Pranga pas 13 vitesh të kërkuarit për vrasje
MAT - Arrestohet pas 13 vitesh i akuzuari për vrasje. Mexhit Murrani, 57 vjeç, është prangosur mbrëmjen e së mërkurës, në banesën e tij në fshatin e thellë të Macukullit. Policia rajonale bëri të ditur se efektivë të policisë lokale, të drejtuar nga shefi i komisariatit, Ismet Shkreta, janë ngjitur në këtë fshat pasi kishin siguruar informacionin e duhur se Murrani ndodhej në shtëpi. Pas rrethimit të banesës dhe thirrjeve për t'u dorëzuar, ai ka tentuar të largohet, gjë që e kishte bërë edhe herë të tjera. Në një njoftim për shtyp, policia e Burrelit njoftoi se në bashkëpunim me policinë e Dibrës u organizua aksioni i koduar "Mali i Dejës". Qëllimi i tij ishte arrestimi i të shumëkërkuarit Murrani, i akuzuar se bashkë me të vëllanë, Abaz Murrani, ka vrarë me armë zjarri Shaqir Klosin. Ngjarja ndodhi më 22 tetor 1997, ku mbeti në tentativë edhe vrasja e shtetasit K.K. Këto vepra, sipas policisë, janë kryer për motivin e hakmarrjes, pasi djali i viktimës, D.K. u kishte vrarë motrën në vitin 1988. Murrani kishte arritur t'u fshihej strukturave të policisë së shtetit në disa raste. Policia e Matit, pasi ka dokumentuar vrasjen e Shaqir Klosit, ka gjetur në vendin e ngjarjes 15 gëzhoja fishekësh të llojeve të ndryshme, ndërsa ka marrë edhe dëshmi rreth ekzekutimit të shtetasit Klosi. Muaj më parë policia e Burrelit ka arrestuar vëllain e këtij shtetasi, Abaz Murrani, si dhe ka vënë në pranga edhe shtetas të tjerë të akuzuar për vrasjet e vitit 1997. h.p