Shamata: Pa mësim, vetëm 7% e nxënësve në Gërdec
Vetëm 7 për qind e nxënësve kanë mbetur pa mësim në Gërdec dy javë pas tragjedisë së shpërthimit të municioneve. Këto janë bilancet e raportuara dje nga zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata, i cili ka folur edhe për gjendjen e objekteve të dëmtuara arsimore, që kanë nevojë për rikonstruksion pas shpërthimit të 15 marsit. "Gjithsej në gjithë zonën e dëmtuar kanë filluar mësimin 93% e nxënësve. DAR Tiranë dhe Durrës kanë siguruar listat e teksteve, që duhen në këtë zonë dhe ua ka dhënë shtëpive botuese, të cilat janë ofruar për t‘u dhuruar librat që duhen, nxënësve të kësaj zone", tha Shamata. Sipas tij, nxënësit e shkollave më të dëmtuara janë shpërndarë në zonat e afërta. Kështu, 27 nxënës janë në shkollat e Durrësit, 3 në Fushë-Krujë, 8 në komunat e Tiranës, 2 në Tiranë, 4 në Librazhd. 3 prej tyre janë ende duke u trajtuar në spital për shkak të lëndimit nga shpërthimi. 82 nxënës të shkollës së Gërdecit mësojnë në Durrës, 10 në Vorë, 8 në fshatrat e Tiranës, 2 në Burrel dhe një tjetër në Gramsh. Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit po presin tashmë edhe rezultatin e një grupi pune që do të vendosë nëse duhet rikonstruktuar apo ndërtuar e re, godina e shkollës së Gërdecit, e cila është edhe më e dëmtuara për shkak të afërsisë me kraterin e shpërthimit. Shamata sqaroi se "në shkollat Durrës e Tiranë që u dëmtuan nga shpërthimi mësojnë gjithsej 4100 nxënës. Në shkollat e DAR Durrës ku natyra e dëmtimit të shkollave ka qenë më e lehtë, mësimi ka filluar më 17 mars. Në Rubjek-Maminas për shkak se shkolla është e vjetër ka nevojë për ndërhyrje të mëtejshme". Ai ka shpjeguar se në shkollat e DAR Tiranë, më 17 mars ka filluar mësimi në shkollën e mesme të bashkuar Prezë, ato 9-vjeçare Fushë-Prezë, Gjokaj, Picar, Kuç dhe Laknas. Po sipas numrit dy të arsimit, ditën e mërkurë më 26 mars, mësimi ka filluar edhe në Marqinet dhe në shkollën e mesme të Vorës. Ndërkohë që në shkollën 9-vjeçare Vorë po vazhdon riparimi i dëmeve. Shamata ka sqaruar se në Marikaj, edhe pse riparimi i shkollës ende nuk ka përfunduar, mësimi ka filluar për të gjithë nxënësit. Në Marqinet kanë filluar mësimin 211 nxënës dhe i gjithë kopshti. Por 8 nxënës mungojnë. MASH ka siguruar një shërbim psikologjik për nxënësit me 12 psikologë të dërguar nga Tirana dhe Durrësi.