E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrimtari Fahri Balliu nderohet në Panairin e Gjenevës me Diplomën e Suksesit

Kontributi në fushën e botimeve e të publicistikës, por edhe suksesi që kanë njohur në botën frankofone dy librat e tij; “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” dhe “Panteoni i Zi”, në motivacionin e diplomës, që u dorëzua nga presidenti i Panairit, Pierre-Marcel Favre

Botuesi dhe publicisti Fahri Balliu është nderuar dje në Gjenevë, në ditën e dytë të Panairit të 24-t të Librit dhe Shtypit, ngjarja kulturore më e rëndësishme në Zvicër dhe një nga takimet më të lakmuara në të gjithë botën e artit dhe të letrave në Evropë, me Diplomën e Suksesit. Diploma i është dorëzuar shkrimtarit Balliu nga Pierre-Marcel Favre, presidenti i panairit. Në motivacionin që shoqëron Diplomën e Suksesit, përmendet kontributi i zotit Balliu si shkrimtar dhe në fushën e botimeve, por edhe si një opinionbërës dhe intelektual i angazhuar në shoqëri. Tek diploma e dorëzuar nga presidenti Favre spikasin dy librat e publikuar në gjuhën frënge; “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” dhe “Panteoni i Zi”, edicione që kanë njohur një sukses të madh në Francë, Zvicër e Belgjikë, por në një këndvështrim më të gjerë edhe tek lexuesi evropian. Gjatë dorëzimit të diplomës kanë qenë të pranishëm edhe dhjetëra përfaqësues të komunitetit shqiptar në Gjenevë, të cilët vizitonin panairin por edhe stendën e Shtëpisë Botuese Franko-Zvicerane “Favre” që ka publikuar dy librat e shkrimtarit Fahri Balliu. “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” është shkruar si një histori e shkurtër e diktaturës komuniste, si një histori e rolit të poshtër e të rëndësishëm që kishte luajtur në këtë diktaturë bashkëshortja dhe eminenca gri e diktatorit, që për më shumë se katër dekada i la shqiptarët nën regjimin më të egër të diktaturave në Evropë.
Salloni i Librit në Gjenevë është një aktivitet i përvitshëm, i cili sivjet regjistroi edicionin e 24-të të tij dhe regjistron një rekord vizitorësh prej më shumë se 100 mijë syresh. Në panairin e sivjetëm morën pjesë mbi 700 shtëpi botuese dhe ente të shtypit periodik nga e gjithë bota, ndërkohë që një seksion i veçantë sivjet i ishte kushtuar letërsisë dhe artit të Suedisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›