 400 vjetorit të vëzhgimeve të para astronomike të Galileos.

Observatori i Vatikanit ka kryesuar përpjekjet për të tejkaluar boshllëkun mes religjionit dhe shkencës.

Observatori, i hapur në vitin 1891 me urdhrin e Papa Leos, ka selinë në Castel Gandolfo, një qytet në afërsi të Romës, ku gjendet edhe rezidenca verore e Papës.

(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›