E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev, kundër linjës së Putinit në ekonomi

Presidenti rus, Putin, ka bërë thirrje në fjalën e tij të përvitshme para kombit për një reformim të thellë të ekonomisë ruse. Sipas tij, modeli sovjetik nuk funksionon më dhe mbijetesa ruse varet shumë nga modernizimi i shpejtë i vendit bazuar në institucionet demokratike. Për të, ekonomia aktuale është shumë e varur nga eksporti i naftës dhe në vend të saj ajo duhet që të gjejë burime të tjera të ardhurash dhe mbi të gjitha të bazohet në një rritje reale ekonomike. Gjigantët shtetërorë që nuk prodhojnë gjë, e vetëm sa i hedhin pa fund para shtetit, duhet që të mbyllen, pasi t‘u nënshtrohen një llogaridhënie transparente. "Në vend të ekonomisë primitive që bazohet në lëndët e para, ne duhet të krijojmë një ekonomi aktive që të prodhojë jo vetëm naftë dhe gaz, por mallra shumë cilësorë, njohuri e teknologji të lartë në shërbim të popullit", ka thënë ndër të tjera Medvedev. Sipas tij, sistemi i një shoqërie arkaike, në të cilën liderët mendojnë dhe vendosin në emër të popullit, duhet që të shndërrohet në sistemin e një shoqërie inteligjente, të lirë dhe të përgjegjshme për njerëzit.
Një vit më parë, në fjalimin e parë para kombit, Medvedev bëri një njoftim të papritur në lidhje me vendosjen e sistemit antiraketë në Poloni. Këtë herë ai është përqendruar në transformimin dhe shndërrimin e Rusisë në një vend shumë më modern dhe mbi të gjitha në një vend të hapur përmes nisjes së reformave urgjente dhe të thella. Mbi 1 milion rusë kanë rrezikuar humbjen e vendeve të punës nga kriza dhe sipas Medvedev nuk ka kohë për të pritur. "Ne nuk mund t‘i lejojmë vetes luksin e të qëndruarit duarkryq. Duhet të nisim modernizimin e vendit, modernizimin e gjithë bazës industriale. Mbijetesa e kombit tonë në botën e zhvilluar varet tërësisht nga një fakt i tillë. Për të qeveria duhet të jetë më transparente dhe korrupsioni duhet të identifikohet dhe dënohet. Edhe kompanitë gjigante shtetërore të krijuara nga paraardhësi i Medvedev, Putin, sipas tij nuk kanë të ardhme. "Ndërmarrjet jo efikase duhet t‘u nënshtrohen procedurave të falimentimit ose të largohen njëherë e përgjithmonë nga tregu. Ne nuk mund t‘i mbrojmë ato pafundësisht".
Medvedev premtoi forcimin e institucioneve demokratike, por paralajmëroi se çdo tentativë për të prishur stabilitetin kombëtar me "slogane demokratike" duhet që të ndalohet. Më pas, ai premtoi edhe një politikë të jashtme pragmatiste dhe përmirësim të standardit të jetesës së rusëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›