Punonjësit e "Vodafone" dhurojnë gjak për fëmijët
Punonjësit e "Vodafone Albania" u mblodhën dje në ambientet e Kryqit të Kuq Shqiptar për të kushtuar 15 minuta nga koha e tyre për të shpëtuar qindra jetë të bashkëqytetarëve të tyre që vuajnë prej sëmundjeve të gjakut. Rreth 63 punonjës u bënë pjesë e këtij gjesti të thjeshtë njerëzor të dhurimit të gjakut, që do të përdoret prej fëmijëve që vuajnë nga talasemia. Për "Vodafone" është hera e pestë që merr pjesë në një fushatë të dhurimit të gjakut. Alma Varfi, drejtoreshë e burimeve njerëzore e "Vodafone Albania" tha se, "jemi krenarë që fushata e dhurimit vullnetar të gjakut e ndërmarrë nga ana e punonjësve të "Vodafone Albania" do të ndihmojë të shërohen njerëzit që kanë nevojë për gjak, do të transmetojë gëzim te fëmijët që vuajnë nga talasemia e që janë të varur nga ky akt human për të qenë si gjithë fëmijët e tjerë, për të luajtur, për të vajtur në shkollë, dhe për të jetuar mes të dashurve të tyre".